SPORT

Artikull

Medalje e parë për Bullgarinë në Kampionatin Evropian në Birmingham

Mërkurë, 12 Gusht 2026, 09:06

Medalje e parë për Bullgarinë në Kampionatin Evropian në Birmingham

FOTO: Ministria e Rinisë dhe Sportit

Madhësia e shkronjave

Bozhidar Sarëbojukov fitoi medaljen e bronztë në kërcimin së gjati në Kampionatin Evropian të atletikës në Birmingham. Kështu, ai i solli Bullgarisë medaljen e parë pas 8 vitesh nga një kampionat kontinental në ambient të hapur. 

22-vjeçari bullgar u rendit i treti me rezultatin 8.26 metra, të arritur në përpjekjen e tij të gjashtë dhe të fundit, pavarësisht një ere të kundërt prej 1.7 metrash në sekondë. 

Sarëbojukov realizoi edhe katër kërcime të tjera mbi 8 metra. Kjo ishte medalja e tij e dytë në një garë të madhe gjatë vitit 2026, pas bronzit në Kampionatin Botëror në sallë të zhvilluar në Torun. Në vitin 2025, ai u shpall kampion evropian në sallë në Apeldoorn. 

Për herë të fundit Bullgaria kishte fituar medalje në një Kampionat Evropian në ambient të hapur në vitin 2018, kur Mirella Demireva fitoi medaljen e argjendtë në kërcimin së larti në Berlin. 

Gara në Birmingham u zhvillua në kushte të vështira për shkak të erës së fortë të kundërt, e cila herë pas here arrinte rreth 3 metra në sekondë. Më i suksesshmi ishte Miltiadis Tentoglou nga Greqia, i cili fitoi titullin e katërt evropian radhazi. Medalja e argjendtë shkoi për zviceranin Simon Ehammer me rezultat 8.29 metra.

 

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva