Artikull
Parashikimi i motit për 14 gushtin 2026
Fundi i javës së punës vjen me freski
Enjte 13 Gusht 2026 19:11
Enjte, 13 Gusht 2026, 19:11
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Të premten, temperaturat minimale do të luhaten nga 15 deri në 20°C. Në Sofje pritet të jetë 16°C. Gjatë ditës, vranësirat do të mbeten të dendura në zonat jugperëndimore, ku herë pas here do të ketë reshje shiu. Pasdite, në zonat malore priten edhe bubullima. Në pjesën tjetër të vendit, mëngjesi do të jetë kryesisht me diell, ndërsa rreth mesditës dhe pas saj do të ketë vranësira të pjesshme. Temperaturat maksimale do të luhaten nga 26 deri në 31°C. Në kryeqytet do të jetë rreth 27°C.
Në bregdetin e Detit të Zi, vranësirat do të jenë të pjesshme, por më shpesh të dendura. Në disa vende, kryesisht përgjatë bregdetit verior, do të ketë reshje të lehta shiu. Do të vijojë moti me erë, me erëra mesatare dhe përkohësisht të forta nga verilindja. Krahasuar me ditët e mëparshme, moti do të jetë më i freskët. Temperaturat maksimale të ajrit do të jenë nga 24 deri në 27°C. Temperatura e ujit të detit do të jetë rreth 25–26°C. Deti do të jetë i trazuar, me dallgë të shkallës 3–4.
Në zonat malore, vranësirat do të jenë të dendura. Kryesisht në zonat e maleve Rilla dhe Rodopa dhe në malin Sredna Gora, herë pas here do të ketë reshje shiu, ndërsa pasdite priten edhe bubullima. Do të vijojë të fryjë erë mesatare dhe përkohësisht e fortë nga verilindja. Temperatura maksimale në lartësi 1200 metra mbi nivelin e detit do të jetë rreth 20°C, ndërsa në 2000 metra rreth 12°C.
Të shtunën, mundësia për reshje do të jetë e vogël. Në Bullgarinë Perëndimore do të mbizotërojë moti me diell, ndërsa në pjesën qendrore dhe lindore do të ketë shtim të përkohshëm të vranësirave.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova