Artikull
Fjetja e Hyjlindëses së Shenjtë – një nga festat e mëdha të vitit
Shtunë 15 Gusht 2026 07:00
Shtunë, 15 Gusht 2026, 07:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Kisha Ortodokse Bullgare kremton ditën e Fjetjes së Hyjlindëses së Shenjtë – një nga 12 festat e mëdha të krishtera. Sipas Shkrimit të Shenjtë, kjo është dita kur Nëna e Zotit largohet nga jeta tokësore dhe shkon te Biri i saj.
Në traditën popullore bullgare, festa quhet Golema Bogorodica (Shën Mëria e Madhe), ndërsa Mallka Bogorodica (Shën Mëria e Vogël) është dita kur kremtohet lindja e Nënës së Krishtit.
Manastiri i Baçkovos
FOTO: BTA
Fjetja e Hyjlindëses kremtohet me shërbesa solemne në kishat ortodokse në të gjithë vendin. Sipas traditës, mijëra besimtarë mblidhen në Manastirin e Baçkovos, për t’u lutur para ikonës mrekullibërëse të Nënës së Zotit, për të cilën besohet se i dëgjon lutjet, shëron dhe u ndihmon grave që vijnë të luten për të pasur fëmijë.
Besimtarët kërkojnë mbrojtjen e Shën Mërisë në problemet e jetës. Në këtë ditë zhvillohen edhe takime familjare, të lidhura me flijimin – kurban për jetë, për shëndet, për një vit të begatë, kundër fatkeqësive dhe sëmundjeve.
Gatimet tradicionale në tryezë në ditën e Shën Mërisë së Madhe janë bukë e freskët, e zbukuruar me ornamente, pulë me qull, grurë i zier, misër dhe kungull. Kjo është edhe dita kur për herë të parë provohet prodhimi i ri i rrushit. Besimtarët i dhurojnë kishës qirinj, pëlhurë të endur në shtëpi, mbulesë për bukën, peshqirë dhe para.
Më 15 gusht festojnë ditën e emrit gratë dhe burrat që mbajnë emrat Maria, Mariana, Mariela, Marieta, Marin, Mario, Panajot, Presllava etj.
Shihni më tepër nga arkivi i Radio Bullgarisë:
- Fjetja e Hyjlindëses – festa e kishës më të madhe nga koha e Rilindjes Bullgare
- Kisha Metropolitane “Fjetja e Shën Marisë” në Samokov ruan kujtesën shpirtërore të brezave bullgarësh
Përpiloi: Gergana Mançeva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski