Artikull
Shërbimet neutralizuan një bllokues të fuqishëm GPS në Sofje
Fotografia është ilustruese
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
Agjencia Shtetërore e Sigurisë Kombëtare (DANS), në bashkëpunim me Komisionin për Rregullimin e Komunikimeve dhe Drejtorinë e Policisë së Sofjes, lokalizuan dhe neutralizuan në lagjen “Dragalevci” të Sofjes, brenda një kompleksi me siguri të lartë, një pajisje të fuqishme bllokuese që pengonte frekuencat e sinjalit GPS në territorin e Sofjes, përfshirë Aeroportin e Sofjes, avionët që fluturojnë mbi qytet dhe kullat televizive. Këtë e njoftuan nga qendra e shtypit e DANS.
Për momentin, Ministria e Brendshme dhe DANS nuk japin më shumë detaje rreth vetë pajisjes, e cila ka pasur aftësi për të bllokuar sinjalet. Gjithashtu nuk është e qartë se si është zbuluar ajo dhe si hetuesit kanë arritur deri te vendndodhja e saj. Nga Ministria e Brendshme dhe DANS sqaruan se më shumë informacion do të bëhet publik në një fazë të mëvonshme, raportoi gazetari ynë Nikollaj Hristov.
Ministria e Transportit dhe Ndërmarrja Shtetërore “Menaxhimi i Trafikut Ajror” deklaruan për Radion Kombëtare Bullgare (BNR) se siguria e fluturimeve nuk është vënë në rrezik, pasi ekziston një sistem i pavarur navigimi tokësor që nuk ndikohet nga bllokimi i sinjaleve GPS, raportoi gazetarja Milla Mladenova.
Në lidhje me këtë rast, nga qendra e shtypit e Aeroportit “Vasill Levski - Sofje” i thanë Agjencisë Telegrafike Bullgare (BTA) se aktiviteti i aeroportit nuk është prekur dhe fluturimet po kryhen sipas orarit të planifikuar.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva