MUZIKË

Artikull

“Rekuiem” i Aleksandër Josifovit – apoteoza e dashurisë me zërin e Lili Ivanovës

Premte, 21 Gusht 2026, 06:53

Lili Ivanova

Lili Ivanova

FOTO: arkiv

Madhësia e shkronjave

“Rekuiem”, me tekst të Jordan Milevit, është kënga e parë e kompozitorit Aleksandër Josifov që Lili Ivanova, simboli i padiskutueshëm i muzikës pop bullgare, përfshiu në repertorin e saj. Njohja me Josifovin ishte një nga momentet më të rëndësishme në jetën dhe krijimtarinë e divës së muzikës së lehtë bullgare, e cila vite më vonë do ta quante këtë kompozitor “një nga aristokratët më të mëdhenj të muzikës bullgare”.Aleksandër Josifovi ishte vetëm 27 vjeç, ndërsa Lili Ivanova ishte rreth një vit më e madhe. Pikërisht në atë periudhë, në fund të viteve 60-të dhe në fillim të viteve 70-të të shekullit të XX-të, karriera e saj mori një hov të jashtëzakonshëm. Ishte koha kur Lili Ivanova – këngëtarja më e madhe e muzikës pop bullgare e të gjitha kohërave – po formonte repertorin e saj tërësisht me këngë të autorëve bullgarë. Gjatë gjithë karrierës së saj, ajo do të këndonte më pas pothuajse vetëm në gjuhën bullgare, duke i dhënë një vend të veçantë poezisë bullgare dhe duke e çuar atë në lartësi të reja artistike. Bashkëpunimi krijues mes saj dhe Aleksandër Josifovit ishte i frytshëm. Ai nisi të shkruante këngë posaçërisht për Lili Ivanovën, ndërsa ajo fitoi me to çmime prestigjioze në konkurse ndërkombëtare.

„Rekuiem“, me vargje të Jordan Milevit, një nga këngët më të spikatura të repertorit të saj, u regjistrua në gjuhën bullgare dhe turke në vitin 1968.Dy vjet më vonë, kënga u nderua me medaljen e bronztë në një festival në Rio de Zhaneiro. Zgjedhja e tekstit pati një rol të rëndësishëm në suksesin e këngës.

“Rekuiem” i Aleksandër Josifovit – apoteoza e dashurisë me zërin e Lili Ivanovës

FOTO: balkanton.su

Jordani Milev është autori i tekstit të këngës së njohur “Adaxhio”,  e cila i solli Lili Ivanovës dhe kompozitorit Angell Zaberski çmimin më të madh – „Çelësin e Artë“ në Konkursin e Këngës së Intervizionit në Bratislavë, në vitin 1966. Milevi ishte një krijues me interesa të gjera letrare dhe kulturore – poet, shkrimtar, përkthyes dhe gazetar. Ai lindi në vitin 1933, në një fshat të vogël në Bullgarinë Veriperëndimore. Studioi gazetari në Universitetin e Sofjes dhe u specializua në kulturat lindore në Tashkent, Teheran, Delhi dhe Manila. Ai është autor i dhjetëra vëllimeve me poezi, librave për fëmijë dhe libraveme shënime udhëtimi. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 15 gjuhë, ndër të cilat arabisht, hindi dhe persisht.

Jordani Milev

Jordani Milev

FOTO: arkiv

Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe në përkthimin në bullgarisht të veprave të poetëve lindorë, ndër ta klasikët uzbekë të shekullit të XX-të Gafur Guljami dhe Zulfija Isroilova, autorët e njohur persë Hafizi, Omar Khajami, Firdusi dhe Saadi, si dhe të përmbledhjes sanskrite “Pançatantra”. Njohja e thellë e kulturave lindore dhe traditave të tyre letrare la gjurmë edhe në mënyrën e tij mjaft të veçantë të të menduarit poetik. Një shembull i spikatur është zgjedhja e një titulli si “Rekuiem” për një poezi që i këndon dashurisë. Dashuria në “Rekuiemin” e Milevit “do të jetë e pavdekshme për shekuj, por vetëm një herë – e gjallë”. “Babai im i vlerësonte poetët bullgarë, ruante miqësi personale me shumë prej tyre, ata i dhuronin vëllimet e tyre me poezi dhe ai gjithmonë kompozonte këngë vetëm mbi poezi të shkruara” – tregon në vitin 2025, në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë, e bija e Aleksandër Josifovit, Borjana. Në të njëjtën intervistë, ajo vë në dukje edhe kriteret e larta që si Lili Ivanova si interpretuese, ashtu edhe Aleksandër Josifovi si kompozitor, kanë pasur gjithmonë ndaj tekstit të një kënge.

Aleksandër Josifov

Aleksandër Josifov

FOTO: Facebook /Aleksandër Josifov

Imazhet e veçanta artistike, ritmi muzikor, tingëllimi elegjiak, filozofia, metaforat – gjithçka që fjalët e një teksti poetik sjellin si finesë artistike të shprehjes, por edhe si mesazh, ka qenë objekt i vëmendjes së veçantë të muzikantëve. Ndjeshmëria ndaj fjalës është një nga arsyet pse bashkëpunimi krijues mes këngëtares dhe kompozitorit ka qenë kaq i veçantë. Dhjetëra vjet pas krijimit, “Rekuiem” merr një jetë të re. Versioni i fundit i këngës është përfshirë në albumin e Lili Ivanovës “Poeti”, të vitit 2014. Edhe sot, kjo këngë zë një vend si në botën artistike të këngëtares, ashtu edhe ndër kryeveprat më të spikatura të kulturës muzikore bullgare.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova