Artikull
Zbulim i ri i rëndësishëm në Perperikon – vula e një perandoreshe bizantine
Drejtuesi i gërmimeve arkeologjike në Perperikon, Prof. Nikollaj Ovçarov, prezanton vulën e zbuluar të perandoreshës Irina Komnena
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Vula personale e perandoreshës bizantine Irina Dukina Komnena Laskarina është zbulimi më i fundit nga gërmimet arkeologjike në Perperikon, qytet i lashtë në Rodopet Lindore, sot një nga komplekset arkeologjike më të rëndësishme në Bullgari. Gjetja u prezantua para gazetarëve nga drejtuesi i kërkimeve, Prof. Nikollaj Ovçarov.
FOTO: BTA
Vula, e datuar në shekullin XIII, është vetëm e pesta e njohur në botë që lidhet me Irinën, bashkëshorten e perandorit bizantin Joan III Duka Vataci dhe nënën e trashëgimtarit të fronit Teodor Laskaris. Ajo ka lidhje farefisnore me carin bullgar Ivan Aseni II, pasi vajza e tij, Elena, u martua me Teodor Laskarisin.
FOTO: BTA
Në Mesjetë, vula të tilla përdoreshin për vulosjen dhe vërtetimin e letrave dhe dokumenteve. Prandaj, kjo gjetje dëshmon për një korrespondencë të mundshme intensive midis oborrit mbretëror bullgar dhe familjes sunduese bizantine.
Periudha 1233-1235 është veçanërisht e rëndësishme për marrëdhëniet midis dy shteteve. Pas fitores ndaj sundimtarit të Epirit, Teodor Komnenit, në betejën e Kllokotnicës në vitin 1230, Ivan Aseni II forcoi pozitat e Bullgarisë. Në vitin 1235, Patriarkana Bullgare u rivendos dhe u njoh nga bota ortodokse në një tubim të mbajtur në Lampsak, një qytet në bregdetin e Azisë së Vogël.
FOTO: BTA
Vula është veçanërisht e çmuar edhe për shkak të paraqitjes së Irinës me kurorë dhe veshje perandorake në njërën anë, ndërsa në anën tjetër është paraqitur Krishti. Sipas Prof. Ovçarovit, kjo ikonografi është jashtëzakonisht e rrallë.
Ky zbulim është vula e katërt e një sundimtari të madh e gjetur në Perperikon, pas atyre të perandorëve bizantinë Anastasi, Konstandini IX Monomahu dhe Androniku II Paleologu, si dhe pas vulës së artë të carit bullgar Ivan Aleksandër.
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva