Autor
Diana Cankova
Artikull
Penka Kasabova – dallëndyshja e bardhë e arsimit parashkollor bullgar
Edhe pse të ndarë, Penka Kasabova dhe basi Boris Hristov mbetën të lidhur shpirtërisht deri në çastin e fundit
Mërkurë 12 Gusht 2026 18:10
Mërkurë, 12 Gusht 2026, 18:10
Rajna Zaharieva
FOTO: Diana Cankova
Madhësia e shkronjave
Në fillim të shekullit të kaluar, një baba, i magjepsur nga kopshti i fëmijëve që kishte parë në rrugën “Sollunska” të kryeqytetit, i premton vetes se do të verifikojë nëse aty përgatiten edhe mësuese. Më pas, përpara vajzës së tij tashmë të rritur, ai shqipton fjalët: “Kjo vepër është e dobishme dhe herët a vonë do të zhvillohet. Të shohim nëse Pesha do të jetë ajo që do ta çojë përpara!”. Vajza, e cila sapo kishte marrë diplomën e gjimnazit dhe ëndërronte të bëhej astronome, e përjeton atë që dëgjoi si një mesazh, të cilin e ushqen me dashuri dhe përkushtim në zemrën e saj të hapur ndaj shërbimit.
Foto familjare e Milljo Kasabov
FOTO: geomilev.com
Penka Kasabova lind në vitin 1901, më 12 gusht, në Stara Zagora, në familjen e madhe të mësuesit dhe librashitësit Milljo Kasabov, ndërsa një nga vëllezërit e saj është poeti Geo Milev. Dy vjet pas fjalëve profetike të babait të saj, Pesha, siç e thërrisnin përkëdhelshëm, tashmë kishte përfunduar kursin pedagogjik të Elizabeth Clark pranë Kopshtit Amerikan të Fëmijëve në Sofje.
“Elizabeth Clark sheh tek ajo një krijuese të ardhshme, sepse është artistike dhe e përgjegjshme – thotë docentja Rajna Zaharieva, doktor në psikologji pedagogjike, pedagoge shumëvjeçare në Universitetin e Sofjes dhe mike e saj. – Në vitin 1928, mësuesja e çon nxënësen në universitetin e saj në Çikago, për të studiuar për tre vjet. Penka Kasabova kthehet e përgatitur dhe, duke u shndërruar në ‘dallëndyshen e bardhë’ të arsimit parashkollor, arrin të nxjerrë në pah individualitetin e çdo fëmije – diçka që as sistemi ynë bashkëkohor arsimor nuk e ka arritur.”
FOTO: Libri i Rajna Zaharieva "Bio-bibliografi Penka Mileva Kasabova"
Në vitin 1932, Penka Kasabova bëhet pasardhëse e Elizabeth Clark dhe, si drejtuese e kopshtit të fëmijëve dhe e institutit pedagogjik që funksiononte pranë tij, trajnon qindra mësuese, të cilat e pranojnë profesionin si misionin e tyre. Ajo punon edhe për ndryshimin e qëndrimit të mësuesve dhe prindërve ndaj fëmijëve, si dhe të politikës qeveritare në këtë fushë. Hap gjithashtu kopshte fëmijësh në të gjithë vendin, ndër to edhe kopshte verore në fshatra – aty, ndërsa nënat korrin të mbjellat, fëmijët mësojnë të hanë me takëm dhe mbi mbulesë tavoline, mësojnë përmendësh poezi dhe këngë. Në revistën e saj “Hapat e parë”, ajo krijon rubrika për të gjithë pjesëmarrësit në edukimin parashkollor, ndërsa një faqe e pambushur bëhet shkak që mbesa e saj Leda Mileva të shkruajë poezinë e saj të famshme “Lepurushi i bardhë”, me të cilën më pas rriten të gjithë fëmijët bullgarë.
FOTO: Libri i Rajna Zaharieva "Bio-bibliografi Penka Mileva Kasabova"
“Penka Kasabova përdorte metodën e projekteve – shton Rajna Zaharieva. – Për shembull, për tre muaj mësueset kanë punuar me temën ‘Zjarrfikësja’ dhe ajo i çonte të gjithë në institucion, për të parë se si punohet atje, sa njerëz ka, çfarë ndodh. Dhe gjithçka që një fëmijë duhej të dinte për gjuhën bullgare, matematikën, botën përreth, e mësonte në kuadër të këtij projekti, përfshirë edhe këngët, vizatimin dhe vallet. Pra, ajo e kombinonte të gjithë dijen ashtu siç është në jetë dhe ua jepte fëmijëve. Në fund kishte një koncert përpara prindërve.”
Gruaja e parë bullgare me diplomë në arsimin parashkollor zbaton njohuritë dhe aftësitë e mësuara përtej Oqeanit, por të përshtatura me kushtet tona, dhe e shndërron në motiv udhëheqës bindjen se është më mirë të korrigjohen hapat e parë të fëmijës, sesa rrugët e shtrembëra të të rriturit. Më vonë ajo do të rrëfejë se puna me fëmijët për të ishte një shërbesë ndaj Zotit.
Penka Kasabova do të mbetet në histori edhe për një fakt tjetër – ajo ishte ndër të parat që zbuloi talentin e jashtëzakonshëm të këngëtarit të operës Boris Hristov, duke inkurajuar me dashuri dhe besim rritjen e tij. Të dy njihen në një takim me korin “Gusla”, ku ajo kishte çuar vajza nga kursi i saj përgatitor për mësuese.
Boris Hristov dhe Penka Kasabova
FOTO: geomilev.com
“Takimi është i mrekullueshëm, por Penka është trembëdhjetë vjet më e madhe se ai – tregon Rajna Zaharieva. – Borisi është i ri, bohem, pi alkool dhe pi duhan. Mbreti zbulon talentin e tij dhe ai shkon të studiojë në Itali. Ajo nuk pushon së mbajturi lidhje me të – në fillim i dërgon duhan, por më pas i thotë se nuk duhet të pijë duhan dhe alkool. I thotë: ‘Kur të shoh emrin tënd në një afishe, që merr pjesë në ndonjë opera, atëherë do të martohemi!’. Ajo e do, por vendos kushte për të nxjerrë më të mirën prej tij. Dhe me të vërtetë e sheh emrin e tij në poster.”
Ndërkohë, komunistët vijnë në pushtet dhe një “mik” – informator i shërbimeve sekrete, të cilit ata i besojnë – luan një rol të madh që Boris Hristov të marrë ndalimin për t’u kthyer në atdhe dhe që Penka Kasabova ta vizitojë. Alternativa për të është të informojë “Sigurimin e Shtetit” për bullgarët në Itali, por ajo refuzon.
“Penka Kasabova ka fustanin e nusërisë, unazën dhe niset me valixhe për në Itali, por i thonë: ‘Lëre vëllanë tënd të vijë të marrë pasaportën tënde, ndërsa ti shko në aeroport’ – rikrijon atë që ka dëgjuar drejtpërdrejt Rajna Zaharieva. – Dhe ajo niset. Por kur vëllai i saj mbërrin, nuk e sjell pasaportën. Atëherë Penka sheh një të ri duke hipur në avion dhe i thotë se në Romë do të takojë një zotëri, të cilit duhet t’i përcjellë se ajo nuk do të mbërrijë.”
Më vonë, kur i lejojnë këngëtarit të operës, tashmë të martuar me Franka de Renzis, të kthehet në vendin e tij të lindjes, miqtë organizojnë takime mes të dyve. Ata shkëmbejnë rreth 180 letra, në të cilat diskutojnë, ndër të tjera, karakteristikat psikologjike të personazheve operistike dhe, me udhëzimet e saj, Penka Kasabova kontribuon në praninë e tij autentike në skenë. Në takimin e tyre të fundit – në ceremoninë mortore në kishën “Shën Aleksandër Nevski”, ajo sigurohet se i dashuri i saj do të largohet nga kjo botë me kryqin që dikur ia kishte dhuruar.
FOTO: Libri i Rajna Zaharieva "Bio-bibliografi Penka Mileva Kasabova"
Në vitin 1948, Penka Kasabova pushohet nga puna në Ministrinë e Arsimit, ku mbante postin e inspektores së përgjithshme të edukimit parashkollor, sepse refuzon të zbatojë detyrën e urdhëruar nga Georgi Dimitrovi për të futur “metodën sovjetike” në kopshtet e fëmijëve. Ajo është kategorike se nuk dëshiron që milicet të edukojnë fëmijët, prandaj mbetet pa punë, shpallet spiune dhe vendoset që të dëbohet nga kryeqyteti. Atëherë nëna e saj shkon te udhëheqësi komunist me një pyetje të vetme: “Ju vratë njërin nga fëmijët e mi (Geo Milev), përse po prekni edhe tjetrin?”. Në fund, e bija lihet në Sofje, por pa leje për të punuar.
Penka Kasabova na lë një vit para se të mbushte njëqind vjeç. Deri në frymën e fundit ruan qëndrimin e saj dinjitoz dhe, megjithëse mbetet besnike ndaj dashurisë së saj të vetme – e cila përfundoi tragjikisht –, nuk ndihet e vetmuar, sepse e vizitojnë nxënëset e saj, miqtë, nipërit e mbesat, të shpërndarë në të gjithë botën. E besuara e saj, Rajna Zaharieva, e cila ishte caktuar nga Penka Kasabova sa ishte gjallë për të mbajtur fjalimin e varrimit, do të ruajë në zemrën e saj një të vërtetë të përjetshme:
Harta e shkollave të hapura nga Penka Kasabova
FOTO: Diana Cankova
“Ajo thoshte se dashuria i lidh njerëzit me një fije të padukshme dhe kur ti dashuron pa kushte, ndihmon, sepse përballë vetes ke një njeri dhe kjo është njerëzore. E kafshëve është të hash, të rrëmbesh, të sulmosh, të mbijetosh. Jeta e saj nuk ishte të mbijetonte, ajo ecte lart, drejt majave. Zhvillim, respekt për veten, dinjitet – me këto do ta kujtoj.”
Njëqind e njëzet e pesë vjet pas lindjes së Penka Kasabovës, në qytetin e saj të lindjes madje nuk ka as një rrugë me emrin e saj. Në Bashkinë e Stara Zagorës ende po vlerësojnë nëse katër dekada, të kushtuara edukimit të fëmijëve në të gjithë vendin, e meritojnë këtë gjest bujar.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski