Artikull
Ekspozitë në Institutin Goethe në Sofje:
Nga kujtesa familjare tek identiteti personal
Dy bullgare marrin pjesë në ekspozitë me idenë e komunikimit përmes fotografisë
Enjte 13 Gusht 2026 05:55
Enjte, 13 Gusht 2026, 05:55
FOTO: goethe.de
Madhësia e shkronjave
Si mund të përdoret fotografia si mjet komunikimi ose si një bisedë filozofike mbi arsyet që formësojnë identitetin e secilit prej nesh? Kjo është tema me të cilën dy artiste bullgare e përfaqësojnë vendin në ekspozitën fotografike "Rimendimi i familjes: këndvështrime feministe përmes objektivit", organizuar nga Instituti Goethe.
Ekspozita, e cila u hap më 25 qershor në godinën e Institutit Goethe në Sofje, sjell së bashku 9 autore nga India, Gjermania, Hungaria dhe Bullgaria: Agnes Bihari, Anabelle Moghadam, Arti Duraisami, Betül Aydın, Bllagovesta Semkova, Gabriella Vincze-Bàba, Divya Ravishankar, Sina Niemeyer dhe Helia Jafarzadeh.
Ato e trajtojnë familjen jo si një strukturë ku secili zgjedh rolin e vet, por si një hapësirë të formuar nga pushteti, kujtesa brezash dhe përkatësia kulturore, ku modelet e perceptimit transmetohen nga një brez te tjetri.
Kallina Brailsford
FOTO: arkivi personal i Kallina Brailsford
"Shpesh kërkojmë një këndvështrim bardh e zi dhe e përcaktojmë një gjë si të drejtë, ndërsa një tjetër si të gabuar", thotë kuratorja e ekspozitës, Kallina Brailsford, dhe shton:
"Familja është një territor i dashurisë dhe i afërsisë, por gjithashtu është edhe vendi ku ne vetëpërcaktohemi dhe përdorim modele sjelljeje e kuptime për jetën të mësuara më herët. Pikërisht këto dy aspekte i paraqesim si një tension në këtë ekspozitë, sepse ato ekzistojnë njëkohësisht. Nga ana tjetër, fotografia është një faktor i rëndësishëm në përforcimin e roleve të ndara gjinore, ndërsa në këtë ekspozitë ne e përdorim atë si një instrument për të krijuar një këndvështrim të ri mbi tema për të cilat vetë fotografia ka qenë një faktor i rëndësishëm që ato të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të riprodhohen."
Problemet me të cilat përballen gratë përcaktohen nga konteksti kulturor në të cilin ato formësohen, "por ka edhe të tilla që përsëriten kudo në botë. Megjithatë, ato shfaqen në shkallë të ndryshme dhe zhvillohen në mënyra të ndryshme në ndërveprim me kulturën përkatëse", shpjegon Kallina Brailsford:
FOTO: İnsagram/ goetheinstitut_chennai
"Për shembull, njëra nga dy gratë nga India trajton temën e presionit mbi gruan dhe trupin e saj, të lidhur me pritshmëritë për fëmijë dhe familje. Në kulturën e tyre, lulja është simbol i pjekurisë femërore dhe ekzistojnë rituale të veçanta që lidhen me përgatitjen për martesë dhe amësi. Interesante është se, nëse një grua nuk përshtatet me normat që përcaktojnë ngjarjet në jetën e saj, ajo përballet me gjykim të ashpër nga shoqëria dhe familja.
Autorja tjetër indiane e shqyrton identitetin përmes flokëve, një simbol i feminitetit, por edhe një mesazh për të tjerët, sepse në rrethana të caktuara kërkohet që flokët të jenë të lëshuar ose të lidhur, ndërsa prerja e tyre perceptohet si një formë radikale rezistence ndaj pritshmërive të shoqërisë. Kjo është një temë që ekziston edhe në kultura të tjera, por shfaqet në mënyra të ndryshme."
Kallina Brailsford thekson se disa nga instalacionet në ekspozitë trajtojnë çështjen e simbiozës mes kulturave, një fenomen që vërehet gjithnjë e më shpesh në botën e sotme të globalizuar, dhe shpjegon:
FOTO: Facebook/ Betul Aydın
"Kjo vihet re shumë qartë në temat që trajtojnë gratë nga Gjermania, sepse migracioni është një dukuri shumë e pranishme atje. Njëra prej tyre është me origjinë turke dhe tregon se si ka arritur të bashkojë kulturën e vendit ku jeton me kulturën e trashëgimisë së saj familjare."
Temat e ekspozitës i shqyrtojnë këto çështje nga këndvështrime të ndryshme, por ndoshta ndër veprat që nxisin më shumë reflektim janë ato të artisteve bullgare. Përmes projekteve të tyre ato paraqesin mundësinë e përdorimit të fotografisë si një mjet për të arritur te bota e brendshme e fëmijës tënd. Po ashtu, ato u drejtojnë vizitorëve pyetje filozofike, si kjo: çfarë e përcakton identitetin tonë, zgjedhja personale, mjedisi kulturor apo gjenet me të cilat vijmë në këtë botë?
"Njëra nga autoret bullgare trajton përvojën e të qenit nënë e katër fëmijëve", thotë Brailsford dhe vazhdon:
FOTO: Facebook/ Blagovesta Semkova
"Kjo barrë bie mbi të, ndërsa njëri prej fëmijëve të saj është neurodivergjent në spektrin e autizmit. Kjo kërkon një lidhje të veçantë dhe kujdes edhe më specifik. Projekti i saj fotografik është jashtëzakonisht interesant dhe shqyrton mënyrën se si ajo, si nënë, e përdor fotografinë për t'u lidhur me fëmijën e saj. Artistja tjetër ka lindur në Bullgari, por babai i saj është me origjinë iraniane. Ajo vizitoi Iranin për herë të parë dhe zbuloi se gjithçka që kishte dëgjuar, lexuar apo përfytyruar ishte krejtësisht ndryshe nga përvoja e drejtpërdrejtë që pati gjatë takimit me të afërmit e saj atje."
Ekspozita u hap më 25 qershor në galerinë e Institutit Goethe në Sofje dhe do të jetë e hapur për vizitorët deri në fund të muajit gusht.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva