SHOQËRI

Artikull

“Gjuetarët bullgarë të eklipseve” u kthyen nga Spanja me pamje magjike

Faza e plotë e eklipsit, e cila mund të vëzhgohet edhe pa syze speciale

Faza e plotë e eklipsit, e cila mund të vëzhgohet edhe pa syze speciale

FOTO: Gjuetarët e eklipseve

Madhësia e shkronjave

Të jesh një “Gjuetar i eklipseve” është një pasion dhe mision për të cilin nevojiten jo vetëm njohuri serioze në astronomi dhe aftësi të mëdha teknike, por edhe një dashuri e fortë për vetë fenomenin astronomik. “Fjalë për fjalë, e ndoqëm! Udhëtuam me makinë mbi 250 kilometra për të gjetur një qiell të pastër!”, shpjegon për gjuetinë e eklipseve Ganço Gançev, astronom profesionist dhe drejtues i ekspeditës bullgare që fotografoi spektaklin e fundit qiellor. Në ekipin e tij, i cili këtë vit përbëhet vetëm nga tre bullgarë, merr pjesë Hristo Iliev, i cili punon në sektorin bankar, por që merret me astronomi që nga fëmijëria dhe që nga viti 1999 e deri më sot udhëton nëpër botë për të kapur çdo eklips të ardhshëm diellor, si edhe 29-vjeçari Cvetosllav Nikollov – inxhinier softuerësh, për të cilin eklipset diellore janë “e vetmja gjë që e nxit të përjetojë të gjithë gamën e emocioneve” për të cilat është i aftë njeriu.

Ganço Gançev dhe Hristo Iliev

Ganço Gançev dhe Hristo Iliev

FOTO: Radio Bullgaria

“Papritur bëhet errësirë e plotë dhe të pushton një ndjenjë pasigurie. Nuk e di ku ke përfunduar dhe nëse ajo që po vëzhgon është reale. Kjo shpjegon pse njerëzit e lashtë i perceptonin ato si një shenjë nga perënditë dhe si ogur për një ngjarje të ardhshme. Është e kuptueshme, sepse ky fenomen është jashtëzakonisht i rrallë dhe, kur një njeri jeton në një vend të caktuar, zakonisht mund të ketë fatin ta vëzhgojë vetëm një herë gjatë jetës.”

Për të fotografuar eklipsin e plotë diellor të 12 gushtit, tre bullgarët u nisën drejt Spanjës. “Kërkuam një vendndodhje në pjesën qendrore të vendit”, tregon Ganço Gançev dhe shton:

Tre gjuetarët e eklipseve para kështjellës së shekullit XIII, së bashku me familjet e tyre

Tre gjuetarët e eklipseve para kështjellës së shekullit XIII, së bashku me familjet e tyre

FOTO: Gjuetarët e eklipseve

“Kishim zgjedhur rreth 5 ose 6 vende rezervë, por vendi nga ku fotografuam ishte një kështjellë mesjetare e shekullit XIII, e vendosur në majë të një kodre, nga ku kishte një pamje të përsosur 360 gradë. Dhe, sigurisht, nuk ishim të vetmit! Shumica e fotografëve kishin ardhur me nga një tripod dhe aparat fotografik, ndërsa pjesa tjetër ishin amatorë me nga një karrige të vogël dhe syze, të cilët shijonin momentin.”

Eklips i plotë diellor dhe e gjithë kodra

Eklips i plotë diellor dhe e gjithë kodra

FOTO: Gjuetarët e eklipseve

Ndryshe nga shumica e fotografëve, “Gjuetarët e eklipseve” përdorin aparate fotografike profesionale të klasit të lartë, objektiva, teleskop dhe kompjuterë, por sa i përket inteligjencës artificiale, Ganço Gançev është ende skeptik. Ai thotë se “si asistent për vetë planifikimin e procesit, inteligjenca artificiale është e mirë”. Ai bën një paralelizëm me pamjet që përdoren në kinema – ato duken bukur, por janë larg realitetit, ndërsa ky është një përbërës shumë i rëndësishëm për ta. Kjo është edhe arsyeja pse astrofotografitë e “Gjuetarëve të eklipseve” janë si ato që publikohen në revistat shkencore dhe në platformat zyrtare të NASA-s. Gançev shton se çdo pamje është unike dhe e papërsëritshme, sepse:

Kodra dhe faza e fundit e eklipsit gjatë perëndimit të diellit

Kodra dhe faza e fundit e eklipsit gjatë perëndimit të diellit

FOTO: Gjuetarët e eklipseve

“Ky eklips ishte ulët mbi horizont, ndërsa herën tjetër do të jetë herët në mëngjes ose lart në qiell. Vetë korona e Diellit ndryshon në varësi të ciklit të tij dhe aktivitetit të tij. Shpërthimet, të ashtuquajturat protuberanca, nuk janë të njëjta dhe ndryshojnë çdo minutë. Edhe pamja përreth në qiell dhe vetë hija janë gjithmonë krejtësisht të ndryshme, kështu që çdo eklips i plotë është rrënjësisht i ndryshëm nga tjetri dhe këtë mund ta shohësh vizualisht, jo vetëm në fotografi!”

Cvetosllav Nikollov

Cvetosllav Nikollov

FOTO: Gjuetarët e eklipseve

Për “Gjuetarët bullgarë të eklipseve”, megjithatë, një nga arsyet për të fotografuar çdo eklips të ardhshëm diellor është edhe vetë përvoja. Anëtari më i ri i grupit, Cvetosllav Nikollov, shprehet: “Gjatë ngjarjes, të them të drejtën, shkëputem dhe nuk mendoj për atë që po ndodh me fotografitë, sepse fenomeni është aq unik, saqë edhe kur përfundon, fillon të mendosh për të ardhshmin dhe mezi pret ta përjetosh përsëri.” Ndërsa Hristo Iliev shpjegon anomalitë natyrore që e shoqërojnë atë dhe arsyet për shfaqjen e tyre:

Unaza e diamantit e Diellit, disa sekonda para fazës së plotë të eklipsit

Unaza e diamantit e Diellit, disa sekonda para fazës së plotë të eklipsit

FOTO: Gjuetarët e eklipseve

“Reagimet e kafshëve janë shumë të ngjashme gjatë çdo eklipsi diellor. Ato sillen mjaft çuditshëm, sepse në të njëjtin vend eklipset ndodhin mesatarisht një herë në rreth 200 vjet dhe ky fenomen nuk është i programuar në ADN-në e tyre. Ato nuk dinë si të sillen – shohin se errësohet dhe shtrihen të flenë, por pas 2 minutash Dielli përsëri del dhe ato bien në një lloj paniku. Në një nga videoklipet e eklipsit të tanishëm shihen tufa të mëdha zogjsh që kalojnë mbi kokat e njerëzve. Përveç kësaj, temperatura bie ndjeshëm, dendësia e ajrit gjithashtu ndryshon ndjeshëm dhe kjo është arsyeja edhe për erën që shfaqet çdo herë. Emri i saj është “eclipse wind” – nuk ka një term në shqip, pasi te ne këto fenomene janë të rralla. Kur, megjithatë, ka vranësira të shpërndara, pikërisht kjo erë i shpërndan ato, në mënyrë që të arrijmë të shohim të paktën fazën e plotë të eklipsit. Edhe ngjyrat përreth nesh ndryshojnë shumë – bari nuk ka ngjyrën e tij të zakonshme, drita është e zbehur, por jo aq e kuqe sa në perëndim të Diellit, por më tepër në të verdhë dhe metalike, gjë që ndryshon ngjyrat e gjithçkaje përreth. Dhe kur fillon faza e plotë, papritur është sikur dikush ka tërhequr perden – bëhet natë, shfaqen yjet, planetet fillojnë të duken dhe yjësia në të cilën ndodh eklipsi është çdo herë e ndryshme. Ndërsa në 360 gradë shihet një perëndim portokalli, sikur Dielli të kishte perënduar njëkohësisht kudo!”

Faza e fundit e eklipsit, kur Dielli tashmë po perëndon

Faza e fundit e eklipsit, kur Dielli tashmë po perëndon

FOTO: Gjuetarët e eklipseve

Dhe meqë eklipsi i ardhshëm i plotë diellor që do të mund të vëzhgohet nga territori i Bullgarisë do të jetë vetëm më 3 shtator 2081, ajo që u mbetet atyre prej nesh që nuk i planifikojnë udhëtimet sipas këtij fenomeni astronomik, është të shijojnë astrofotografitë e specialistëve që “fjalë për fjalë e ndjekin”, për ta kapur në një kuadër – vetë “Gjuetarët e eklipseve”.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski