Vassilis Xypolias: Bullgaria më befasoi me gjelbërimin dhe qetësinë e saj

“Praktikimi i vetëdijes është si të shkosh në palestër, por për fitnesin e mendjes.”

Shtunë, 8 Gusht 2026, 13:45

Vassilis Xypolias: Bullgaria më befasoi me gjelbërimin dhe qetësinë e saj

FOTO: mindfulness360.net

Madhësia e shkronjave

Vassilis Xypolias është nga Athina, Greqi, por ka jetuar në Bullgari për 25 vjet, me disa ndërprerje. Ai ka përfunduar studimet në marketing dhe ka marrë një diplomë MBA nga Universiteti i Bridgeportit në Shtetet e Bashkuara. Deri në vitin 2013, Vassilis Xypolias punoi në fushën e komunikimit të marketingut, duke përfshirë edhe drejtimin e kompanisë së tij jashtë vendit. 

Gjatë kësaj periudhe, Vassilis fitoi një kuptim të thellë të funksionimit të mendjes njerëzore dhe të mënyrës se si bindjet, mendimet dhe emocionet formësojnë perceptimin, veprimet dhe përvojën tonë të jetës. Në vitin 2009, ai kaloi një periudhë të vështirë në jetën e tij dhe, pas mundësisë së veçantë për t’u takuar dhe punuar me Jon Kabat-Zinn (profesor amerikan emeritus i mjekësisë dhe krijuesi i Klinikës së Uljes së Stresit dhe Qendrës për Mendësinë në Mjekësi, kujdes shëndetësor dhe shoqëri në Shkollën Mjekësore e Universitetit të Masaçusets), vendosi t’i përkushtohej praktikës së vetëdijes (mindfulness). Sot, ai e përshkruan profesionin e tij kryesor si “një mënyrë për t’u lidhur me njerëzit dhe me veten”.

Vassilis Xypolias dhe Jon Kabat-Zinn

Vassilis Xypolias dhe Jon Kabat-Zinn

FOTO: mindfulness360.net

Po si u lidh ai me Bullgarinë?

Vassilis kujton përshtypjen e tij të parë pas mbërritjes në vendin tonë:

Vassilis Xypolias: Bullgaria më befasoi me gjelbërimin dhe qetësinë e saj

FOTO: Facebook /Vassilis Xypolias

 “Ajo që më bëri përshtypje që në fillim, kur erdha për herë të parë në Bullgari dhe më befasoi shumë, ishte sa e gjelbër është këtu në krahasim me Athinën. Në Athinë ka një det të mrekullueshëm dhe plazhe shumë të bukura, por nuk ka shumë gjelbërim. Personalisht, gjelbërimi më qetëson, më frymëzon dhe më ndihmon të gjej ekuilibrin.

Në përgjithësi, kur njerëzit kërkojnë qetësi, është mirë të shkojnë në mal. Ndërsa sa i përket Sofjes si qytet, ajo është një vend shumë më i qetë krahasuar me Athinën. Dua të them se Sofja është në fakt më e rregulluar dhe më e organizuar. Mund të udhëtosh me shumë lloje të ndryshme transporti, të organizosh kohën tënde dhe të kesh mundësinë të shijosh më shumë nga gjërat që bën ose të takohesh me njerëzit që dëshiron.”

Vassilis Xypolias: Bullgaria më befasoi me gjelbërimin dhe qetësinë e saj

FOTO: Facebook /Vassilis Xypolias

Vassilis është psikoterapist, ligjërues në kuadër të Programit të njohur ndërkombëtarisht për Reduktimin e Stresit të Bazuar në Vetëdije (MBSR) dhe sot është autor i një metodologjie të veçantë që mbështet integrimin e vetëdijes në jetën tonë personale, shoqërore dhe profesionale, si një rrugë drejt shërimit, transformimit dhe zhvillimit personal.

“Si përkufizim, mindfulness është një vetëdije e ndërgjegjshme që lind kur vëzhgojmë diçka. Është një përvojë që angazhon realisht pesë shqisat. Dëgjoj, ndiej në trup, marr frymë, nuhas ose shijoj, dhe më pas vërej se çfarë mendoj dhe çfarë ndiej. Dallimi që shtojmë këtu është se mendimet dhe ndjenjat bëhen objekt i vëzhgimit në praktikën e mindfulness-it. Ne i vëzhgojmë mendimet tona pa i kritikuar ose analizuar. Kjo është mindfulness. Sa i përket pyetjes nëse bullgarët janë të hapur ndaj praktikave të tilla, mendoj se bullgarët, në përgjithësi, janë shumë të hapur dhe, do të thosha, në një farë mënyre më shpirtërorë, si njerëz dhe si kulturë”, shpjegon Vassilis.

Vassilis Xypolias: Bullgaria më befasoi me gjelbërimin dhe qetësinë e saj

FOTO: arkiv personal

Në Bullgari ndihem i qetë, i frymëzuar dhe i sigurt”, ndan greku, duke na kujtuar se duhet të përfshijmë gjithë vëmendjen tonë në çdo çast “këtu dhe tani” dhe të shijojmë momentet e bukura të jetës së përditshme. Ndërkohë, vendi i tij i preferuar për meditim dhe praktikimin e mindfulness-it në Bullgari është mjaft i pazakontë:

“Mund t’ju befasojë, por vendi im i preferuar për meditim është parkingu i Muzeut Historik në lagjen “Bojana” të Sofjes. Shkoj atje, parkoj makinën dhe shikoj malin Vitosha kur dua të rigjenerohem shpejt dhe lehtë”, pranon Vassilis.

Vassilis Xypolias: Bullgaria më befasoi me gjelbërimin dhe qetësinë e saj

FOTO: Facebook /Mindfulness 360

Pas gati një çerek shekulli në Bullgari, a ndihet ai i integruar?

“Unë ndihem i integruar, sepse ndihem vetvetja”, na thotë Vassilis Xypolias. “Dhe mendoj se kështu duhet të mendojë çdo njeri. Nuk ka rëndësi se nga cili vend është pasaporta e tij. Ndjenja e integrimit do të thotë të ndihem vetvetja. Dhe të bëhem versioni më i mirë i mundshëm i vetes sime. Kështu ndihem unë në Bullgari. Vazhdimisht vazhdoj të kuptoj veten time, sepse gjatë jetës ndryshojmë shumë herë pa e kuptuar. Dhe unë dua të bëhem gjithnjë e më i ndërgjegjshëm.

Ka shumë hapësirë për zhvillim. Kjo është diçka që stërvitet gjatë gjithë jetës. Tani, megjithatë, kemi edhe inteligjencën artificiale. Prandaj duhet të reflektojmë sërish mbi atë që na bën qenie njerëzore. Dua të jem pjesë e këtij procesi të ripërtëritjes së rolit tonë si njerëz: çfarë jemi për veten tonë dhe çfarë duhet të jemi për të tjerët.”

Vassilis Xypolias: Bullgaria më befasoi me gjelbërimin dhe qetësinë e saj

FOTO: arkiv personal

Vassilis përqafon kuptimin e vetëdijes së ndërgjegjshme, të përmbledhur në fjalën e lashtë pali “sati”, e cila shpesh përkthehet si “vetëdije” ose “të kujtosh”. Të kujtosh se jeta ndodh vetëm në momentin e tanishëm, i vetmi moment që ekziston vërtet dhe që duhet ta përjetojmë, ta kuptojmë dhe ta duam.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva