SHOQËRI

Seksion

Gjurmët bullgare në Argjentinë:

Sonja Ivanoff mbledh mbi 50 histori të pasardhësve të bullgarëve në Argjentinë

Dielë, 9 Gusht 2026, 06:00

Sonja Ivanoff (në të majtë)

Sonja Ivanoff (në të majtë)

FOTO: Gergana Mançeva

Madhësia e shkronjave

Juriste dhe pedagoge e historisë në Universitetin Kombëtar “San Juan Bosco” në Patagoni (rajon në jug të Argjentinës), specialiste në politikat sociale dhe doktore në fushën e shkencave humane – kështu, shkurtimisht, mund të përshkruhet veprimtaria e pasur akademike e dr. Sonja Liliana Ivanoff. Ajo ka lindur në Argjentinë, në qytetin ku jeton komuniteti më i madh i pasardhësve të emigrantëve bullgarë në Amerikën e Jugut. Ata u vendosën atje gjatë gjysmës së parë të shekullit XX. Dhe pikërisht një specialiste dhe studiuese e këtij rangu është e përshtatshme të përqendrohet në studimin e historisë së emigracionit në pjesën më jugore të botës, deri ku kanë arritur në të kaluarën bashkatdhetarët tanë.

Vetë dr. Sonja Ivanoff ka një gjysh nga ana e babait – bullgar, i cili u nis drejt Argjentinës së bashku me dhjetëra emigrantë të tjerë për të punuar në industrinë e nxjerrjes së naftës. Dhe megjithëse koha i fshin kujtimet, dr. Sonja Ivanoff nuk dëshiron ta humbasë lidhjen me Bullgarinë dhe tashmë rikthehet në atdheun e të parëve edhe si studiuese dhe autore e botimeve shkencore kushtuar komunitetit bullgar në këtë skaj të botës.

Sonja Ivanoff mbledh mbi 50 histori të pasardhësve të bullgarëve në Argjentinë

FOTO: sbj-bg.eu

Si fituese e bursës në Programin Kombëtar Shkencor (PKSH) “Zhvillimi dhe konsolidimi i studimeve bullgaristike jashtë vendit”, pranë Institutit të Etnologjisë dhe Folkloristikës me Muze Etnografik të Akademisë Bullgare të Shkencave (IEFEM – BAN), ajo u ftua të mbajë një leksion në Sofje me temën: “Kujtesa nga largësia: emigracioni bullgar drejt Komodoro Rivadavias (Argjentinë) në rrëfimet familjare, kartolinat dhe fotografitë”.

Sonja Ivanoff mbledh mbi 50 histori të pasardhësve të bullgarëve në Argjentinë

FOTO: Gergana Mançeva

Për të paraqitur përmasat e këtij procesi migrator, i cili u zhvillua më intensivisht midis viteve 1906 dhe 1958, Sonja Ivanoff përdor rrëfime me gojë të pasardhësve dhe të afërmve të bullgarëve që u nisën drejt Argjentinës. Ajo mbledh informacion nga kartolina dhe materiale fotografike, të grumbulluara si nga vendet e origjinës, ashtu edhe nga trevat ku jetojnë pasardhës të bullgarëve në Argjentinë. Kështu, pjesë-pjesë, ajo rindërton tablonë e emigracionit bullgar në Amerikën e Jugut.

Sonja Ivanoff mbledh mbi 50 histori të pasardhësve të bullgarëve në Argjentinë

FOTO: Gergana Mançeva

Dr. Sonja Ivanoff theksoi se fotografitë, kartolinat dhe imazhet nga Argjentina kanë një vend të rëndësishëm në kujtesën familjare. Nëpërmjet tyre, të afërmit në Bullgari krijonin një ide për kushtet e punës dhe jetesës së të afërmve që ishin larguar. Për shembull, ajo hasi në një kartolinë në të cilën bullgari Dosho Dimitrov rrëfen se, në moshën 17-vjeçare, vendosi të nisej për në Argjentinë, pasi xhaxhai i tij, i cili jetonte në Rosario, ishte kthyer përkohësisht në Bullgari. Ndërsa një tjetër bashkatdhetar, me emrin Boris Hristov, e përshkruan mbërritjen e tij në Buenos Aires në vitin 1926 në këtë mënyrë:

“Mbusha 18 vjeç në Buenos Aires. Punova në dhoma frigoriferike. U mblodhëm 10 bullgarë dhe kishim ndërmend të shkonim në jug për të punuar në ndërtimin e linjës hekurudhore. Ky grup gradualisht u shpërbë. Arrita në një stacion, pa e ditur se ku ndodhesha dhe pa ditur se si të blija një biletë. Takova disa bashkatdhetarë. Por nuk arrita të zbrisja në të njëjtin stacion me ta dhe zbrita në stacionin tjetër. U nisa përsëri në drejtim të kundërt për t'i kërkuar. U ktheva në Buenos Aires. Kështu u nisa për në Komodoro Rivadavia.”

Comodoro Rivadavia në vitin 1901

Comodoro Rivadavia në vitin 1901

FOTO: serargentino.com

Sipas dr. Sonja Ivanoff, qyteti i Komodoro Rivadavias u themelua në vitin 1901, ndërsa në vitin 1907 aty u zbulua naftë. Bullgarët e parë mbërritën në këtë zonë pikërisht pas zbulimit të vendburimeve të naftës. Në atë kohë, qyteti ende ishte në ndërtim dhe nuk kishte port. Udhëtimi nga Evropa drejt Argjentinës zgjaste më shumë se 25 ditë. Deri në mesin e shekullit XX, qindra bullgarë nga Popovo dhe fshatrat përreth, ndër të cilët Sadina dhe Palamartsa (Bullgaria verilindore), u nisën drejt Komodoro Rivadavias në Argjentinë. Dr. Sonja Ivanoff prezantoi para kolegëve të saj në Institutin Etnografik në Sofje rezultatet e 50 intervistave të zhvilluara me pasardhësit dhe të afërmit e këtyre njerëzve në Bullgari. Një fakt interesant është se ata nuk i kanë vizituar kurrë deri më tani të afërmit e tyre ose pasardhësit e tyre në Argjentinë.

Sonja Ivanoff mbledh mbi 50 histori të pasardhësve të bullgarëve në Argjentinë

FOTO: diariocronica.com.ar

“Argjentina ka një fytyrë të ndryshme për të afërmit e emigrantëve që kanë mbetur në Bullgari. Në varësi të asaj që kanë përjetuar, por më së shpeshti ajo lidhet me mungesën e një njeriu të afërt, pritjen për kthimin e tij, shpresën për përparim ekonomik, jo rrallë edhe me lajmin për vdekjen e një të afërmi, si dhe shumë shpesh me përpjekjet për të ruajtur trashëgiminë kulturore përtej kufijve”, thotë dr. Ivanoff.

Sonja Ivanoff mbledh mbi 50 histori të pasardhësve të bullgarëve në Argjentinë

FOTO: Gergana Mançeva

Deri në mesin e viteve ’30 të shekullit XX, midis migrantëve bullgarë mbizotëronin burrat që kishin shkuar të punonin në puset e naftës. Shumë prej tyre ktheheshin në Bullgari pasi kishin kaluar disa vite atje dhe kishin grumbulluar kursime. Ndërsa pas vitit 1930, një pjesë e tyre niseshin përsëri drejt Argjentinës, por këtë herë së bashku me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Kështu u formua komuniteti bullgar në këtë shtet të Amerikës së Jugut.

“Përveç kësaj, është e vështirë të rindërtohen historitë familjare, pasi me kalimin e kohës humbasim mbiemrin familjar – tregon sot Sonja Ivanoff, duke dhënë shembullin e historisë së saj personale. – Gjyshi im quhej Milan Ivanov. Kjo është një nga historitë në të cilat ai kthehet pa shumë kursime, sepse arrin të shesë një lopë dhe të udhëtojë drejt Bullgarisë, ndërsa e vetmja gjë me vlerë që arrin të blejë me paratë e kursyera është një radio. Në fakt, gjyshi im kishte edhe një vëlla binjak – ai quhej Milenko. Megjithatë, ai u kthye në Bullgari dhe shkoi të jetonte në Dimitrovgrad. Dhe tani, gjatë kësaj vizite timen të tretë në Bullgari, për herë të parë do të takohem me stërmbesën e tij, e cila quhet Darina dhe gjithashtu jeton në Dimitrovgrad. Në vitin 2000, kur u ktheva së bashku me babanë dhe nënën time, arritëm të njiheshim me një pjesë të familjes. Sot komuniteti bullgar në Argjentinë përbëhet kryesisht nga nipër, mbesa, stërnipër dhe stërmbesa të emigrantëve bullgarë që u nisën në fillim të shekullit të kaluar. Në fakt, ne, nipërit dhe mbesat, jemi ata që përpiqemi të rindërtojmë historinë familjare përmes kujtimeve që përcillen në familjet tona.”

Sonja Ivanoff mbledh mbi 50 histori të pasardhësve të bullgarëve në Argjentinë

FOTO: Facebook /Soqata Kulturore Bullgare Ivan Vazov

Që në vitet e para të emigrimit në Argjentinë, bullgarët krijuan komunitetet dhe organizatat e tyre, njësoj si komunitetet e tjera të emigrantëve. Por ajo që u mungonte bashkatdhetarëve tanë gjatë viteve të para ishte krijimi i shkollave dhe shërbimeve shëndetësore të tyre. “Shumë prej këtyre burrave, të cilët ishin larguar të vetëm drejt Argjentinës, u martuan me gra që nuk ishin bullgare. Dhe ajo që është interesante është se, pavarësisht kësaj, në çdo shtëpi përgatitej byrek bullgar”, vijon rrëfimin e saj dr. Sonja Ivanoff.

Popullsia e Komodoro Rivadavias aktualisht është rreth 400 mijë banorë, ndërsa komuniteti bullgar përbëhet nga rreth 1 200–1 300 persona. Në të përfshihen të gjithë këta nipër, mbesa, stërnipër dhe stërmbesa të emigrantëve nga Bullgaria, na tregon Sonja Ivanoff.

Sonja Ivanoff mbledh mbi 50 histori të pasardhësve të bullgarëve në Argjentinë

FOTO: Gergana Mançeva

“Është karakteristike se ky është komuniteti më jugor i bullgarëve në të gjithë botën. Bullgarët e parë mbërritën në vitin 1906 dhe u bënë pjesë e historisë së ndërtimit dhe zhvillimit të këtij vendi. Ka të dhëna se shumë prej bullgarëve merreshin me bujqësi dhe blegtori, si dhe kërkonin një vend të përshtatshëm për ndërtimin e një porti. Edhe sot, ne bullgarët jemi një komunitet mjaft aktiv në qytet. Shumica prej nesh kemi arritur sukses në profesione të ndryshme dhe secili prej nesh ka një rol të dukshëm në shoqërinë lokale”, tha gjithashtu dr. Sonja Ivanoff.


Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello