EKONOMI

Artikull

Bullgaria ndër liderët botërorë për parqet e baterive të ruajtjes së energjisë

Enjte, 13 Gusht 2026, 11:44

Bullgaria ndër liderët botërorë për parqet e baterive të ruajtjes së energjisë

FOTO: inter-power.eu

Madhësia e shkronjave

Bullgaria është bërë një nga tregjet kryesore në botë për bateritë e ruajtjes së energjisë elektrike. Sipas një analize të organizatës energjetike “Ember”, vendi renditet përpara shteteve me traditë në prodhimin e energjisë diellore, si Kili dhe Australia. Vetëm gjatë vitit 2025, Bullgaria shtoi rreth 3 gigavat-orë (GWh) kapacitet të ri baterish, ndërsa një vit më parë praktikisht nuk kishte kapacitet të tillë. Deri në maj të vitit 2026, kapaciteti i instaluar u rrit më shumë se dyfish dhe arriti në 8,6 GWh. Sipas “Ember”, kjo rritje është ndihmuar nga financimi shtetëror dhe përshpejtimi i procedurave për dhënien e lejeve. Pritet që kapaciteti të zgjerohet më tej deri në vitin 2030.

Bullgaria ka avantazhe të rëndësishme falë kapacitetit të lirë të rrjetit të transmetimit të energjisë dhe lidhjeve të shumta me tregjet e vendeve fqinje. Rreth 60% e energjisë së ruajtur në bateri përdoret brenda vendit, ndërsa pjesa tjetër eksportohet, kryesisht drejt Rumanisë dhe Greqisë, raportoi BTA.

Zhvillimi i baterive po ndryshon edhe mënyrën se si energjia diellore kontribuon në sistemin energjetik të Bullgarisë. Në gjysmën e parë të vitit 2023, energjia diellore praktikisht nuk kontribuonte në mbulimin e konsumit të energjisë elektrike në orët e mbrëmjes. Tani, kombinimi i energjisë diellore dhe baterive mbulon 24% të kërkesës për energji elektrike në vend nga ora 19:00 deri në 21:00. Ndërmjet orës 19:00 dhe 07:00, energjia diellore e ruajtur në bateri mbulon rreth 10% të konsumit.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova