POLITIKË

Artikull

Një dron ra pranë një gazsjellësi kryesor në kufirin mes Bullgarisë dhe Rumanisë

Hënë, 10 Gusht 2026, 10:46

Dimitër Stojanov

Dimitër Stojanov

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Bullgaria ka nevojë për sisteme të reja për zbulimin dhe asgjësimin e dronëve, të cilat duhet të blihen sa më shpejt. Këtë e deklaroi ministri bullgar i mbrojtjes, Dimitër Stojanov, për BNT, pas incidentit të së shtunës, më 8 gusht. Një dron ukrainas i tipit “Maya”, i përdorur si mjet mashtrues për të tërhequr vëmendjen e sistemeve të mbrojtjes, ra pranë fshatit Jovkovo, në komunën e General Toshevos, rreth 100 metra nga kufiri me Rumaninë. Vendi ku ra droni ndodhet shumë pranë një stacioni kompresor rumun dhe rreth 1 kilometër larg stacionit kompresor bullgar të gazsjellësit transballkanik. “Droni ka një konstruksion prej druri dhe pjesa e vetme metalike është motori”, tha ministri i mbrojtjes. Ai shtoi se autoritetet bullgare janë në pritje të një përgjigjeje nga pala ukrainase për të sqaruar nëse droni ishte nisur nga territori i Ukrainës.

Një dron ra pranë një gazsjellësi kryesor në kufirin mes Bullgarisë dhe Rumanisë

FOTO: BTA - Daniella Stojnova

Nuk ka të dhëna se bëhet fjalë për një veprim të qëllimshëm kundër Bullgarisë, deklaroi në Varna shefi i mbrojtjes, admirali Emill Eftimov. Sipas tij, ka gjasa që droni të jetë devijuar nga sistemet e luftës elektronike dhe më pas të ketë marrë një drejtim jashtë rrezes së radarëve.

Pas incidentit, edhe presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, reagoi të dielën në Varna, duke kritikuar mënyrën se si ngjarja po shfrytëzohej për qëllime politike.  “Jam jashtëzakonisht e zhgënjyer nga mënyra se si ky incident po përdoret për qëllime politike mjaft primitive. Për mua, më e rëndësishmja në këtë moment është siguria e qytetarëve bullgarë. Shpresoj që të gjitha institucionet dhe forcat politike të bashkëpunojnë, në mënyrë që të mund ta garantojmë këtë siguri”, tha Jotova.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova