Autor
Miglena Ivanova
Lajm
Nga koleksioni i Radio Bullgarisë
Bashkimi i Bullgarisë: forca e bullgarëve është uniteti i tyre
Dielë 6 Shtator 2026 04:50
Dielë, 6 Shtator 2026, 04:50
FOTO: arkiv
Madhësia e shkronjave
Më 6 shtator Bullgaria shënon Ditën e Bashkimit të Principatës së Bullgarisë me Rumelinë Lindore. Parahistoria e kësaj date të rëndësishme për ne filloi më 3 mars 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Paqes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë. Sipas tij Bullgaria e çliruar nga zgjedha pesëshekullore turke u bë “principatë autonome me qeveri të krishterë dhe milici popullore”. Kufijtë e saj rrethonin territoret e Eksarkisë Bullgare. Ajo dispononte troje të gjera të populluara me bullgarë etnikë dhe ishte njohur si e pavarur nga Porta e Lartë. Traktati ishte i përkohshëm, kurse veprimi i tij ishte në fuqi vetëm 4 muaj – deri në korrik 1878, kur u nënshkrua Traktati i Berlinit. Është paradoks se në Berlin, si edhe në San Stefano (Shën Stefani), nuk kishte përfaqësues bullgarë. Bullgaria shpresonte te vullneti i mirë i Fuqive të Mëdha, çdo një prej të cilave i kishte interesat e veta.
FOTO: bg.wikipedia.org
Kongresi i Berlinit e ndau Bullgarinë e Shën Stefanit në disa pjesë –
Principata e Bullgarisë, Rumelia Lindore, e cila u bë autonomi nën pushtetin e
sulltanit, dhe Maqedonia, Trakia e Edrenesë dhe Rodopet, të cilat u kthyen në
Perandorinë Osmane. Mirëpo, lidhjet mes rajoneve të ndara bullgare nuk u
ndërprenë. Ato ishin shumë aktive kryesisht mes Principatës së Bullgarisë dhe
Rumelisë Lindore. Në Rumeli lindi një lëvizje e fuqishme popullore për
bashkimin e të gjithë bullgarëve. Kishte nevojë për një lider, i cili ta
kryesonte popullin. Si i tillë u shfaq Zahari Stojanov, në fillim një bari i
zakonshëm, kurse më vonë publicist dhe shkrimtar, një prej apostujve të
Kryengritjes së Prillit. U krijua një Komitet Sekret Qendror Revolucionar, si
komitetet revolucionare nga koha para Çlirimit. Ideja ishte që nëpërmjet
kryengritjes në Rumelinë Lindore të hidhet poshtë pushteti osman dhe krahina të
bashkohet me Principatën e Bullgarisë.
Komiteti i Fshehtë Qendror Revolucionar Bullgar, viti 1885. Nga e majta në të djathtë: Kosta Panica, Ivan Stojanoviç, Zahari Stojanov, Ivan Andonov dhe Dimitër Rizov
FOTO: bg.wikipedia.org
Kryengritja filloi më 2 shtator 1885 në Panagjurishte me qitje dhe thirrje “Poshtë Rumelia, Rroftë Bashkimi”. Iniciatorët u arrestuan, por pak pas kësaj u çliruan nën presionin e shoqërisë. Rebelimi u zgjerua. Më 5 shtator gjeneral-guvernatori i Rumelisë Lindore Gavrill Krësteviç thirri ngutshëm një mbledhje, ku u mor vendim që të mos informohet Stambolli, pavarësisht se çfarë do të ndodhte. Ushtarakët e përkrahën popullin e rebeluar. Në emrin e komitetit revolucionar Zahari Stojanov dhe një anëtar tjetër i komitetit – Ivan Andonov, e informuan gjeneral-guvernatorin Gavrill Krësteviç për rrëzimin e tij nga pushteti. U shpall Bashkimi i Bullgarisë Jugore me Bullgarinë Veriore nën skeptrin e princit bullgar Aleksandër I. U krijua një qeveri e përkohshme me në krye Georgi Stranski, e cila duhej t’i udhëhiqte territoret e bashkuara deri në mbërritjen e princit.
Lajmi për bashkimin u shpall në momentin kur princi Aleksandër Beteberg
ishte në rezidencën e vet afër Varnës. Ai u nis menjëherë për në Tërnovo dhe më
8 shtator publikoi një manifest, me të cilin njohu zyrtarisht Bashkimin e
Principatës së Bullgarisë me Rumelinë Lindore.
Princi Aleksandër Battenberg hyn në Plovdiv në krye të një regjimenti kalorësie bullgare, gravurë
FOTO: arkiv
“Sot pak politikanë do të bënin një hap të tillë kundër vullnetit të të gjitha Fuqive të Mëdha dhe madje pa përkrahjen e Rusisë” – thotë në një incizim që ruhet në Fondin e artë të Radios Kombëtare Bullgare koloneli tashmë i vdekur Petko Jotov, ish drejtor i Muzeut Historiko-Ushtarak Kombëtar dhe shton:
koloneli Petko Jotov
FOTO: BGNES - arkiv
“Bashkimi ishte përgatitur që në vitin 1880. Mirëpo, në këtë etapë Rusia arriti t’i ndalojë organizatorët e tij. Ajo i frenoi me argumentin se do të rrëzohen dhe Bullgaria do të vdesë. Mirëpo, gjatë vitit 1885 madje Zoti nuk ishte në gjendje ta ndalonte Bashkimin. Rusia ishte kundër tij, sepse ajo nuk mund ta mbronte para Fuqive të Mëdha. Në fakt pala bullgare kishte përgatitjen e domosdoshme në këtë drejtim. Batenberg kishte zhvilluar bisedime diplomatike me oborrin mbretëror anglez, me Austro-Hungarinë dhe deri diku me Gjermaninë. Faktikisht ai e përgatiti Bashkimin në plan ndërkombëtar dhe ra dakord për ta kryesuar megjithë mungesën e përkrahjes nga ana e Fuqive të Mëdha.”
Kështu
7 vjet pas Çlirimit bullgarët ndiheshin të gatshëm për t’u kundërvënë Fuqive të
Mëdha. Brenda kësaj periudhe ata arritën t’i vendosin themelet e ekonomisë së
tyre, të institucioneve demokratike dhe të ushtrisë së fortë. Bullgaria kurrë
nuk ka qenë më unike se sa në atë moment. Bashkimi u përgatit nga komitetet
revolucionare në Rumelinë Lindore, u përkrah nga qeveria bullgare dhe nga princi
Aleksandër Batenberg, nga partitë politike dhe populli.
Monumenti i Bashkimit në Plovdiv
FOTO: BGNES
“Bashkimi është mësimi i parë i shkëlqyeshëm dhe ndoshta i vetëm për nga rëndësia e vet në historinë tonë. Për fat të keq ai është akti i vetëm i unitetit në mendimet, ndjenjat dhe veprimet e bullgarit, sepse më vonë ne përsëri i treguam veçoritë tona individuale” – thotë në incizimin në fjalë koloneli Petko Jotov.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva
- #6 shtator
- #Bashkimi
- #Gavrill Krësteviç
- #Principata e Bullgarisë
- #Rumelia Lindore
- #Çlirimi i Bullgarisë
- #Fuqitë e Mëdha
- #Porta e Lartë
- #Bashkimi i Bullgarisë
- #Zahari Stojanov
- #Princi Aleksandër Batenberg
- #Çlirim
- #San Stefano
- #Ivan Andonov
- #Kryengritja e Prillit
- #Traktati i Paqes i Shën Stefanit
- #Kongresi i Berlinit
- #Komiteti Sekret Qendror Revolucionar
- #koloneli Petko Jotov