Autor
Joan Kolev
Artikull
IABÇ shpërbleu pjesëmarrësit në konkurset e saj për fëmijë
Premte 7 Gusht 2026 20:45
Premte, 7 Gusht 2026, 20:45
FOTO: Desisllava Semkovska
Madhësia e shkronjave
Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit (IABÇ) ruajti traditën e saj shumëvjeçare duke shpërblyer fituesit e konkurseve për fëmijë të organizuara prej saj për krijim letrar, vizatim dhe këngë, të frymëzuara nga dashuria për Bullgarinë.
Fituesit në të tre konkurset u ndanë në tri kategori moshe: nga 6 deri në
10 vjeç, nga 11 deri në 14 vjeç dhe nga 15 deri në 18 vjeç. Në fjalën e saj
përshëndetëse drejtuar pjesëmarrësve, drejtoresha ekzekutive e agjencisë, Rajna
Manxhukova, ka theksuar më shumë se një herë se, pavarësisht nëse marrin apo jo
një çmim për punën dhe talentin e tyre, vetë prania e tyre në sallë dhe
mundësia për të qenë në atdheun e tyre, Bullgari, është tashmë një ëndërr e
realizuar dhe një shpërblim i merituar.
Përshëndetje e Rajna Manxhukovës
FOTO: BTA
Tema e konkursit letrar, që mban emrin e poetit, dramaturgut dhe përkthyesit Stefan Geçev dhe organizohet që prej vitit 1995, ndërsa këtë vit shënon edicionin e tij të 30-të, iu kushtua 150-vjetorit të Kryengritjes së Prillit, një ngjarje me rëndësi të veçantë për vendin, si dhe 170-vjetorit të lindjes së Rajna Knjagjinjës.
FOTO: BGNES
Juria shqyrtoi 142 krijime të pjesëmarrësve nga 17 shtete.
FOTO: BTA
Këtë vit, përveç kategorive "Poezi" dhe "Prozë", u nda
edhe një çmim i posaçëm për projekt digjital, me titull "Kujtesa dhe
liria: zëra nga viti 1876 sot". Autorë të projektit janë nxënësit e Shkollës Bullgare të së Dielës
"Shën Klimenti i Ohrit" në qytetin e Limasolit, Qipro, së bashku me
mësuesen e tyre Tanja Vitkina.
FOTO: Gergana Mançeva
Një nga fituesit në kategorinë "Prozë" në grupmoshën 11-14 vjeç është Maksim Rangellov, nxënës i Shkollës Fillore "Hristo Botev" në Caribrod.
Ai pranon se në shkrimin e tij nuk është përqendruar vetëm te tema e heronjve bullgarë, por ka përfshirë edhe historinë bullgare dhe qytetet e Bullgarisë. Për të, vendi më bullgar është Veliko Tërnovo, të cilin e ka vizituar një herë dhe nga i cili është mahnitur nga bukuria e tij dhe nga gjuha bullgare që flitet atje, shumë e ndryshme nga bullgarishtja që flitet në Serbi.
Maksimi planifikon që, kur të rritet, të studiojë në Bullgari, ndoshta në një fushë të lidhur me teatrin. Simboli i Bullgarisë për të është trëndafili bullgar, ndërsa miqve të tij të shumtë në Serbi u tregon se Bullgaria është një vend shumë i bukur. Ai gjithmonë thekson se është bullgar, se ndihet krenar për këtë dhe se për të të jesh bullgar është një nder i madh!
Listën e plotë me emrat e të vlerësuarve në kategoritë e ndryshme mund ta gjeni këtu.
FOTO: Gergana Mançeva
Në edicionin e 25-të të konkursit të vizatimit "Bullgaria në ëndrrat e mia", që organizohet që nga viti 2001, juria shqyrtoi më shumë se 200 punime nga 23 shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, dhe shpërbleu fitues në tri grupmosha, në kategoritë pikturë, art i aplikuar dhe grafikë/grafikë kompjuterike.
Listën me emrat e të gjithë fituesve të konkursit të vizatimit mund ta shihni këtu.
FOTO: BTA
Në konkursin e këngës, i organizuar për të 16-in vit që nga viti 2010 dhe që mban emrin e këngëtares së njohur bullgare të muzikës popullore Ljubka Rondova, juria dëgjoi mbi 180 interpretime nga 681 pjesëmarrës, si solistë, ashtu edhe grupe vokale dhe ansamble nga 21 shtete, ndër të cilat përsëri ishte edhe Shqipëria.
Listën me emrat e të gjithë fituesve të konkursit të vizatimit mund ta shihni këtu.
Elena dhe Ekaterina nga Suedia
FOTO: Gergana Mançeva
Në kategorinë e pjesëmarrësve deri në 14 vjeç, vendin e parë e fitoi Sërxhana Millanov nga Serbia, së bashku me Ivan Ivanovin nga Ukraina.
Vajza është nxënëse në klasën me mësim në gjuhën bullgare në shkollën "Hristo Botev" në Caribrod. Vendi i saj i preferuar në Bullgari është Parku i Arinjve Vallëzues në Belica, sepse ajo i do arinjtë dhe sepse aty kujdesen për kafshët.
Sërxhana do të dëshironte me kënaqësi të jetonte në Bullgari. Atë e tërheq këndimi dhe do të vazhdonte këtu arsimin dhe zhvillimin e saj artistik.
Enkas për Radio Bullgarinë, Sërxhana interpretoi këngën "Ku je ti, dashuria besnike e popullit" ("Kade si vjarna ti, ljubov narodna"), e cila i solli çmimin kryesor.
Ivana Aleksandrova, Sërxhana Millanov dhe Maksim Rangellov
FOTO: Desisllava Semkovska
FOTO: BGNES
9-vjeçarja Ivana Aleksandrova vjen nga Londra, Angli, ku ndjek mësimet në shkollën bullgare "Bëllgarçe". Aktualisht ajo jeton me familjen e saj në Razllog.
Ajo do t'u rekomandonte të huajve të vizitojnë malet bullgare dhe të provojnë kuzhinën e shijshme bullgare. Sipas saj, Bullgaria është një destinacion i shkëlqyer turistik për ski, por edhe për shumë veprimtari të tjera interesante.
Dy vjet më parë, Ivana fitoi konkursin e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit (IABÇ) në kategorinë e saj të moshës. Këtë vit ajo zuri vendin e dytë, falë interpretimit të këngës popullore "Kitka ti padna, Deno", të cilën e këndoi me shumë ndjenjë, posaçërisht për ne.
Ju kujtojmë se, ashtu si çdo vit deri më tani, fituesit e çmimeve të para në konkurset përkatëse do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e një kampi veror edukativ 10-ditor në fshatin Brodillovo, ku do të mund të krijojnë miqësi të reja dhe të përjetojnë emocione të paharrueshme.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva