KULTURË

Artikull

Art që zë vend në pëllëmbë

Monumentet intime të Nadja Rozevës

Ekspozitë me medalje artistike në Institutin Kulturor Bullgar në Paris

Mërkurë, 12 Gusht 2026, 07:00

Nadja Rozeva

Nadja Rozeva

FOTO: Daniell Nençev

Madhësia e shkronjave

Ku kryqëzohen monumentalja dhe intimja dhe sa e madhe mund të jetë një botë artistike e përmbledhur në një objekt që zë vend në dorën e njeriut? Këto pyetje ngre ekspozita “Monumentet intime” e artistes bullgare Nadja Rozeva në galerinë e Institutit Kulturor Bullgar në Paris.

Ajo bashkon vepra të krijuara gjatë 20 viteve të fundit dhe prezanton një zhanër relativisht rrallë të ekspozuar – medaljen artistike bashkëkohore.

Ndryshe nga medaljet përkujtimore, sportive ose ideologjike të prodhuara në tirazh masiv, medalja artistike është një vepër plastike e pavarur. Ajo nuk shënon thjesht një ngjarje ose një personalitet, por krijon imazh, rrëfim dhe hapësirë për përjetim personal.

Monumentet intime të Nadja Rozevës

FOTO: Daniell Nençev

“Pika e kryqëzimit është në atë se sa mund të thuash dhe të përmbledhësh në një hapësirë shumë të vogël, por ta bësh në mënyrë të tillë që ajo të ketë kuptim kur shikuesi e vështron ose e mban në duar. Edhe pesha e medaljes ndikon në mënyrën e perceptimit të imazhit”, thotë Nadja Rozeva.

Pikërisht kontakti fizik është një nga veçoritë e këtij lloji arti. Medalja mund të shikohet nga të dyja anët, mund të preket, të kthehet dhe të ndjehet përmes peshës, relievit, madje edhe temperaturës së saj. Sipas përkufizimeve bashkëkohore të pranuara, madhësia e saj zakonisht është deri në 15 centimetra, në mënyrë që objekti të mund të mbahet lehtësisht në dorën e një personi të rritur.

Monumentet intime të Nadja Rozevës

FOTO: Daniell Nençev

“Mjafton që medalja të qëndrojë mirë në dorë dhe të tregojë një histori, nuk ka kufizime për materialin”, shpjegon artistja.

Rozeva punon me një metodë tradicionale, rrënjët e së cilës të çojnë në Rilindje – fillimisht krijon një model, i cili më pas derdhet në metal. Një pjesë e madhe e veprave të paraqitura janë derdhur në rërë. Ky proces lë mbi metal gjurmë të holla të kontaktit me materialin e derdhjes dhe e shndërron sipërfaqen në pjesë të rrëfimit artistik.

Monumentet intime të Nadja Rozevës

FOTO: Daniell Nençev

Çdo medalje e veçantë përpunohet dhe patinohet me dorë nga vetë autorja. Prandaj, edhe veprat e së njëjtës seri të vogël kanë veçoritë e tyre individuale. Në medaljen artistike, një tirazh deri në 15 ekzemplarë konsiderohet botim origjinal i autores.

“Gjithmonë eksperimentoj me patinat dhe çdo patinë është e ndryshme nga e mëparshmja”, tregon Rozeva.

Monumentet intime të Nadja Rozevës

FOTO: Daniell Nençev

Në ekspozitë mund të shihen vepra me tema të larmishme – nga brutalizmi ballkanik dhe mjedisi arkitekturor i Shkupit deri te natyra, fuqia femërore dhe imazhet e përjetshme biblike. Artistja ndërthur rrëfime të lashta me referenca bashkëkohore, ndonjëherë edhe me një ndjenjë humori: “Njerëzit janë dashuruar në lashtësi, njerëzit dashurohen edhe tani. Adami dhe Eva tashmë janë bërë Madam dhe Eva”.

Monumentet intime të Nadja Rozevës

FOTO: Daniell Nençev

Nadja Rozeva ka studiuar në Shtetet e Bashkuara, Gjermani dhe Austri, si dhe në Akademinë Kombëtare të Arteve në Sofje, te prof. Bogomill Nikollov. Veprat e saj janë pjesë e koleksioneve të Muzeut Britanik në Londër, Kabinetit Mbretëror të Monedhave në Stokholm, Galerisë Kombëtare të Arteve në Sofje, muzeut në Bergen dhe Muzeut të Monedhave dhe Medaljeve në Kremnicë. Ajo është gjithashtu autore e statujëzës “Trëndafili i Artë” për festivalin e filmit artistik bullgar.

Sot artistja jeton në Paris dhe bashkëpunon me Monedharen e Parisit. Si demonstruese e teknikave të medaljeve, ajo u prezanton vizitorëve të muzeut të saj mënyrën e punës dhe njohuritë tradicionale, mbi të cilat ndërton veprat e saj.

Monumentet intime të Nadja Rozevës

FOTO: Daniell Nençev

Ekspozita në Institutin Kulturor Bullgar u hap me një prezantim nga dr. Beatrice Kularé – përgjegjëse për koleksionet dhe konservimin në muzeun e Monedhares së Parisit dhe një nga specialistet e njohura franceze në fushën e medaljes artistike. Sipas fjalëve të Rozevës, Kularé vë në pah poetikën dhe mjeshtërinë e realizimit të veprave, si dhe mënyrën se si artistja e nxjerr medaljen përtej kufijve tradicionalë të zhanrit.

Monumentet intime të Nadja Rozevës

FOTO: Daniell Nençev

“Monumentet intime” tregon se si një formë plastike në dukje e vogël mund të mbartë forcë monumentale – jo përmes përmasave të saj, por përmes përqendrimit të imazheve, kujtesës, materialit dhe përjetimit personal.

Monumentet intime të Nadja Rozevës

FOTO: Daniell Nençev

Ekspozita mund të vizitohet deri në fund të gushtit 2026.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski