SHOQËRI

Artikull

Dyert hapen: Metroja e Sofjes zgjerohet me tre stacione të reja

Enjte, 13 Gusht 2026, 14:11

Dyert hapen: Metroja e Sofjes zgjerohet me tre stacione të reja

FOTO: Bashkia e Kryeqytetit

Madhësia e shkronjave

Nga 14 gushti, harta e metrosë së kryeqytetit bullgar zgjerohet me tre kilometra dhe tre stacione të reja: “Stadiumi Georgi Asparuhov”, “Vitinja” dhe “Gjeneral Vlladimir Vazov”. Falë këtij zgjerimi, banorët e lagjeve verilindore të Sofjes do të mund të arrijnë në rreth 12 minuta në zemër të qytetit, te Pallati Kombëtar i Kulturës (NDK). Pritet që rreth 45 000 pasagjerë në ditë të përdorin segmentin e ri të metrosë. Përveç përmirësimit të lidhjeve në transportin publik, zgjerimi i hekurudhës nëntokësore synon të kontribuojë edhe në rritjen e sigurisë rrugore në kryeqytet.  

Dyert hapen: Metroja e Sofjes zgjerohet me tre stacione të reja

FOTO: BTA

"Me vënien në funksion të segmentit të ri, rezultati i punës shumëvjeçare tashmë është realitet. Mijëra banorë të këtyre lagjeve do të kenë në dispozicion një transport më të shpejtë, më të rehatshëm dhe më ekologjik drejt pjesëve të ndryshme të Sofjes. Për ne, ky është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e metrosë së kryeqytetit dhe në përmirësimin e lidhshmërisë së transportit në qytet", shkroi drejtori ekzekutiv i kompanisë “Metropoliten” EAD, Nikollaj Najdenov, në profilin e metrosë së Sofjes në Facebook.

Nikollaj Najdenov

Nikollaj Najdenov

FOTO: BGNES

Zgjerimi i metrosë është një prioritet strategjik për Bashkinë e Sofjes, ndërsa segmenti i ri është pjesë e një projekti më të gjerë. Në vitin 2027 pritet të vihen në funksion edhe gjashtë stacione të tjera në drejtim të lagjeve “Geo Milev” dhe “Mlladost”, si edhe një stacion në lagjen “Obelja”.

Treni i parë i metrosë në kryeqytetin bullgar u nis para 28 vitesh dhe operonte vetëm ndërmjet 8 stacioneve në një linjë prej 6,4 kilometrash. Që nga viti 1998 e deri më sot, hekurudha nëntokësore ka zgjeruar rrjetin e saj në 52 kilometra, duke u shndërruar në mjetin më të preferuar të transportit në Sofje.

Pas përfundimit të stacioneve të reja, rrjeti i metrosë do të arrijë në 61 kilometra, ndërsa përmes 57 stacioneve të saj pritet të kalojnë rreth 650 mijë pasagjerë në ditë.

Dyert hapen: Metroja e Sofjes zgjerohet me tre stacione të reja

FOTO: Facebook /Metroja e Sofjes

 “Dyert hapen” 

Projektet e para për ndërtimin e metrosë në kryeqytetin bullgar u hartuan që në fund të viteve 1960, por ndërtimi real nisi vetëm në fund të viteve 1970. Punimet u zvarritën dhe u zhvilluan me ndërprerje: herë përparonin, herë ndaleshin. Banorët e Sofjes ishin skeptikë dhe shpesh bënin shaka me projektin dhe të ardhmen e tij.

Megjithatë, segmenti i parë i metrosë u bë realitet. Dy vjet para përfundimit të shekullit XX, treni nëntokësor lidhi sheshin “Sveta Nedelja” (“Shën e Diela”) në qendër të qytetit me lagjen “Ljulin”. Kalimi përmes qytetit dhe lidhja diagonale e lagjeve “Obelja” dhe “Mlladost 1” u realizua në vitin 2009.

“Qytetarët do ta kuptojnë domethënien e metrosë kur ajo të funksionojë si një sistem i plotë, jo vetëm si një diametër i vetëm metroje”, shpjegonte në atë kohë arkitekti Petër Dikov, i cili në vitin 2006 mori detyrën e Kryearkitektit të Sofjes dhe u bë anëtar i bordit të Metropoliten EAD.

Sot ai është kryetar i Bashkimit të Arkitektëve në Bullgari dhe kujton se si harta e metrosë së Sofjes ka ndryshuar me shpejtësi gjatë 20 viteve të fundit, duke arritur sot në katër linja metroje.

Arkitekti Petër Dikov

Arkitekti Petër Dikov

FOTO: BTA

“Pas vitit 2006 nisi në fakt zhvillimi i madh i metrosë së Sofjes. Në shtator të vitit 2009 u vu në funksion segmenti nga ‘Sveta Nedelja’ deri te stacioni i metrosë ‘Mlladost’, segmenti i parë i ndërtuar pas pjesës së trashëguar nga fundi i shekullit të kaluar. Pikërisht atëherë filloi zgjerimi më i vrullshëm, fillimisht në drejtim të aeroportit përmes lagjes ‘Druzhba’. Ndërkohë nisi edhe puna për diametrin e dytë të metrosë.”

Gradualisht, qytetarët filluan të ndiejnë avantazhet e lëvizjes me metro: shpejtësinë dhe parashikueshmërinë e udhëtimit, të pavarura nga kushtet klimatike. Megjithatë, nuk munguan as kundërshtimet ndaj disa projekteve për zgjerimin e metrosë, gjë që çoi në rishqyrtimin dhe ndryshimin e traseve të planifikuara. Sipas arkitektit Dikov, shpesh këto ndryshime rezultuan më ekonomike dhe më të dobishme për qytetin. Pikërisht kështu ndodhi edhe me diametrin e tretë të metrosë, i cili po ndërtohet aktualisht.

Dyert hapen: Metroja e Sofjes zgjerohet me tre stacione të reja

FOTO: BTA

“Projekti fillestar ishte hartuar nga Metroja e Pragës. Dua të theksoj qartë se projekti i parë i Diametrit të Tretë të Metrosë ishte parashikuar në Planin e Përgjithshëm Urbanistik të Sofjes të vitit 2006, përgjatë bulevardit ‘Car Boris i Tretë’, si një metro e lehtë mbi tokë. Më pas, pranë spitalit ‘Pirogov’, linja zhytej nën tokë dhe më tej, përgjatë ‘Botevgradsko Shose’, vazhdonte sërish si metro e lehtë në sipërfaqe”, kujton arkitekti Dikov.

Ky projekt, që parashikonte kombinimin e segmenteve nëntokësore dhe mbitokësore të metrosë, nuk u realizua për shkak të protestave të organizatës qytetare “Shpëtoni Metronë”. Kundërshtimi i tyre i shtyu projektuesit të rimendonin qasjen dhe t’i jepnin një drejtim krejtësisht të ri projektit, duke ndryshuar tërësisht trasenë e planifikuar. Kjo bëri të domosdoshëm edhe ndryshimin e planit urbanistik të qytetit:

“Atëherë vendosëm që me dy degët e metrosë, atë lindore dhe atë perëndimore, të lidhnim lagjen ‘Ovça Kupell’, e cila në atë kohë ishte lagjja më e pafavorizuar. Dega tjetër u planifikua përgjatë bulevardit ‘Vlladimir Vazov’, ku ka shumë komplekse banimi me densitet të lartë popullsie dhe nevojë për një sistem më të mirë transporti. Më pas e vazhduam trasenë përgjatë bulevardit ‘Vlladimir Vazov’ dhe krijuam lidhjen me stadiumin ‘Gerena’, sepse çdo stadium ka nevojë për një lidhje të mirë transporti.”

Dyert hapen: Metroja e Sofjes zgjerohet me tre stacione të reja

FOTO: Bashkia e Kryeqytetit

Falë financimit evropian, ritmi i ndërtimit të metrosë u përshpejtua trefish. Sipas të dhënave të Bashkisë së Sofjes dhe Portalit të Prokurimeve Publike, diametri i dytë i metrosë u realizua me fonde evropiane në kuadër të Programit Operativ “Transporti”, me një financim që tejkalon 500 milionë euro.

Diametri i tretë i metrosë mori financim në dy faza: 185 milionë euro për segmentin qendror dhe 68 milionë euro të tjera si grant pa kthim për fazën e dytë të ndërtimit. 

Stacioni "Stadiumi Georgi Asparuhov"

Stacioni "Stadiumi Georgi Asparuhov"

FOTO: Bashkia e Kryeqytetit

Në total, mbështetja e Bashkimit Evropian për linjën e tretë të metrosë arrin në mbi 350-400 milionë euro, duke përfshirë furnizimin me trenat e metrosë dhe zgjerimet e mëtejshme të rrjetit.

Ndërtimi i stacioneve të reja të metrosë në Sofje financohet përmes fondeve evropiane dhe bashkëfinancimit nga buxheti komunal dhe ai shtetëror. Për segmentin përgjatë bulevardit “Vlladimir Vazov”, Bashkimi Evropian ka siguruar 144 milionë euro mbështetje financiare.

Së fundmi u bë e ditur se Bashkia e Sofjes mund të mbështetet edhe në 265 milionë euro të tjera financim evropian për mjete të transportit publik urban. Një pjesë e këtyre fondeve do të përdoret për blerjen e 16 trenave të rinj për metronë.

Dhe ndërsa udhëtojmë shpejt e rehatshëm me ta, pasagjerët do të vazhdojnë të dëgjojnë zërin e këndshëm femëror që njofton stacionet e metrosë së Sofjes. Ai i përket gazetares së njohur televizive Nadja Obretenova.

Nadja Obretenova

Nadja Obretenova

FOTO: bnt.bg

“Unë i regjistroj njoftimet e stacioneve të metrosë së Sofjes që nga fillimi i saj. Nuk e mbaj mend vitin kur e bëra regjistrimin, por ftesën e mora nga drejtori i Metropolitenit, inxhinier Stojan Bratoev”, rrëfen ajo për Radio Bullgarinë.

Megjithatë, interesi i saj profesional për zhvillimin e hekurudhës nëntokësore shkon përtej gazetarisë. Si studente e inxhinierisë në Shkollën e Lartë të Transportit “Todor Kableshkov”, Nadja Obretenova kreu praktikën profesionale në kompaninë që projektonte metronë e Sofjes.

Ndryshimet politike të vitit 1989 dhe ndërprerja e punimeve për këtë projekt kyç infrastrukturor të kryeqytetit e detyruan atë të ndryshonte drejtim profesional dhe t’i përkushtohej gazetarisë. Ajo thotë se nuk është penduar asnjë çast për këtë zgjedhje.

Megjithatë, vite më vonë, rrugëtimi i saj profesional u lidh sërish me metronë e Sofjes. Falë zërit të saj të njohur dhe të qartë, ajo u bë personi më i përshtatshëm për të njoftuar stacionet dhe itineraret e trenave, duke u shndërruar në një nga zërat më të njohur për qindra mijëra pasagjerë që udhëtojnë çdo ditë me metronë e kryeqytetit bullgar.

Dyert hapen: Metroja e Sofjes zgjerohet me tre stacione të reja

FOTO: BTA

“Gjëja më interesante është se miqtë dhe të njohurit, kur udhëtojnë me metronë e Sofjes dhe dëgjojnë zërin tim, kujtohen për mua, u kujtohet se kanë harruar të më thonë diçka, ose se nuk kemi folur prej kohësh. Është shumë kurioze që shpesh marr telefonata nga njerëz të njohur, ndërsa në sfond dëgjoj zërin tim në metronë e Sofjes teksa ata po udhëtojnë. Në fillim më dukej e çuditshme, por tani nuk më habit më”, thotë ajo.

Dyert hapen: Metroja e Sofjes zgjerohet me tre stacione të reja

FOTO: BTA

Metroja e Sofjes është një projekt dhe një arritje e përbashkët e dhjetëra specialistëve: inxhinierëve, arkitektëve, gjeologëve dhe hidroteknikëve, njerëzve që krijojnë lidhje dhe drejtime të reja në qytet. Puna e tyre është jashtëzakonisht e përgjegjshme dhe e rrezikshme, ndërsa nga cilësia e saj varet çdo ditë siguria dhe jeta e mijëra njerëzve. Megjithatë, për të gjithë është e qartë se metroja është shumë më tepër sesa një infrastrukturë inxhinierike dhe transporti. Ajo formëson mënyrën e jetesës në qytetin e madh, afron lagjet me njëra-tjetrën, kursen kohë për banorët dhe ndryshon mënyrën se si njerëzit lëvizin, punojnë dhe jetojnë në Sofje.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva