Autor
Vesella Krësteva
Artikull
„Eurovision 2027“ në Burgas do të sjellë shpirtin e papërsëritshëm bullgar
Milena Millotinova, drejtoreshë e BNT-së: Fansat e “Eurovision”-it do të shohin Bullgarinë dhe do ta dashurojnë atë
Premte 14 Gusht 2026 14:30
Premte, 14 Gusht 2026, 14:30
FOTO: Eurovision Bullgaria 2027
Madhësia e shkronjave
Me eufori dhe një flashmob nën tingujt e “Bangaranga”, Burgasi festoi zgjedhjen e tij si mikpritës i “Eurovizionit 2027”. Kryetarët e bashkive të rajonit shpallën mbështetjen e tyre për qendrën e rajonit në përgatitjen e eventit muzikor, i cili, sipas tyre, mund të shndërrohet në reklamën më të fuqishme ndërkombëtare turistike të bregdetit bullgar të Detit të Zi.
“Kemi një arsye për të festuar! Qyteti është përfshirë nga një valë gëzimi. Aktualisht Burgasi po përjeton një rilindje të jashtëzakonshme kulturore dhe fakti që do të jemi mikpritës të ‘Eurovizionit’ do të thotë se jemi në nivel botëror” – thekson një qytetare për gazetaren e BNR Burgas, Nina Rangellova.
Vetëm brenda pak orësh, zgjedhja e Burgasit si mikpritës i konkursit më të madh televiziv muzikor shkaktoi një valë komentesh në rrjetet sociale, të cilat mund t’i përmbledhim nga “Hosana!” deri te “Kryqëzojeni!”, ndërsa u shfaqën pyetje të shumta – a ka transport, a janë të mjaftueshme hotelet, a ishte zgjedhja politike?
Drejtori i “Eurovision”-it, Martin Green, deklaroi se organizatorët janë të entuziazmuar nga zgjedhja e Burgasit si mikpritës i ardhshëm: “Jemi jashtëzakonisht të lumtur që Burgasi do të jetë qyteti mikpritës i konkursit ‘Eurovision 2027’. Burgasi do t’i japë atij diçka vërtet të veçantë. Ky është një qytet dinamik dhe mikpritës në brigjet e Detit të Zi, me një identitet të fortë muzikor dhe kulturor, i cili ka ambicien, infrastrukturën dhe pasionin e nevojshëm për të mirëpritur familjen tonë të madhe. Për konkursin e parë ‘Eurovision’ që do të zhvillohet në Bullgari, duam të krijojmë diçka që të përcjellë shpirtin e vërtetë bullgar dhe njëkohësisht të jetë e papërsëritshme – një festë që i bashkon njerëzit përmes muzikës”, deklaroi Green, cituar nga BBC.
Presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, përshëndeti banorët e Burgasit për organizimin e ardhshëm dhe theksoi traditat e gjata muzikore që ka qyteti. “Është vendlindja e disa prej artistëve më të mirë bullgarë dhe mikpritëse e konkurseve emblematike si ‘Burgasi dhe deti’, ndërsa tani edhe e ‘Eurovision’-it. Mrekullitë vijnë me dashurinë për detin bullgar dhe bregun e vendlindjes!”, shkroi ajo në profilin e saj në Facebook dhe u uroi banorëve të qytetit të jenë krenarë për të dhe ta shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë mundësinë për të qenë mikpritës të Evropës.
Dy gjysmëfinalet, më 11 dhe 13 maj 2027, si dhe finalja e madhe më 15 maj, e edicionit të 71-të të festivalit të këngës, do të zhvillohen në një nga objektet sportive më të reja dhe moderne në Bullgari, “Arena Burgas”, e cila u hap në vitin 2023.
Dimitër Nikollov
FOTO: BTA
Për BTA, kryetari i Bashkisë së Burgasit, Dimitër Nikollov, deklaroi se së bashku me ekipin e tij do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të siguruar një nivel të lartë të organizimit dhe që qendra e bregdetit jugor të vendit të mbetet një mikpritëse e suksesshme në historinë e gjatë të këtij eventi të mrekullueshëm, më të madhit event muzikor botëror të drejtpërdrejtë. “Dhe jam i bindur se kjo përvojë shumëvjeçare në sektorin e turizmit do të na ndihmojë shumë që të përballojmë me sukses të jashtëzakonshëm organizimin”, theksoi Nikollov.
Fillimi i muajit maj shënon edhe fillimin e sezonit turistik veror në Bullgari dhe tashmë është rënë dakord me pjesën më të madhe të hoteleve në bregdetin jugor të Detit të Zi për mbështetje dhe bashkëpunim të plotë, tha Nikolov, duke vënë theksin te lidhjet e transportit të qytetit: “Transportuesi kombëtar ajror do të sigurojë fluturime shtesë nga Sofja drejt aeroportit të Burgasit. Si lokacione shtesë kemi parashikuar edhe aeroportin e Stambollit, i cili gjeografikisht është më afër se aeroporti i Sofjes dhe aeroporti i Varnës.”
Kopshti i Detit në Burgas
FOTO: Bashkia Burgas
Kopshti i bukur Detar është zemra e gjelbër e Burgasit dhe pikërisht aty, në bregun e detit, do të vendoset i ashtuquajturi “qilim me ngjyrë turkeze”, nëpër të cilin do të kalojnë delegacionet zyrtare dhe pjesëmarrësit e konkursit. “Në qendër të qytetit do të jetë edhe i ashtuquajturi Qyteti i Eurovizionit. Kemi edhe lokacione shtesë, në varësi të kushteve atmosferike gjatë periudhës së zhvillimit të ‘Eurovizionit’”, siguroi kryetari i bashkisë. Me një postim të posaçëm në Facebook, ai falënderoi kryetarët e bashkive të qyteteve “rivale” në garën për mikpritjen e konkursit: “Tani do të planifikojmë evente në të gjitha qytetet! Burgasi nuk është Bullgaria, të gjithë jemi Bullgaria dhe këtë do t’ia tregojmë botës!”, shkroi më tej Dimitër Nikollov.
DARA
FOTO: BTA
Pikërisht bashkimi dhe përkatësia kombëtare qëndrojnë në themel të një prej sukseseve më të mëdha ndërkombëtare të muzikës bullgare në vitet e fundit – fitores së DARA-s, falë së cilës “Eurovision 2027” vjen në Bullgari. Dhe ky sukses nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të të gjithë bullgarëve në mbarë botën, të cilët votuan për këngën “Bangaranga” në gjysmëfinalen e dytë, më 14 maj të këtij viti, dhe në vetë finalen dy ditë më vonë. Pikërisht atyre iu drejtua drejtoresha e përgjithshme e BNT-së, Milena Millotinova, në një intervistë të posaçme për “Radio Bullgarinë”:
Milena Millotinova
FOTO: BTA
“Me të vërtetë, një falënderim i madh, sepse ne u bëmë thirrje, u thamë se sa e rëndësishme ishte që në momentet e përcaktuara për votim t’u kërkonin fqinjëve, miqve dhe të afërmve të tyre që jetojnë jashtë vendit të votonin për Bullgarinë. Dhe në fakt, kjo mbështetje e tyre na ndihmoi të arrijmë deri këtu”, tha Millotinova dhe shtriu dorën për një partneritet të mëtejshëm të televizionit publik me organizatat e bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit. Ndërsa të gjithë të huajve që do të vizitojnë Bullgarinë në pranverën e vitit 2027, të nxitur dhe frymëzuar nga “Eurovision”-i, Milena Millotinova iu drejtua me fjalët: “Mirë se vini në vendin tonë!”
FOTO: Bashkia Burgas
“Ata prej tyre që nuk kanë ardhur më parë në Bullgari, do ta shohin atë dhe me shumë gjasa do ta dashurojnë shumë, sepse vendi ynë është shumë i bukur. Këtu jetojnë njerëz të mrekullueshëm. Vendi ynë u ka hapur rrugën shumë, shumë talenteve dhe imagjinoj se po rrit po aq ose edhe më shumë talente të tjera. Mendoj se ata mund të dashurohen me kuzhinën bullgare, me mikpritjen bullgare, me mënyrën se si jetojmë, me përvojat që vendi ynë mund t’u ofrojë. Dhe jo vetëm për shkak të ‘Eurovision’-it, sepse vendi ynë është i mrekullueshëm – kemi det, kemi male, kemi pasuri kulturore, kemi monumente dhe vende historike. Ne jemi vendi i tretë në Evropë për nga pasuria me monumente historike dhe kulturore. Ne jemi shteti që nuk e ka ndryshuar emrin e tij prej 14 shekujsh. Kemi një histori me të cilën mund të mahnitim këdo, kemi një kulturë të pasur dhe një popull të mrekullueshëm. Çfarë më shumë mund të dëshirojë një i huaj kur mbërrin në një vend të ri? Në Bullgari mund ta gjejë të gjithë këtë!”
FOTO: eurovision-bulgaria.com
Për gjithçka më të rëndësishme rreth programit dhe organizimit të “Eurovision”-it në Burgas, po hapen edhe dy faqe interneti të specializuara – eurovision2027.bg dhe gotoburgas.com. Edicioni i ardhshëm i “Eurovision”-it do të ketë edhe disa rregulla të reja. Një prej tyre është se fituesi “automatikisht nuk do të mund të jetë mikpritës” i konkursit të ardhshëm të këngës, nëse vendi i tij merr pjesë “në një konflikt të armatosur” ose ndodhet në “një situatë të ndjeshme gjeopolitike”. Nga viti i ardhshëm, të gjithë interpretuesit duhet të kenë mbushur 18 vjeç në ditën e provës së tyre të parë për konkursin, ndërsa deri tani mosha minimale ishte 16 vjeç. Ndryshimet u bënë gjatë takimit të fundit vjetor të Bashkimit Evropian të Transmetuesve, bazuar në reagimet e televizioneve pjesëmarrëse në “Eurovision”, dhe synojnë të ofrojnë më shumë qartësi për interpretuesit dhe ekipet e produksionit, mbrojtjen e artistëve dhe garantimin e sigurisë së publikut.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski