LAJME

Artikull

Nuk ka arsye për gëzim të madh sa i përket sezonit turistik veror

Hënë, 17 Gusht 2026, 11:08

Nuk ka arsye për gëzim të madh sa i përket sezonit turistik veror

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Sektori i turizmit tashmë është pothuajse në nivelet e verës së kaluar, deklaroi para gazetarëve në Varna Ministri i Turizmit, Ilin Dimitrov. Sipas tij, sezoni ka nisur me vështirësi për shkak të problemeve në tregun gjerman. 

Numri i turistëve të regjistruar arriti në rreth 1 610 000 gjatë muajit korrik, krahasuar me 1 650 000 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. “Megjithatë, më e rëndësishme është të shihet nëse ka dallime dhe cilat janë ato në çmimet e paketave turistike dhe në kohëzgjatjen e qëndrimit të vizitorëve”, theksoi ministri.

Sipas Ilin Dimitrovit, të dhënat do të publikohen në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit dhe atëherë do të analizohet në detaje i gjithë sezoni turistik. “Sigurisht që nuk mund të flitet për katastrofë, por nuk ka arsye as për gëzim të madh. Në përgjithësi, sezoni veror do të jetë i ngjashëm me atë të vitit të kaluar”, u shpreh ai.

Këtë verë vendi ynë ka 26 plazhe dhe gjashtë marina të vlerësuara me Flamurin Blu, por synimi është që numri i tyre të arrijë në 40 dhe për këtë po punohet në mënyrë aktive me koncesionarët. Ministri theksoi si një zhvillim pozitiv faktin që vendi ynë renditet i treti në Evropë për cilësinë e ujërave të larjes, sipas të dhënave të Shoqatës Evropiane për Mjedisin dhe Ujërat.

 

Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva