LAJME

Artikull

Trafik i rënduar për automjetet në pikën kufitare “Kapitan Andreevo”

Premte, 7 Gusht 2026, 10:19

Trafik i rënduar për automjetet në pikën kufitare “Kapitan Andreevo”

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Lëvizja e automjeteve është e rënduar në të dy drejtimet në pikën kufitare "Kapitan Andreevo", në kufirin mes Bullgarisë dhe Turqisë, njoftoi Policia Kufitare. Kalimi në pikat e tjera kufitare me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Rumaninë zhvillohet normalisht.

Për të rritur sigurinë në qarkullim, pasditen e së premtes dhe të dielën do të kufizohet lëvizja e kamionëve me peshë mbi 12 tonë në të dy drejtimet në autostradat "Trakia" dhe "Struma", si edhe në segmentin rrugor përmes Grykës së Kresnës, nga nyja rrugore "Simitli" deri te pika kufitare "Kullata" me Greqinë, njoftoi Agjencia e Infrastrukturës Rrugore. Të premten, më 7 gusht, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 16:00 deri në 23:00, ndërsa të dielën, më 9 gusht, nga ora 15:30 deri në 22:00. Drejtuesit e kamionëve mbi 12 tonë që udhëtojnë drejt ose nga Burgasi mund të përdorin si rrugë alternative rrugën “Podballkanski”, ndërsa ata që udhëtojnë drejt ose nga pika kufitare "Kullata" mund të kalojnë nëpër Goce Dellçev.

Në faqet zyrtare të Agjencisë së Infrastrukturës Rrugore dhe Administratës Kombëtare të Taksës Rrugore është në dispozicion një hartë interaktive e trafikut, e cila tregon në kohë reale numrin e automjeteve që kanë kaluar gjatë 15 minutave dhe orës së fundit.

Gjithashtu, kur temperaturat e ajrit kalojnë 35°C, pas orës 13:00 mund të vendosen përkohësisht kufizime për qarkullimin e kamionëve mbi 20 tonë në segmente të caktuara rrugore dhe autostrada.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova