Artikull
Përfundon afati për shënimin e çmimeve në euro dhe leva
Premte 7 Gusht 2026 09:04
Premte, 7 Gusht 2026, 09:04
FOTO: bntnews.bg
Madhësia e shkronjave
Afati për shënimin e detyrueshëm të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve si në leva ashtu edhe në euro përfundon më 8 gusht 2026. Këtë e rikujton faqja zyrtare e Bankës Kombëtare të Bullgarisë dhe Ministrisë së Financave. Duke filluar nga 9 gushti, çmimet do të shënohen vetëm në euro. Kjo do të thotë se në etiketat e produkteve, tabelat e çmimeve dhe kuponët tatimorë nuk do të tregohet më vlera krahasuese në leva. Megjithatë, nëse një tregtar mendon se kjo do t’u japë më shumë besim klientëve, ai mund të vazhdojë vullnetarisht të shënojë edhe vlerën përkatëse në leva, krahas çmimit në euro.
Detyrimi për të shfaqur çmimet në të dyja monedhat hyri në fuqi në verën e vitit të kaluar, me qëllim që qytetarët të mësoheshin gradualisht me euron dhe ta kishin më të lehtë të krahasonin çmimet, si edhe të kontrollonin nëse ato ishin konvertuar dhe rrumbullakosur saktë. Ky afat është parashikuar në Ligjin për vendosjen e euros, i cili hyri në fuqi më 8 gusht 2025. Ligji nuk parashikon asnjë periudhë shtesë kalimtare pas 8 gushtit 2026 për shënimin e çmimeve njëkohësisht në leva dhe euro.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova