TURIZËM

Artikull

Në Burgas ftojnë qytetarët për ditëlindjen e 46-të të Liqenit Atanasovsko

Martë, 11 Gusht 2026, 04:45

Në Burgas ftojnë qytetarët  për ditëlindjen e 46-të të Liqenit Atanasovsko

FOTO: burgas.bg

Madhësia e shkronjave

Më 12 gusht, Liqeni Atanasovsko do të shënojë 46-vjetorin e tij. Pikërisht në këtë datë, në vitin 1980, pjesa veriore e liqenit u shpall rezervat natyror i mirëmbajtur, një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e një prej zonave të lagështa më të çmuara në Bullgari.

Sot, Liqeni Atanasovsko është një shembull i bashkëjetesës së suksesshme mes njeriut dhe natyrës. Pjesa veriore e tij është rezervat natyror i mirëmbajtur, ndërsa pjesa jugore është zonë e mbrojtur. Përveçse strehë për qindra lloje shpendësh, liqeni është edhe vend për prodhimin tradicional të kripës, turizëm të qëndrueshëm, sport, edukim dhe aktivitete në natyrë. 

Këtë vit, Fondacioni Bullgar për Biodiversitetin dhe Inspektorati Rajonal për Mjedisin dhe Ujërat në Burgas organizojnë një tur me biçikleta me rastin e festës. Ai do t’i çojë pjesëmarrësit në disa prej vendeve emblematike të qytetit dhe deri te Liqeni Atanasovsko. Rruga nis në orën 17:00 nga Shtëpia e Rojtarit të Farit në Portin Detar, kalon pranë Shtëpisë së Georgi Duhtevit në Kopshtin Detar dhe përfundon te Streha për Vëzhgimin e Shpendëve, ku do të mbahet një festë me tortë, njoftojnë nga Bashkia e Burgasit.

Në Burgas ftojnë qytetarët  për ditëlindjen e 46-të të Liqenit Atanasovsko

FOTO: burgas.bg

Në godinën e observatorit, e cila ndodhet në shtëpinë e Georgi Duhtevit, specialistët e Institutit Kombëtar të Meteorologjisë dhe Hidrologjisë do të tregojnë se si mblidhen dhe përpunohen të dhënat meteorologjike, si dhe si përgatiten parashikimet e përditshme të motit dhe të gjendjes së detit.

Në orën 17:30, para Shtëpisë së Georgi Duhtevit në Kopshtin Detar, është parashikuar një pikë e dytë grumbullimi për çiklistët që do t’i bashkohen turit më vonë.

Programi përfshin gjithashtu vëzhgim të shpendëve te Streha e Vëzhgimit, si dhe shëtitje dhe lojëra të tjera.


Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva