Autor
Allbena Bezovska
Artikull
Nga koleksioni i Radio Bullgarisë
Legjenda popullore për Shën Ivan Rillskin
Mbrojtësi qiellor i Bullgarisë u nda nga jeta më 18 gusht, 1080 vjet më parë
Martë 18 Gusht 2026 04:56
Martë, 18 Gusht 2026, 04:56
Ikonë e Nikolla Obrazopisovit
FOTO: Muzeu Historik – Samokov
Madhësia e shkronjave
Paganizëm ortodoks apo ortodoksi e jetës së përditshme quajmë një pjesë vërtet të veçantë të trashëgimisë sonë tradicionale. Pa asnjë kundërthënie, në të bashkëjetojnë zakone të krishtera dhe folklorike; motive biblike shpalosen në trojet bullgare, ndërsa këngët popullore tingëllojnë si variante të himneve kishtare. Një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë sonë gojore i kushtohet Shën të Nderuarit Joani të Rilës. Një nga shenjtorët më të dashur në vendin tonë është personazh i shumë legjendave, gojëdhënave dhe këngëve popullore.
Në traditën folklorike, me emrin Shën Ivan më shpesh lidhet Joan Pagëzori. Me të lidhen shumë zakone, si Dita e Shën Ivanit (7 janar), Ivan Biliober ose Enjovdeni (24 qershor) etj. Le të kujtojmë se kultet e shenjtorëve të krishterë depërtuan dhe u përhapën në trojet tona qysh përpara pranimit të krishterimit, gjatë shekujve të III-të dhe të IV-të. Me sa duket, që atëherë një pjesë e madhe e figurave të shenjtorëve morën disa tipare të hyjnive pagane që i paraprinë. Në këtë drejtim, tërësia e gojëdhënave për Ivan Rillskin dallohet për afërsinë relativisht të madhe me jetët e shenjtorëve dhe veprat hagiografike që kanë mbërritur deri tek ne.
Sipas burimeve kishtare, ai lindi në vitin 876, në fshatin Skrino, pranë qytetit të Kjustendillit. Vdiq më 18 gusht 946. I quajtur, që kur ishte gjallë, “Engjëll i Zotit” dhe “Banor qiellor”, Shën Ivan Rillski konsiderohet mbrojtësi qiellor i Bullgarisë. Emrit të tij i shtohet gjithmonë edhe cilësimi “Çudibërës”, për shkak të mrekullive që kreu para dhe pas largimit nga kjo botë. Deri në ditët tona kanë mbërritur gjashtëmbëdhjetë jetëshkrime të shenjtorit. Më i hershmi daton në shekullin e XII-të dhe njihet si “Jetëshkrimi popullor (anonim)”. Studiuesit supozojnë se mund të ekzistonte edhe një jetëshkrim më i hershëm, i hartuar pak kohë pas vdekjes së Shën Ivanit. Burimet letrare të “Jetëshkrimi popullor” nuk njihen, por me siguri ajo ka bashkuar gojëdhënat që qarkullonin në atë kohë për murgun e Rillës.
Shën Ivan Rilllski dhe Mbreti Pjetri – afresk
FOTO: bg-patriarshia.bg
Një nga legjendat më të përhapura e paraqet Shën Ivan Rillskin si një shenjtor që nuk kërkonte shpërblim material dhe si çudibërës, të rangut të vetë Krishtit. Kjo është gojëdhëna për mbretin Pjetër dhe dëshirën e tij për të parë eremitin. E gjejmë edhe në “Jetëshkrimin popullor (anonim)”. Sundimtari prej vitesh dëgjonte rrëfime për mrekullitë e eremitit, at Ivan. Kur shkoi në Sredec (Sofjen e sotme), vendosi të vazhdonte drejt malit të Rillës për ta gjetur. Të dërguarit e mbretit e kërkuan gjatë murgun. E gjetën përpara një shpelle dhe i treguan përse kishin ardhur. Ai i dëgjoi dhe më pas u propozoi të shtronin një vakt bashkë. Kishte fare pak bukë të zezë dhe të fortë, dhe njerëzit menduan se do të mbeteshin të uritur. Ashtu si Krishti, i cili ushqeu turmën me dy peshq dhe pesë bukë, shenjtori bëri që buka jo vetëm të mjaftonte për të gjithë, por të ishte edhe jashtëzakonisht e shijshme. Njëri prej të dërguarve ishte i sëmurë, por u shërua menjëherë. Të gjithë u kthyen te sundimtari i tyre me fytyra të ndritura dhe, duke folur njëri përmbi tjetrin, i treguan gjithçka që kishin parë e dëgjuar. Mbreti u nis vetë për të parë fytyrën e nderuar të plakut, por vendi ishte i vështirë për t’u arritur dhe nuk ia doli. Dërgoi përsëri lajmëtarë, ndërsa Ivan Rillski i porositi mbretit të ngjitej në majë dhe atje të ndizte një zjarr. “Gjithçka mundësohet nga Perëndia, e jo nga njerëzit… Kështu na është caktuar të takohemi”, thuhej më tej në mesazh. Edhe murgu ndezi një zjarr dhe një shtyllë e madhe u ngrit drejt qiellit. Duke parë tymin nga ana tjetër e malit, të dy lavdëruan Perëndinë dhe u përkulën me nderim ndaj njëri-tjetrit. Mbreti dërgoi një kupë të mbushur me ar. Shën Ivan Rillski pranoi vetëm kupën, ndërsa arin e ktheu. Në variantin folklorik më të përhapur të kësaj historie, sundimtari dërgoi një ngarkesë të madhe me fruta, ushqime dhe shumë ar. Eremiti pranoi frutat, ndërsa arin e ktheu me fjalët: “I thoni mbretit se i pranoj frutat, sepse janë ushqim për trupin, por arin e kthej, sepse është helm për shpirtin!”
Melodia e këngës popullore “U rrit një pemë e lartë”, interpretuar nga Daniell Spasov, kujton shumë muzikën kishtare sllave të shërbesave fetare. Teksti rrëfen për një pemë të lartë me degë të argjendta dhe, mbi të, bletëza të arta. Pema është vetë Shën Ivan Rillski, gjethet e argjendta janë ikonat e shenjta, ndërsa bletëzat e arta janë “të krishterët”.
FOTO: BGNES
Roli i bashkuesit dhe mbrojtësit të bullgarëve është një nga tiparet e figurës së tij në folklor, ashtu si edhe aftësia për të mposhtur fuqitë e natyrës dhe sëmundjet.
Një përrallë popullore rikrijon figurën e Ivanit si fëmijë. Dikur, djali ruante bagëtitë e një pasaniku vendas. Ndodhi që njëra prej lopëve kaloi lumin Struma dhe polli në bregun tjetër. Bariu i vogël nuk dinte si të vepronte dhe shkoi te i zoti i tufës. Ai ishte njeri i pamëshirshëm dhe i ashpër. Urdhëroi shërbëtorin e tij të vogël të kthente kafshët në tufë, ndërsa vetë u fsheh për të parë se si do t’ia dilte. Struma kishte dalë nga shtrati si det dhe nuk kishte si të kalohej. Atëherë Ivani iu lut Perëndisë, hodhi rrobën e tij mbi dallgë dhe, si me një varkë, lundroi në bregun tjetër. Në të njëjtën mënyrë transportoi edhe të porsalindurin, ndërsa nëna i ndoqi vetë. Kur pa këtë, pasaniku u frikësua dhe i tha djalit se nuk kishte më nevojë për të.
Në varësi të trevës folklorike, shenjtorit i jepen emra të ndryshëm – përveç Ivanit, hasen edhe Jovan,Joan, Ovan dhe Alija. Sipas studiuesve, emri i fundit lë të kuptohet se atij i atribuohen aftësitë mbinatyrore të profetit biblik Shën Ilija.
„Shën Ivan Rillski Mrekullibërësi“ – afresk në Manastirin e Rilës
FOTO: BGNES
Në kufirin mes realitetit dhe mistikes qëndrojnë legjendat e panumërta për raste shërimi. Disa prej tyre janë krijuar gjatë shekullit të XX-të, kur edhe u përshkruan nga Arkimandrit Kliment Rilec në librin e tij “Mrekullitë e Shën Ivan Rilskit dhe të ikonës mrekullibërëse të Shën Mërisë “Osenovica” në Manastirin e Rilës”. Botimi doli në vitin 1946, me rastin e 1000-vjetorit të kalimit të shenjtorit në amshim. Në të janë rrëfyer legjenda dhe gojëdhëna. Por ne zgjedhim një dëshmi nga etnografi i madh bullgar Hristo Vakarellski.Në një artikull të cituar nga Arkimandrit Kliment, studiuesi rrëfen historinë e tij personale.
Që në moshë të vogël sëmurej shpesh dhe asgjë nuk i bënte dobi. Dikush u këshilloi prindërve ta çonin te Shën Ivani – domethënë në Manastirin e Rilës. Ata morën fëmijën e tyre, të këputur nga fuqia, e hipën në një qerre dhe u nisën drejt manastirit të shenjtë. Ishte në prag të festës së Fjetjes së Shën Mërisë. U err pranë manastirit dhe ndaluan për të kaluar natën. Pyesnin veten se si do të shkonin të nesërmen me një fëmijë që, nga rraskapitja, nuk mund të hidhte as edhe një hap. “Gjyshja ime, pa ditur çfarë të bënte nga dëshpërimi, preu një shkop lajthie, u kthye pranë zjarrit dhe ma tregoi. Unë e mora, u mbështeta mbi të dhe nisa të ecja” – shkruan prof. Vakarellski. Nëna e tij menjëherë u përkul thellë në drejtim të manastirit: “I dashur Shën Ivan, ti ma dhurove fëmijën! I dashur Shën Ivan, fëmija është yti!” Bënë një zotim se, sapo të shërohej, do ta dërgonin atje me dhurata. Premtimi u përmbush. “Zotime të tilla ka me mijëra te populli ynë, sepse besimi i bullgarit në fuqinë mrekullibërëse të shenjtorit të shenjtë të Rillës është i madh” – përfundon prof. Vakarellski.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova