KULTURË

Artikull

Magjia e traditave: festivali në Zheravna na kthen sërish te rrënjët bullgare

Enjte, 20 Gusht 2026, 20:00

Magjia e traditave: festivali në Zheravna na kthen sërish te rrënjët bullgare

FOTO: Festivali i Veshjeve Folklorike – Zheravna

Madhësia e shkronjave

Çdo vit, në fund të gushtit, rezervati arkitekturor Zheravna shndërrohet në një makinë kohe. Në zonën piktoreske pyjore Dobromerica zhvillohet Festivali i Kostumeve Folklorike – një ngjarje që kërkon nga çdo vizitor të jetë i veshur me kostum popullor bullgar dhe të lërë mënjanë teknologjitë moderne.

Magjia e traditave: festivali në Zheravna na kthen sërish te rrënjët bullgare

FOTO: Festivali i Veshjeve Folklorike – Zheravna

Edicioni i 18-të i ardhshëm ka një ngarkesë të fortë historike, pasi i kushtohet 150-vjetorit të Kryengritjes së Prillit. Për mysafirët e huaj është e rëndësishme të dinë se kjo ishte përpjekja më e madhe e bullgarëve për çlirimin nga zgjedha pesëshekullore osmane në vitin 1876 – një ngjarje që i parapriu Çlirimit dhe rivendosjes së shtetësisë bullgare. Me këtë përvjetor do të lidhet ceremonia e hapjes së festivalit të premten, si edhe ndezja jashtëzakonisht spektakolare e zjarrit të festivalit në orën 22:00, më 22 gusht, tregon krijuesi i festivalit, Hristo Dimitrov, në një intervistë me Stefka Bakërxhieva nga BNR-Burgas:

Magjia e traditave: festivali në Zheravna na kthen sërish te rrënjët bullgare

FOTO: Festivali i Veshjeve Folklorike – Zheravna

“Ky vit ka dy pika kryesore. Njëra është 150-vjetori i Kryengritjes së Prillit – ky është një përvjetor shumë i rëndësishëm dhe shumë prej aktiviteteve do t’i kushtohen kësaj teme. Pika tjetër e madhe janë fëmijët e Bullgarisë. Gjithmonë në festivalin e Zheravnës ka pasur shumë fëmijë dhe ata kanë marrë pjesë në programet, por këtë vit do të jetë diçka shumë më e veçantë. Kjo do të fillojë që në ceremoninë e hapjes. Thjesht, njerëzit do të përloten nga emocionet kur të shohin këta vogëlushë të ëmbël”, – premton Hristo Dimitrov, koreograf dhe krijues i ansamblit “Bullgare”. Sipas tij, çdo vit festivali zhvillohet dhe pasurohet më tej, ndërsa edicioni i këtij viti nuk do të jetë një përsëritje e edicioneve të mëparshme.

Rada Gospozhnina dhe Bojço Ognjanov

Rada Gospozhnina dhe Bojço Ognjanov

FOTO: Festivali i Veshjeve Folklorike – Zheravna

Për fëmijët është përgatitur një takim me Rada Gospozhinën dhe Bojço Ognjanovin – personazhet kryesore të romanit të parë bullgar, “Nën zgjedhë”, shkruar nga klasikja e letërsisë bullgare, Ivan Vazov. Përmes këtyre personazheve, që mishërojnë guximin dhe patriotizmin e asaj epoke, fëmijët do të njihen me historinë në mënyrë interaktive.

Konkurset tradicionale për kostumin popullor, stolitë dhe dekorimin më të bukur të kokës këtë vit do të plotësohen me një risi tjetër – konkursin për “Bojanica”.

Magjia e traditave: festivali në Zheravna na kthen sërish te rrënjët bullgare

FOTO: Festivali i Veshjeve Folklorike – Zheravna

“Për herë të parë do të zgjidhet Bojanica e festivalit – ky është një titull për vajzën më të spikatur dhe më të denjë të vendbanimit. Ajo do të jetë diçka si mbretëresha e festivalit. Do të ketë status shoqëror, do të jetë vajza më e bukur, më tërheqëse dhe më elegante, ndërsa vetë konkursi do të zhvillohet në një mënyrë shumë interesante. Do të jetë një spektakël interesant.”

Festivali ka një program të pasur me shumë interpretues, por, siç thotë edhe Hristo Dimitrov, nuk janë artistët ata që krijojnë ngjyrimin e kësaj ngjarjeje, por vizitorët e veshur me kostume popullore bullgare. Megjithatë, ai vë theksin te performancat e muzikës etno-folk gjatë natës:

Magjia e traditave: festivali në Zheravna na kthen sërish te rrënjët bullgare

FOTO: Festivali i Veshjeve Folklorike – Zheravna

“Ato fillojnë rreth orës 2:00 të mëngjesit, kur orkestrat dhe këngëtarët tashmë kanë kënduar mjaftueshëm, njerëzit kanë kërcyer, janë lodhur, disa janë shtrirë dhe atëherë fillon kjo festë e madhe etno-folk. Këtë vit do të jetë këngëtarja Mona dhe gëzimi im më i madh – grupi ‘Bullgara’, i cili u rikthye pas një ndërprerjeje mjaft të gjatë. Tani, posaçërisht për festivalin, ‘Bullgara’ do të shfaqet dhe sërish, me muzikën e tyre, do t’u ndezë zemrat njerëzve, sepse janë në nivel botëror. Përveç tyre, do të ketë edhe shumë këngëtarë dhe orkestra të tjera”, – thotë Hristo Dimitrov dhe përmbledh me krenari: “Çdo vit festivali është ndryshe!”

Interesi për ngjarjen është jashtëzakonisht i madh dhe priten rreth 25 mijë njerëz.
Vendet në hotele në një rreze prej 70 kilometrash nga festivali janë rezervuar disa muaj më parë, ndaj shumë prej të ftuarve zgjedhin të flenë në të ashtuquajturin “hotel Zvezdobroj”, siç mund ta quajmë në mënyrë poetike fjetjen në natyrë, nën yjet e shndritshëm të malit. Kjo ndodh sepse festivali në Zheravna nuk ofron vetëm një spektakël, por edhe mundësinë që çdo njeri të ndihet pjesë e një tradite të gjallë shekullore.

Intervistë: Stefka Bakërxhieva, BNR-Burgas

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski