Premte 7 Gusht 2026 14:30
Premte, 7 Gusht 2026, 14:30
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Zelensky mbërrin në Beograd për vizitën e tij të parë zyrtare
Më 8 gusht, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të zhvillojë vizitën e tij të parë zyrtare në Beograd në cilësinë e kreut të shtetit, njoftoi BTA. Vizita te presidenti Aleksandar Vučić vjen pasi Serbia mbeti pjesëmarrësja e vetme në samitin Ukrainë – Evropa Juglindore që refuzoi të nënshkruajë deklaratën e përbashkët në mbështetje të Ukrainës dhe për rritjen e presionit ndaj Rusisë. Pavarësisht dallimeve, të dyja vendet kanë intensifikuar dialogun politik dhe negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë. Si Ukraina, ashtu edhe Serbia janë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por negociatat e Beogradit kanë mbetur në vendnumëro, pasi vendi nuk e ka harmonizuar politikën e tij të jashtme me atë të Bashkimit dhe nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
FOTO: Pixabay
Fitch: Deficiti dhe borxhi në rritje vazhdojnë të rëndojnë mbi Rumaninë
Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Fitch konfirmoi vlerësimin sovran të kreditit të Rumanisë në BBB-, por ruajti perspektivën negative për shkak të financave të dobëta publike, rritjes së borxhit shtetëror dhe pasigurisë politike. Sipas agjencisë, anëtarësimi në BE dhe financimi evropian vazhdojnë të mbështesin ekonominë dhe qasjen në kapitalet e jashtme, por vendi mbetet i cenueshëm për shkak të deficitit të lartë fiskal, deficitit të llogarisë korrente dhe borxhit shtetëror në rritje, njoftoi BTA. Fitch pret që deficiti buxhetor të ulet në 5,9% të PBB-së në vitin 2026, nga 9,3% në vitin 2024, ndërsa më pas ritmi i uljes do të ngadalësohet. Agjencia parashikon gjithashtu tkurrjen e ekonomisë rumune me 0,6% në vitin 2026, pasi konsumi më i dobët dhe mjedisi i pafavorshëm i jashtëm do ta kufizojnë rritjen, pavarësisht investimeve të financuara nga BE-ja.
FOTO: BGNES
Shkupi siguroi financim për lidhjen hekurudhore me Bullgarinë
Maqedonia e Veriut ka siguruar afro 500 milionë euro për ndërtimin e seksionit të tretë të Korridorit Hekurudhor 8 deri në kufirin me Bullgarinë. Qeveria nënshkroi marrëveshje me Bashkimin Evropian, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat përfshijnë 149 milionë euro grant dhe 350 milionë euro kredi. Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikoloski njoftoi se Shkupi dhe Sofja kanë arritur marrëveshje për ndërtimin e tunelit ndërkufitar dhe do të kërkojnë së bashku financim evropian për projektin.
Pritet që gjatë javëve të ardhshme të shpallet tenderi për ndërtimin e segmentit 22-kilometërsh Kriva Pallankë – Deve Bair. Korridori 8 është një lidhje e rëndësishme transporti midis Detit Adriatik dhe Detit të Zi dhe lidh Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
FOTO: turkishminute.com
Mbështetje e fuqishme me donacione për partinë e re të opozitarit turk Özgür Özel
Partia e re e liderit opozitar turk Özgür Özel mblodhi mbi 182 milionë lira turke (rreth 3,3 milionë euro) nga afro 86 000 donatorë, vetëm brenda 48 orëve nga fillimi i fushatës së saj të financimit. "Partia e Re" u krijua më 24 korrik, pas përçarjes së thellë në Partinë Popullore Republikane, të shkaktuar nga vendimi gjyqësor për anulimin e kongresit në të cilin Özel ishte zgjedhur kryetar.
Sipas legjislacionit turk, partitë politike që marrin të paktën 3% të votave në zgjedhjet parlamentare kanë të drejtë për financim nga Ministria e Financave, ndërsa shpërndarja përcaktohet sipas pjesës së tyre të votave, shkruan turkishminute.com. Financimi shtetëror trefishohet në vitet e zgjedhjeve parlamentare dhe dyfishohet në vitet e zgjedhjeve vendore. Meqenëse "Partia e Re" ende nuk ka marrë pjesë në zgjedhje parlamentare, ajo nuk ka të drejtë për financim shtetëror dhe për momentin mbështetet në donacione private. Özel u bëri thirrje mbështetësve të ndihmojnë financiarisht partinë derisa të përfundojnë procedurat për anëtarësimin zyrtar.
FOTO: Pexels
U shkatërrua një rrjet për peshkim të paligjshëm të koraleve të kuqe pranë Skopelosit
Autoritetet greke zbuluan një skemë të dyshuar ndërkombëtare për peshkimin e paligjshëm dhe trafikimin e koraleve të kuqe në Detin Egje. Gjatë një operacioni të shërbimit special të Autoritetit të Pavarur Grek për të Ardhurat Publike (AADE) dhe rojës bregdetare pranë ishullit Skopelos, u kontrollua një jaht që paraqitej si mjet lundrues turistik. Sipas hetuesve, ai në fakt shërbente si bazë lundruese për peshkim të paligjshëm, njofton in.gr.
Në bord u gjetën korale, pajisje zhytjeje dhe mjete për nxjerrjen e tyre. Vlera e ngarkesës së konfiskuar vlerësohet në rreth 800 000 euro. Mjeti lundrues ishte marrë me qira nga shtetas italianë, ndërsa hetimet tregojnë lidhje me një kompani transporti të përdorur për dërgimin e pakove drejt Italisë.
Korali i kuq është shumë i çmuar për përdorimin e tij në bizhuteri, por ai rritet me vetëm rreth 0,2 milimetra në vit dhe është një specie e mbrojtur.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski