MUZIKË

Artikull

Ballkanet në takimin e xhazit në Kjustendill – fillon një festival i ri muzikor

Enjte, 20 Gusht 2026, 07:00

Ballkanet në takimin e xhazit në Kjustendill – fillon një festival i ri muzikor

FOTO: unsplash.com

Madhësia e shkronjave

Në mbrëmjen e ngrohtë të verës, më 22 gusht, muzikantë nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të ndërthurin traditat e muzikës ballkanike me lirinë e xhazit. Përpara është edicioni i parë i Festivalit Ballkanik të Xhazit në Kjustendill – “Zgjimi”. Ky forum njëditor synon ta shndërrojë xhazin në një hapësirë për shkëmbim kulturor ndërmjet vendeve ballkanike, duke u mundësuar banorëve dhe vizitorëve të qytetit të takohen me disa nga muzikantët më të rëndësishëm të xhazit, si nga Bullgaria, ashtu edhe nga vendet e tjera të Ballkanit.

Drejtor artistik i festivalit është trumbetisti dhe kompozitori Mihaill Josifov, i cili i përkufizon Ballkanet si një lloj inkubatori për muzikantë të rinj dhe interesantë të xhazit. Sipas tij, ata ndërthurin traditat e zhanrit me intonacionet vendase dhe motivet folklorike karakteristike të rajonit.

Mihaill Josifov

Mihaill Josifov

FOTO: Facebook/ Cantus Firmus

“Kur kësaj i shtohen edhe temperamenti dhe mënyra e të përjetuarit të botës në këtë rajon, krijohet një përvojë muzikore intriguese me një tingëllimë unike”, thotë Mihaill Josifov.

Sipas tij, megjithëse vendet ballkanike janë gjeografikisht të afërta, shkëmbimi kulturor ndërmjet tyre ende nuk është mjaftueshëm aktiv. Prandaj, festivali synon të jetë jo vetëm një ngjarje muzikore, por edhe një vend takimi për artistët e rajonit dhe një mundësi për krijimin e projekteve të ardhshme të përbashkëta të xhazit.

Në skenën në parkun përpara Galerisë së Arteve “Vlladimir Dimitrov-Majstora” do të prezantohen dy ansamble – Big Bendi i Akademisë Kombëtare të Muzikës “Prof. Panço Vlladigerov”, me drejtues Mihaill Josifov, dhe Orkestra Kombëtare e Xhazit e Maqedonisë së Veriut, e drejtuar nga kompozitori, aranzhuesi dhe dirigjenti Vlladimir Nikollov.

Big Bendi i Akademisë Kombëtare të Muzikës do të prezantojë një program nga repertori botëror dhe bullgar i xhazit, duke përfshirë vepra të interpretuesve të njohur bullgarë.

Big Bendi i Akademisë Kombëtare të Muzikës

Big Bendi i Akademisë Kombëtare të Muzikës

FOTO: Facebook/ Cantus Firmus

Mysafirët nga Maqedonia e Veriut do të mbërrijnë në Kjustendill me programin “Ëndrra maqedonase”, i cili paraqet trashëgiminë e pasur folklorike të vendit përmes gjuhës bashkëkohore të xhazit. Melodi, ritme dhe motive muzikore tradicionale do të tingëllojnë në aranzhime të reja xhazore.

Ideja për Festivalin Ballkanik të Xhazit lindi në fillim të vitit 2025, kur Mihaill Josifov dhe studentët e tij nga Akademia Kombëtare e Muzikës morën pjesë me një koncert në Galerinë e Arteve “Vlladimir Dimitrov-Majstora”. Ngjarja ishte finalja e projektit “Latin Jazz në Osogovo”, organizuar nga Elena Naçeva, drejtuese e Qendrës Kulturore “Zgjimi 2020” në fshatin Smoliçano, mësojmë nga informacioni për shtyp i organizatorëve.

Ballkanet në takimin e xhazit në Kjustendill – fillon një festival i ri muzikor

FOTO: Qendra Kulturore “Zgjimi 2020” – fshati Smoliçano

Festivali më 22 gusht do të jetë me hyrje të lirë për banorët dhe vizitorët e Kjustendillit. Prezantuesja e festivalit do të jetë Lili Goleminova nga Radio Sofia, ndërsa programi shoqërues përfshin prezantimin e nismës lokale “Vendet e gjalla” – një nismë kushtuar njerëzve, vendeve dhe ideve që i japin jetë të re rajonit të Kjustendillit.

Festivali Ballkanik i Xhazit organizohet nga Qendra Kulturore “Zgjimi 2020” – fshati Smoliçano dhe Qendra Rinore në Kjustendill, në kuadër të një projekti pranë Ministrisë së Rinisë dhe Sportit, me mbështetjen e Bashkisë së Kjustendillit dhe nën patronazhin e Presidentes së Republikës së Bullgarisë, Ilijana Jotova.

Redaktoi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski