Artikull
Borino nis planin e parë në vend për bashkëjetesën me arinjtë
Dielë 16 Gusht 2026 08:46
Dielë, 16 Gusht 2026, 08:46
FOTO: wwf.bg
Madhësia e shkronjave
Borino bëhet bashkia e parë në Bullgari me një plan për bashkëjetesë paqësore me arinjtë, i cili do të zbatohet në mënyrë graduale. Synimi është që plani të nisë të zbatohet plotësisht në vjeshtë dhe të kufizojë konfliktet përmes një kombinimi masash parandaluese – gardhe elektrike, kosha të mbrojtur plehrash, kamera vëzhgimi dhe pajisje që i largojnë arinjtë me dritë dhe zë.
Kamerat e para të vëzhgimit pritet të vendosen më së voni në fillim të javës së ardhshme. Ato do të monitorojnë bletoret, tufat e deleve dhe objektet turistike, pranë të cilave u regjistruan tashmë shfaqje të arinjve. Në këtë mënyrë do të identifikohen të ashtuquajturat “pika të nxehta” – vende nëpër të cilat kafshët arrijnë më shpesh te pronat e njerëzve dhe burimet e ushqimit.
Në këtë fazë u përcaktuan rreth shtatë ose tetë vende potencialisht problematike. Megjithatë, numri i tyre mund të ndryshojë në varësi të raportimeve të reja dhe të dhënave nga kamerat.
FOTO: wwf.bg
Pritet që në shtator të nisë edhe vendosja e gardheve elektrike dhe e kontejnerëve për mbetje të mbrojtur nga arinjtë. Fillimisht parashikohet të sigurohen 20 deri në 30 gardhe elektrike, ndërsa nëse do të jetë e nevojshme, numri i tyre mund të rritet. Gardhet elektrike do t’u jepen falas fermerëve, por ata do të duhet të kujdesen për mirëmbajtjen e tyre. Sipas përvojës së vendeve të tjera evropiane, masa të tilla mund të parandalojnë pothuajse plotësisht hyrjen e arinjve në bletore dhe afrimin e tyre te kontejnerët me mbetje ushqimore.
FOTO: krib.bg
Në qytetin rumun Turfnat, i cili ndodhet në një zonë ku arinjtë lëvizin në mënyrë intensive, kombinimi i kontejnerëve të mbrojtur, gardheve elektrike dhe eliminimit të burimeve ushqimore lehtësisht të arritshme ka bërë që problemet të reduktohen pothuajse në zero, tregojnë ekspertët.
Parashikohet që në Borino të testohen edhe pajisje për largimin e arinjve, të cilat përdorin dritë të papritur që pulson dhe tinguj me frekuencë të lartë, që ndryshojnë vazhdimisht. Qëllimi është që arinjtë të mos arrijnë të mësohen me sinjalin. Një teknologji e tillë u përdor me sukses edhe më parë nga specialistë në Greqi dhe Itali.
Problemi i afrimit të arinjve pranë njerëzve përkeqësohet në vitet kur në natyrë nuk ka ushqim të mjaftueshëm. Për shembull, në vitet 2023 dhe 2025, mungesa e frutave të egra u bë shkak që më shumë arinj të kërkonin ushqim pranë zonave të banuara. Dimrat e ngrohtë gjithashtu mund të ndryshojnë sjelljen e kafshëve, ndërsa qasja e lehtë te mbetjet ushqimore i tërheq ato edhe më shumë.
FOTO: wwf.bg
Ndër zonat më të ndjeshme në Rodopet janë bashkia Banite dhe zona përreth Smiljanit. Sipas specialistëve, edhe shpopullimi i fshatrave malore ka rëndësi – kullotat e vjetra dhe tokat bujqësore gradualisht po shndërrohen në sipërfaqe të dendura pyjore, ndërsa pemët frutore që kanë mbetur u sigurojnë arinjve ushqim shtesë.
Paralelisht me masat teknike, në Borino do të zhvillohen edhe aktivitete edukative me nxënësit. Ato do të zhvillohen në vjeshtë, kur arinjtë janë veçanërisht aktivë.
Ekspertët theksojnë se qëllimi nuk është që kafshët të largohen nga mali, por të parandalohet që ato të mësohen me ushqimin e njerëzve. Ariu luan një rol të rëndësishëm në ekosistem – përhap farat, ndihmon në ripërtëritjen natyrore të bimësisë dhe ushqehet me kafshë të ngordhura, duke kryer kështu edhe një funksion sanitar. Si një specie që ka nevojë për territore të mëdha, ai është edhe një lloj treguesi i gjendjes së ekosistemit malor.
FOTO: wwf.bg
Numri i saktë i arinjve të murrmë në Bullgari ende nuk është përcaktuar. Vlerësimet zyrtare flasin për rreth 400–500 kafshë, ndërsa sipas përfaqësuesve të sektorëve të gjuetisë dhe pyjeve, numri mund të jetë mbi 1300. Pritet që monitorimi gjenetik të japë të dhëna më të sakta. Gjatë vitit të kaluar u mblodhën rreth 4000 mostra. Analiza e tyre duhet të tregojë jo vetëm numrin e arinjve, por edhe gjininë, lidhjet e tyre farefisnore dhe gjendjen gjenetike.
Në Borino, qëllimi është i qartë – konfliktet të parandalohen përpara se të shkaktohen dëme për fermerët ose arinjtë të mësohen në mënyrë të rrezikshme me praninë e njerëzve.
Projekti po zbatohet me pjesëmarrjen e organizatës për mbrojtjen e natyrës WWF dhe pushtetit vendor. Përvoja u mor nga SHBA-ja, Italia, Greqia dhe disa zona të banuara në Rumani, ku masa të ngjashme tashmë kanë dhënë rezultate.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova
- #kafshë
- #fruta
- #masa parandaluese
- #plan
- #Smiljan
- #ekosistem
- #Rodopa
- #monitorim
- # monitorim
- #ari
- #mal
- #bashkëjetesë
- #konflikte
- #Borino
- #bashkëjetesë me arinjtë
- #tufa
- #bletore
- #burime të ushqimeve
- #ekosistemi malor
- #kontejnerë
- #mbetje ushqimore
- #monitorim gjenetik
- #prani njerëzore
- #ripërtëritje natyrore të bimësisë
- #ripërtëritje natyrore
- #kafshë të ngordhura
- #funksion sanitar
- #bashkëjetesë paqësore