SHOQËRI

Artikull

Lëvizja e syve zbulon emocionet njerëzore

Shkencëtarë bullgarë po zhvillojnë implante cerebrale për diagnostikimin dhe përmirësimin e gjendjes së pacientëve

Dielë, 9 Gusht 2026, 08:44

Lëvizja e syve zbulon emocionet njerëzore

FOTO: Pexels

Madhësia e shkronjave

Njohja e emocioneve njerëzore dhe identifikimi i personave përmes gjurmimit të lëvizjes së syve – ky është projekti mbi të cilin po punojnë shkencëtarë nga Instituti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit pranë Akademisë Bullgare të Shkencave. Në ekipin kërkimor bën pjesë edhe studiuesi i ri Teodor Vakarellski, i cili u frymëzua për këtë ide pesë vjet më parë, gjatë një leksioni mbi teknologjinë e gjurmimit të lëvizjes së syve (Eye Tracking), të mbajtur nga udhëheqësi i tij shkencor, prof. Kirill Andreev.

Lëvizja e syve zbulon emocionet njerëzore

FOTO: Arkiv Personal

"Pyetja e parë që i shtruam vetes ishte: çfarë informacioni mund të nxjerrim nga lëvizja e syve? – kujton Teodor Vakarellski. - Në laboratorin tonë përdorëm një pajisje të quajtur eye tracker, një kamerë me frekuencë të lartë prej 1000 Hz. Ajo regjistron një mijë imazhe në sekondë me rezolucion shumë të lartë dhe funksionon në spektrin infra të kuq. Falë saktësisë së saj jashtëzakonisht të lartë, ne mund të regjistrojmë dhe të analizojmë edhe dridhjet më të vogla të syrit."

Gjatë eksperimenteve, vullnetarëve iu kërkua ta përqendronin shikimin në një pikë të caktuar. Edhe pse dukej sikur sytë e tyre qëndronin plotësisht të palëvizshëm, u zbulua se ata kryenin tri lloje lëvizjesh, njëra prej të cilave është e përshtatshme për analizë me qëllim identifikimin e personit. Sipas Teodor Vakarellskit, kjo metodë garanton një nivel shumë më të lartë sigurie, pasi gjurma e gishtit dhe nënshkrimi mund të falsifikohen.

Puna e shkencëtarëve është pjesë e projektit evropian VIBraTE, i udhëhequr nga doc. Dimitër Prodanov, i cili synon zhvillimin dhe përmirësimin e implanteve të thella cerebrale.

Teodor Vakarellski

Teodor Vakarellski

FOTO: Arkiv personal

"Në këtë mënyrë krijohet një sistem tru–kompjuter, i cili studion ndërveprimin mes njeriut dhe makinës – shpjegon Teodor Vakarellski në një intervistë për programin "Hristo Botev" të Radios Kombëtare Bullgare (BNR).  – Një nga drejtimet e projektit janë sistemet jo invazive. Ato nuk e kufizojnë njeriun dhe nuk kërkojnë vendosjen e një implanti cerebral për të marrë informacionin. Kjo mund të realizohet edhe me një pajisje në distancë, e cila e skanon atë."

Për këtë qëllim, në institut tashmë u krijua laboratori i parë në Bullgari për testimin e implanteve cerebrale. Ai është i pajisur me një tavolinë optike, e cila është e izoluar mirë nga dridhjet e mjedisit përreth. Në këtë laborator mund të simulohen rrahjet e zemrës, frymëmarrja dhe lëvizje të ndryshme, si edhe të studiohet ndërveprimi midis trurit të njeriut dhe implantit cerebral. "Synimi ynë është të zhvillojmë një model me karakteristika më të mira se implantet cerebrale që përdoren aktualisht, pasi ato ende paraqesin rreziqe dhe kanë mangësi të shumta", shton studiuesi.

Ekipi ndërdisiplinor i studiuesve shpreson që deri në fund të vitit të ardhshëm të arrijë një rezultat përfundimtar – një model të zbatueshëm në biznesin ndërkombëtar, që do të përmirësojë gjendjen aktuale të teknologjisë dhe do të jetë i gatshëm për përdorim.

Lëvizja e syve zbulon emocionet njerëzore

FOTO: Arkiv personal

"Shumë sëmundje mund të trajtohen me sukses me ndihmën e implanteve cerebrale – thotë Teodor Vakarellski.  – Disa prej modeleve përdoren për diagnostikim, ndërsa të tjera synojnë përmirësimin e gjendjes së pacientit. Megjithatë, përdorimi i tyre kryesor në këtë fazë është te personat me paralizë. Në raste kur truri funksionon normalisht, por si pasojë e një aksidenti ose dëmtimi tjetër është këputur një nerv në palcën kurrizore, pacienti mbetet i paralizuar. Implanti cerebral bën të mundur marrjen e sinjaleve nga truri dhe dërgimin e tyre te një sistem i inteligjencës artificiale për analizë. Më pas, këto sinjale mund të përdoren për të lëvizur kursorin në ekranin e kompjuterit, madje edhe për të vënë në lëvizje një ekzoskelet ose një karrige me rrota, duke i dhënë personit mundësinë të rifitojë lëvizshmërinë."

Sipas studiuesit, me ndihmën e një implanti cerebral mund të parashikohet kur ekziston rreziku i një krize epileptike. Në një situatë të tillë, personi duhet të ndalojë drejtimin e automjetit dhe të shtrihet në një vend të sigurt. Depresioni klinik gjithashtu mund të ndikohet pozitivisht nga elektrostimulimi, pa shkaktuar varësi, siç ndodh me shumë prej barnave.

 

Teksti: Diana Cankova (bazuar në intervistën e Ani Kostovës për programin "Hristo Botev" të Radios Kombëtare Bullgare – BNR)

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova