Artikull
Nuk ka viktima apo të lënduar nga shpërthimi në një fabrikë ushtarake
Hënë 10 Gusht 2026 13:49
Hënë, 10 Gusht 2026, 13:49
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Pak para orës 11:00 të 10 gushtit, gjatë furnizimit me karburant, një kamion mori flakë në oborrin e një fabrike ushtarake në fshatin Belica, pranë qytetit Trjavna. Shpërthimi ka ndodhur si pasojë e një incidenti aksidental dhe jo të ndonjë sabotimi, tha pronari i fabrikës për programin “Horizont” të Radios Kombëtare Bullgare (BNR).
Si pasojë e zjarrit, flakët përfshinë edhe një nga depot ku ruheshin municione brenda territorit të fabrikës. Nuk ka të dhëna për persona të lënduar apo viktima. Rreth 300 persona u evakuuan, bëri të ditur guvernatorja e qarkut të Gabrovës, Kristina Sidorova.
Për arsye sigurie, po evakuohen gjithashtu banorët e zonave që ndodhen pranë fabrikës. Këtë e deklaroi ministri i brendshëm, Ivan Demerxhiev, në Plovdiv, sipas Agjencisë Telegrafike Bullgare (BTA).
Në vendngjarje ndodhen ekipe të zjarrfikësve dhe policisë. Pritet të përcaktohet nëse ka pasur ndotje të ajrit për shkak të reve të tymit.
Banorëve të Trjavnës dhe fshatrave përreth u është rekomanduar të mbajnë dritaret të mbyllura, të përdorin maska mbrojtëse dhe të shmangin daljet në ambiente të hapura.
Fabrika në fshatin Belica është pjesë e kompanisë së industrisë së armatimeve dhe makinerive EMKO, në pronësi të biznesmenit Emilian Gebrev. Sipas raportimeve, katër shpërthime të ndodhura gjatë 10 viteve të fundit në fabrika të industrisë së armatimeve në Bullgari janë lidhur me kompaninë EMKO. Në prill të vitit 2021, prokurori i atëhershëm i përgjithshëm i Bullgarisë, Ivan Geshev, deklaroi se në vitin 2015 agjentë rusë kishin tentuar të helmonin biznesmenin Emilian Gebrev dhe djalin e tij.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova