Lajm
Radev: Lufta kundër pastrimit të parave, çelësi për daljen nga “lista gri”
Premte 21 Gusht 2026 09:41
Premte, 21 Gusht 2026, 09:41
FOTO: Këshilli i Ministrave
Madhësia e shkronjave
Masat e ndërmarra kundër pastrimit të parave, korrupsionit dhe ekonomisë informale i japin Bullgarisë një pozicion të fortë për të dalë nga e ashtuquajtura “listë gri”, deklaroi kryeministri Rumen Radev gjatë një mbledhjeje të Këshillit për Koordinim dhe Bashkëpunim në Këshillin e Ministrave. Ai shtoi se qeveria po punon jo vetëm për zbulimin e abuzimeve, por edhe për krijimin e mekanizmave që do t’i parandalojnë ato. Rumen Radev e veçoi si një instrument të rëndësishëm sistemin “Sigma”, i cili synon të rrisë transparencën e flukseve financiare. Deri tani, sistemi ka analizuar rreth 200 mijë procedura të prokurimit publik dhe në më shumë se 30% të tyre është konstatuar se kishte vetëm një ofertues. Hapi i radhës është lidhja e platformës me Regjistrin Tregtar, në mënyrë që të gjurmohen lidhjet mes kompanive dhe të identifikohen praktika të mundshme korruptive.
Po punohet gjithashtu për masa që do të mundësojnë vendosjen e çmimeve referencë për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimit të ujërave të zeza dhe për riparimet rrugore, si dhe për përmirësimin e koordinimit ndërmjet sistemit të pagesës së tarifave rrugore, doganave dhe Agjencisë Kombëtare të të Ardhurave.
Deklarata e kryeministrit u bë në prag të raportimit të pritshëm para Grupit të Veprimit Financiar kundër Pastrimit të Parave (FATF) dhe vizitës së pritshme të përfaqësuesve të këtij grupi në Bullgari.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova