Autor
Joan Kolev
Artikull
Nga ne varet që ta vendosim prodhimin bullgar në hartën kulinare të botës
Hënë 10 Gusht 2026 14:30
Hënë, 10 Gusht 2026, 14:30
FOTO: Facebook /Nikolay Popov
Madhësia e shkronjave
Më 10 gusht shënojmë festën profesionale të kuzhinierit. Profesioni prestigjioz ka ngjallur gjithmonë interes, por gjatë këtij viti ndaj qarqeve kulinare bullgare ka pasur interes të shtuar për shkak të informacioneve mbi vizitat e inspektorëve të shoqatës së njohur “Michelin” në vendin tonë, qëllimi i të cilëve është të vlerësojnë nëse ndonjë nga restorantet e Sofjes mund të përfshihet në guidën e tyre prestigjioze gastronomike. Megjithëse “auditimi” i tyre nuk ka përfunduar zyrtarisht, në hapësirën mediatike janë shfaqur shumë deklarata se asnjë restorant vendas nuk do të përfshihet në udhëzuesin prestigjioz. Bashkëkombësi ynë, Nikollaj Popov, i cili ka jetuar 23 vjet në Itali, ka përvojë dhe njohuri për punën në kuzhinën e një restoranti me yll “Michelin” në kryeqytetin italian. Ai i di gjithashtu kushtet që duhet të plotësojë një restorant për të pasur mundësinë të vizitohet nga të ashtuquajturit vlerësues. Aktualisht, ai është kryekuzhinier në një nga restorantet prestigjioze në qendër të Sofjes.
FOTO: Facebook /Nikolay Popov
“Kriteret që duhet të përmbushë një restorant për t’u vizituar nga inspektorët e ‘Michelin’-it nuk janë aq të shumta. Kryesorja është të ketë shërbim të mirë dhe një qasje të mirë ndaj ushqimit. Gjëja më e rëndësishme është të kemi ushqim të shijshëm dhe të dallueshëm. Më pas, rëndësi kanë madhësia e menusë, lista e verërave dhe shërbimi në përgjithësi. E gjithë kjo është një tërësi që çon drejt një përvoje të mrekullueshme.”
FOTO: Facebook /Nikolay Popov
Sipas bashkëbiseduesit tonë, “Michelin”-i nuk është i zhgënjyer nga Bullgaria:
“Inspektorët e ‘Michelin’-it do të vijnë, por se kur – kjo varet nga ne dhe nga koha që do të na duhet për të korrigjuar mangësitë. Thuhet se këtë vit më tepër nuk do të ketë një vizitë të tillë, por, sipas informacionit tim, këto lloj auditimesh zhvillohen në shtator dhe tetor. Prandaj mendoj se do të ketë një moment në shtator, tetor ose nëntor, kur është e mundur që të vijnë përsëri, por ky është vetëm mendimi im dhe do të shohim nëse vërtet do të ndodhë kështu.”
FOTO: Facebook /Nikolay Popov
Nikollaj Popov vuri në dukje disa nga rekomandimet që tashmë i kemi:
“Ka restorante që kanë lista verërash, siç është rasti me restorantin tonë, pasi Bullgaria ka shumë kantina dhe shumë verëra të mira. Çështja është që t’u kushtojmë atyre më shumë rëndësi, sepse ‘Michelin’ ka për detyrë t’i tregojë botës pasuritë bullgare. Duhet të kuptojmë se nga ne varet që ta vendosim prodhimin bullgar në hartën kulinare të botës. Këtu vjen momenti kur ne duhet të fillojmë të punojmë më me mençuri dhe më seriozisht, sepse një tjetër rekomandim është të përdorim produkte sezonale dhe të ofrojmë menu sezonale. Çdo produkt ka kohën e saktë kur duhet përdorur; për ne është e rëndësishme ta kombinojmë në momentin e duhur, në formën e tij më elegante dhe t’ua ofrojmë klientëve tanë.”
FOTO: Facebook /Nikolay Popov
Disiplina, këmbëngulja dhe përkushtimi janë cilësitë më të rëndësishme që një profesionist zhvillon nëse ka mundësinë të punojë në një restorant të një kategorie të tillë. Ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme edhe për ushtrimin e këtij profesioni aspak të lehtë:
FOTO: Facebook /Nikolay Popov
“Këshilla që mund t’u jap të rinjve është të mos dorëzohen kur të kuptojnë se rruga për t’u bërë një kuzhinier i mirë është mjaft e gjatë dhe e vështirë. Asgjë nuk arrihet lehtë dhe, për ta bërë këtë, duhet të japësh diçka nga vetja, domethënë kërkohen edhe shumë sakrifica.”
FOTO: Facebook /Nikolay Popov
Për të nxitur interesin e të rinjve për profesionin dhe për një qëndrim të përgjegjshëm ndaj ushqimit, Nikollaj Popov ka ndërmarrë një nismë që është një shembull i mirë. Falë anëtarësimit të tij në një shoqatë të njohur franceze të kuzhinierëve për profesionistë deri në moshën 40 vjeç, ai fton në restorantin e tij kuzhinierë, me ndihmën e të cilëve organizon mbrëmje gastronomike të nivelit të lartë, posaçërisht për të rinjtë:
FOTO: Facebook /Nikolay Popov
“Krijojmë menu që e zgjasin darkën, ndoshta deri në dy ose tre orë, por i ofrojmë me çmime më të përballueshme, në mënyrë që të rinjtë të edukohen më mirë nga pikëpamja kulinare. Pas mbrëmjes së parë, një ose dy djem shprehën dëshirën për t’u përfshirë në organizimin e një mbrëmjeje të tillë të radhës. Ata janë kuzhinierë dhe pranuan të punojnë pa pagesë, thjesht për të pasuruar njohuritë e tyre dhe ‘bibliotekën’ e shijeve. Ata nuk krijuan pjatat e tyre, por treguan disiplinë dhe dëshirë për të punuar” – thotë me krenari Nikollaj Popov.
FOTO: Facebook /Nikolay Popov
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski