Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Dirigjenti Svetosllav Borisov për energjinë, pasionin dhe dashurinë e muzikantit
Dielë 16 Gusht 2026 09:57
Dielë, 16 Gusht 2026, 09:57
FOTO: svetoslav-borisov.com
Madhësia e shkronjave
Gjatë dy dekadave të fundit, dirigjenti bullgar Svetosllav Borisov zhvillon një karrierë të shkëlqyer, të përqendruar kryesisht në Gjermani dhe Austri. Një nga arritjet e tij më të mëdha ishte nominimi për titullin “Dirigjenti i vitit” nga revista prestigjioze Opernwelt në vitin 2023, për vënien në skenë të operës “Ariadna në Naksos” të Richard Strauss-it në Teatrin e Operës në Magdeburg.
Svetosllav Borisov është një nga dirigjentët e spikatur operistik me një repertor mbresëlënës që përfshin një numër të madh veprash të Mozartit, Donizettit, Rossinit, Verdit, Puccinit, Gounod-së, Humperdinck-ut, Wagner-it, Richard Strauss-it dhe Prokofiev-it. Ai ka qenë dirigjent i ftuar i ansambleve prestigjioze në Austri, Gjermani, Zvicër, Luksemburg, Belgjikë, Çeki, Rumani, Lituani, Ukrainë, Greqi, Turqi, Izrael dhe Kinë. Është pjesëmarrës i rregullt në festivale të rëndësishme ndërkombëtare dhe ka bashkëpunuar me ansamble simfonike dhe teatro operistike në disa kontinente.
FOTO: svetoslav-borisov.com
Rruga e tij në muzikë nisi me pianon. Ai u diplomua në Shkollën Kombëtare të Arteve “Dobri Hristov” në Varna, për trumbetë, dhe më pas në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Skenike të Grazit (Kunstuniversität Graz (KUG)). Në vitin 2007 themeloi orkestrën e dhomës “Con fuoco”, ndërsa nga viti 2009 deri në vitin 2013 ishte dirigjent i përhershëm i Orkestrës së Dhomës “Schönbrunn” në Vjenë.
Në vitin 2013, Svetosllav Borisov fitoi konkurset për postin e dirigjentit kryesor të Operës Shtetërore të Varnës dhe të dirigjentit të Orkestrës Simfonike të Bochumit. Bashkëpunimi i tij me të dyja institucionet vazhdon edhe më sot, ndërsa në teatrin e operës në qytetin tonë bregdetar ai është dirigjent i përhershëm i ftuar. Një nga shfaqjet e tij më të spikatura në Varnë ishte “Fausti” i Gounod-së, i realizuar në vitin 2025 në bashkëpunim me regjisorin Vera Nemirova. Më 7 korrik 2026, në kuadër të festivalit “Opera në Teatrin Veror”, Opera e Varnës prezantoi premierën e “Wagner Gala”, një spektakël me fragmente nga “Valkyrja”, me regji të Vera Nemirovës dhe dirigjim të Svetosllav Borisovit. Sipas tij: “Gjithçka shkoi mrekullisht. Është vërtet kënaqësi kur e ndien se orkestra, solistët dhe publiku kanë përjetuar të njëjtën gjë. Ende jam plotësisht i përfshirë nga kjo shfaqje dhe nga gjithë puna përgatitore për të, sepse në fillim kishte disa pikëpyetje dhe, do të thosha, deri diku edhe mosbesim: çfarë do të ndodhë, a do të ketë sukses? Por në fund, pa e tepruar aspak, njerëzit ishin të lumtur.”
FOTO: svetoslav-borisov.com
Për Borisovin, Opera e Varnës ka një rëndësi të veçantë: “Ajo më dha një mundësi kur bëra hapat e parë të karrierës sime si dirigjent. Më ftuan fillimisht për një koncert, pastaj për një shfaqje. Kështu nisi lidhja jonë, e cila bëhej gjithnjë e më e fortë. Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e kaloj në Gjermani, kthehem me shumë kënaqësi në Varnë, ku mund të them me bindje se artistëve u jepet liria të punojnë dhe t’i bëjnë realitet idetë e tyre, pa dashur të tingëllojë modest.”
FOTO: svetoslav-borisov.com
Borisovi thotë se është gjithmonë shumë i lumtur kur, pothuajse në çdo orkestër ku është i ftuar, takon muzikantë bullgarë.
“Është një ndjesi shumë e këndshme. Nëse dëshironi, mund ta quani edhe një lloj mbështetjeje, sepse të bën të ndihesh se nuk je vetëm, sidomos kur shkon për herë të parë diku. Edhe ata vetë gëzohen dhe kështu lindin biseda shumë të bukura, marrëdhënie dhe, me kalimin e kohës, miqësi. Sigurisht, ka edhe një dozë nostalgjie, por secili prej atyre me të cilët kam pasur mundësi të komunikoj e ka përshkuar këtë rrugë dhe i është dashur të bëjë shumë përpjekje për të dëshmuar veten, për të fituar vlerësimin dhe për t’u bërë pjesë e një orkestre gjermane apo të Evropës Perëndimore. Të gjithë ne jemi integruar në një masë të tillë, saqë ndihemi mirë aty ku jemi, e dimë pse jemi atje, mund të krijojmë në një nivel të lartë dhe pasurohemi vazhdimisht përmes kontakteve me njerëz dhe muzikantë të ndryshëm nga e gjithë bota. Kjo është jashtëzakonisht e çmuar.”
FOTO: svetoslav-borisov.com
Audiencës së shumtë dhe shumëgjuhëshe të Radio Bullgarisë ai i uron mbi të gjitha shëndet.
“Sa i përket Bullgarisë dhe artit në Bullgari, të gjithë ata që nuk kanë qenë këtu ia vlen të vijnë. Mund t’ju premtoj se do të befasohen vërtet këndshëm nga ajo që do të përjetojnë këtu. Sepse njerëzit që i janë përkushtuar artit në Bullgari dhe kanë qëndruar besnikë ndaj tij, pavarësisht vështirësive me të cilat përballen, e bëjnë këtë me shumë energji, pasion dhe dashuri. Ata e kanë bërë këtë zgjedhje me vetëdije dhe me të vërtetë japin gjithçka që munden për t’i dhuruar publikut emocione të bukura.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova