Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
"Sevdana" – një kryevepër legjendare bullgare për violinë
Premte 7 Gusht 2026 06:33
Premte, 7 Gusht 2026, 06:33
Georgi Zllatev-Çerkin (1905 – 1977)
FOTO: archives.bnr.bg
Madhësia e shkronjave
Georgi Zllatev-Çerkin la gjurmë në historinë e muzikës bullgare me kontributin e madh si pedagog vokal, duke formuar dhjetëra këngëtarë të njohur të operës. I diplomuar në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Skenike në Vjenë (Universität für Musik und darstellende Kunst Wien), në fillim të karrierës së tij, bullgari i ri ëndërronte të ngjitej në skenë, megjithëse paralelisht studionte edhe kompozicion me mjeshtrin e miniaturës vokale, Jozef Marks (Joseph Marx). Gjatë viteve 20 të shekullit të XX-të, në kryeqytetin austriak, Georgi Zllatev-Çerkin luante në Teatrin Akademik të Operës, merrte pjesë si solist në vepra kantato-oratorike dhe jepte recitale me arie dhe këngë. Pas diplomimit, ai u kthye në atdhe dhe filloi të jepte mësim këndimi në Akademinë Shtetërore të Muzikës në Sofje. Në vitin 1936 u nis përsëri për në Vjenë, por aneksimi i Austrisë nga Gjermania naziste në vitin 1938 e detyroi të kthehej në Bullgari, ku nga fillimi i viteve 40-të deri në mesin e viteve 70-të të shekullit të kaluar, Zllatev-Çerkin ishte një nga pedagogët më të autoritetshëm të këndimit në Akademinë e Muzikës. Ai solli në artin vokal yje si Ljuba Veliç, Aleksandrina Millçeva dhe Ana Tomova-Sintova.
Kontributi i tij si kompozitor shpesh duket sikur është lënë pas dore, pavarësisht shfaqjeve të shumta të operetës së tij më të njohur "Kënga kryengritëse" dhe pranisë së domosdoshme të këngëve të tij me tekste të poetëve të mëdhenj bullgarë në repertorin e pothuajse çdo këngëtari bullgar. Mjeshtër i talentuar i melodisë, Zllatev-Çerkin në krijimtarinë e tij parapëlqente gjinitë e muzikës së dhomës. Vepra e tij më e dashur është kompozimi emblematik "Sevdana" për violinë dhe piano, krijuar në vitin 1944 dhe ekzekutuar për herë të parë nga violinistja legjendare bullgare Nedjallka Simeonova.
Nedjallka Simeonova (1901 – 1959)
FOTO: library-haskovo.org
Emocionuese dhe e shenjtë, me një melodi magjepsëse në frymën e muzikës popullore, kjo vepër qarkullon në shumë variante për instrumente të ndryshme. Thuhet se në Konkursin e Parë Mbarëbullgar për këngëtarë dhe instrumentistë, në vitin 1948, ajo u ekzekutua madje edhe me trombon.
Në vitin 2019, primadona e madhe e muzikës pop bullgare, Lili Ivanova, publikoi një album të dyfishtë me titull "Sevdana", sipas këngës me të njëjtin emër, krijuar me idenë e këngëtares, me melodinë e Zllatev-Çerkinit, tekst të Stefan Vëlldobrevit, aranzhim të Zhivko Petrovit dhe me pjesëmarrjen e violinistit Vasko Vasilev.
Disa studiues e gjejnë frymëzimin e kompozitorit te drama "Nën qiellin e vjetër" e shkrimtarit dhe politikan të shquar Canko Cerkovski, një nga themeluesit e Bashkimit Agrar Popullor Bullgar. Historia tragjike në këtë pjesë teatrore sillet rreth temës së përjetshme të trekëndëshit të dashurisë. Ngjarjet zhvillohen në fillim të shekullit të XX-të, në një fshat bullgar, dhe në qendër të tyre është vajza e bukur Sevdana, e cila në fund humb arsyen. Një version tjetër thotë se Zllatev-Çerkin u frymëzua nga zona "Shkëmbinjtë Pashovi", pranë lokalitetit malor Jundolla, i vendosur mes maleve Rilla dhe Rodopet. Sipas një legjende, aty jetonte një bareshë e bukur me emrin Sevdana. Një i pasur nga Pazarxhiku erdhi në atë zonë për gjueti, pa vajzën, u dashurua me të me shikim të parë dhe vendosi ta rrëmbente. I fejuari i Sevdanas dëgjoi britmat e saj, vrapoi drejt shkëmbinjve dhe e hodhi përdhunuesin në humnerë. Më pas, dy të rinjtë u larguan në një vend tjetër.
Pianisti i suksesshëm dhe nip i kompozitorit, Georgi Çerkin, tregoi në disa intervista se, sipas tij, Sevdana ishte emri i një vajze me të cilën gjyshi i tij kishte qenë i dashuruar. Por, meqë kjo dashuri kishte mbetur e parealizuar, ai e shprehu pasionin e tij të madh në këtë vepër të bukur muzikore.
Cilado qoftë e vërteta për frymëzimin e tij, sot "Sevdana" është një kryevepër e përjetshme e muzikës bullgare, me një vend të merituar në repertorin e shumicës së violinistëve bullgarë. Ndër ekzekutimet e saj bashkëkohore, pa dyshim i paarritshëm mbetet ai i violinistit të shkëlqyer Svetlin Rusev.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova
- #kompozitor
- #poet
- #piano
- #violinist
- #recital
- #shkrimtar
- #studime
- #violinë
- #pedagog
- #diplomim
- #Georgi Zllatev-Çerkin
- #muzikë
- #dramë
- #kryevepër
- #këngë
- #muzikë klasike bullgare
- #Sevdana
- #Nedjallka Simeonova
- #vepër muzikore
- #Canko Cerkovski
- #Universiteti i Muzikës dhe Arteve Skenike
- #pedagog i autoritetshëm
- #pedagog i këndimit
- #kompozicion
- #konrabas
- #Akademia Shtetërore e Muzikës