Gjithnjë e më shumë bullgarë dhe të huaj zgjedhin jetën në fshat

Vendosja e shtetasve të huaj motivon autoritetet vendore të përmirësojnë urbanizimin e vendbanimeve në Bullgari

Gjithnjë e më shumë bullgarë dhe të huaj zgjedhin jetën në fshat

FOTO: Bashkia e Stara Zagorës

Madhësia e shkronjave

„Të zhvendosesh në fshat“ nuk është thjesht titulli i një ekspozite në Muzeun Kombëtar Etnografik – pas tij fshihen fakte të zymta, por edhe një grimë shprese. Dhe megjithëse në hartën demografike të Bullgarisë figurojnë afro 200 fshatra të braktisura, në të njëjtën kohë njerëzit e ngopur me zhurmën dhe ritmin e çmendur të qytetit fillojnë të ëndërrojnë për një jetë më të qetë dhe më të pastër; bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit dhe të huajt fillojnë të shënjestrojnë strehime të reja në male ose pranë bregdetit, ndërsa nomadët digjitalë vendosen aty ku një fllad i lehtë, cicërima e ëmbël dhe një „përshëndetje“ e fuqishme gomari tingëllojnë në mjedisin që i rrethon.

Fotoekspozita „Të zhvendosesh në fshat“ në Muzeun Kombëtar Etnografik

Fotoekspozita „Të zhvendosesh në fshat“ në Muzeun Kombëtar Etnografik

FOTO: BGNES

Shtatë studiues nga Instituti i Etnologjisë dhe Folkloristikës pranë Akademisë Bullgare të Shkencave i kanë vënë vetes si qëllim të studiojnë nëse vendbanimet e vogla kanë mundësi për një jetë të rilindur, në kuadër të projektit „Fqinji nga Sofja, komshiu nga Gjermania, kundërurbanizimi, ndërveprimi sociokulturor dhe transformimet lokale“. Ata janë kategorikë se nuk duhet të mendojmë për qytetin dhe fshatin si kundërvënie, por si pjesë të një simbioze, sepse ato janë të lidhura që nga lashtësia e deri në ditët tona.

„Bullgarët në moshë pune shumë shpesh shkojnë të jetojnë në fshatra që janë pranë qytetit. Pikërisht kjo afërsi është arsyeja që ata zgjedhin vendin e caktuar. Kjo shpesh lidhet me punën e tyre, por shumë prej tyre punojnë edhe nga shtëpia“, thotë asistentja kryesore Desisllava Pileva.

Desisllava Pileva

Desisllava Pileva

FOTO: BGNES

„Fakti që në ditët e sotme jeta na lejon të punojmë në distancë, i katalizon proceset e largimit nga qyteti dhe e bën fshatin tërheqës dhe aktual – shton kolegu i saj, asistenti kryesor Ivajlo Markov. – Sigurisht, infrastruktura e lidhur me internetin është shumë e rëndësishme, sepse ka vende ku nuk ka as mbulim telefonik. Megjithatë, nuk duhet të përgjithësojmë – disa prej njerëzve, pasi provojnë jetën në fshat, në një moment të caktuar mund të kthehen përsëri në qytet dhe të punojnë për pak kohë në botën korporative. Gjërat janë shumë dinamike, ashtu si çdo gjë që na rrethon.“

Gjatë epidemisë së Covid-it filluan valët e para të zhvendosjes drejt fshatrave. U kthyen gjithashtu shumë bashkatdhetarë që jetojnë përherë jashtë vendit. Aktualisht, lëvizja drejt vendit tonë – jo vetëm e bullgarëve, por edhe e të huajve – e tejkalon numrin e atyre që largohen dhe kjo do të thotë se imigrantët janë më shumë se emigrantët. Por çfarë i shtyn disa prej këtyre njerëzve të ndërtojnë shtëpinë e tyre të re në fshat?

Fshati Sitovo

Fshati Sitovo

FOTO: BGNES

„Më kryesorja – pavarësisht nga gjendja financiare, realizimi profesional apo mosha, këta janë njerëz që kërkojnë të sigurojnë një mënyrë të caktuar jetese – përgjigjen studiuesit. – Kjo mund të jetë, për shembull, më pranë detit, në Bullgarinë Verilindore, ku pronat janë shumë më të lira sesa në jug dhe ku ekziston ky mjedis rural, i cili është shumë e vështirë të gjendet në vendet më të populluara. Një argument tjetër është klima më e shëndetshme.“

Gjithnjë e më shumë bullgarë dhe të huaj zgjedhin jetën në fshat

FOTO: Marta Ros

Në shumë fshatra aktualisht po kryhen punime ndërtimore dhe po rikthehen në përdorim edhe prona të vjetra të trashëguara, të cilat përsëri bëhen të banueshme. Por fakti që personat që vendosen në to shpesh nuk e ndryshojnë regjistrimin e vendbanimit krijon një gabim statistikor në lidhje me procesin e kundërurbanizimit në vendin tonë. Po ashtu, është e gabuar ideja se jeta më e lirë në fshat është një faktor tërheqës për zhvendosjen. E vërteta është se, për ta përballuar një jetë të tillë, duhet të jesh financiarisht i siguruar. Shtëpia, kopshti – gjithçka kërkon mjete financiare për mirëmbajtje; nevojiten gjithashtu të paktën dy automjete, veçanërisht nëse fëmijët duhet të shkojnë në shkollë në qytetin e afërt. Dhe nëse fshati ndodhet pranë një qendre më të madhe të banuar, pronat janë gjithmonë më të shtrenjta.

Fshati Bëllgari

Fshati Bëllgari

FOTO: BGNES

Një pjesë e njerëzve që tërhiqen nga fshatrat bullgare vijnë nga jashtë shtetit. Një pjesë e madhe e tyre janë pensionistë, të cilët, megjithëse kanë pensione më të ulëta në vendin e tyre, në vendin tonë mund t’i lejojnë vetes një standard më të lartë jetese. Më shpesh bëhet fjalë për shtetas britanikë dhe gjermanë, si dhe për banorë të rinj, kryesisht pranë detit, nga ish-vendet socialiste si Polonia dhe Çekia.

Gjithnjë e më shumë bullgarë dhe të huaj zgjedhin jetën në fshat

FOTO: BGNES

„Kur nuk ekziston një barrierë gjuhësore midis të ardhurve dhe vendasve, atëherë përshtatja bëhet më e lehtë dhe më e natyrshme dhe të huajt përfshihen në komunitet – thotë Ivajlo Markov. – Zakonisht ata janë më të lëvizshëm, i shoqërojnë bullgarët e moshuar deri në qytetet e afërta, u blejnë ilaçe dhe ushqime, ndërsa bashkatdhetarët tanë kujdesen për kopshtet e tyre kur të ardhurit ndodhen në vendin e tyre të origjinës. Kur, megjithatë, ekziston barriera gjuhësore, krijohen paragjykime të forta – veçanërisht nga vendasit ndaj të ardhurve, duke i cilësuar ata si të ftohtë, jo të shoqërueshëm, të mbyllur në komunitetin e tyre, nëse një komunitet i tillë ekziston.“

Fshati Srednogorovo, Kazanllëk

Fshati Srednogorovo, Kazanllëk

FOTO: BGNES

Ardhja e shtetasve të huaj ndikon pozitivisht në vendbanime. Kjo i motivon autoritetet vendore të punojnë për përmirësimin e infrastrukturës në fshatra që deri vonë nuk kishin as edhe një rrugë të asfaltuar. Qendrat kulturore, nga ana tjetër, shndërrohen në një forcë tërheqëse dhe të ardhurit shpesh përfshihen në veprimtari të shumta artistike.

„Zhvillohen kauza të ndryshme bamirësie dhe veprimtari kulturore – tregon Desisllava Pileva. – Ekziston një ndërveprim aktiv midis vendasve dhe të ardhurve, si edhe i banorëve sezonalë, të cilët realizojnë shkëmbim kulturor dhe social. Kjo lëvizje e vazhdueshme është në themel të gjithçkaje, sepse si bullgarët, ashtu edhe të huajt vijnë me burimet, njohuritë dhe kontaktet e tyre, dhe ato janë shumë të rëndësishme, veçanërisht kur bëhet fjalë për iniciativa të ndryshme për zhvillimin dhe përmirësimin e fshatit.“

Gjithnjë e më shumë bullgarë dhe të huaj zgjedhin jetën në fshat

FOTO: BGNES

Ekspozita „Të zhvendosesh në fshat“ mund të vizitohet deri në fund të shtatorit në kryeqytet, pas së cilës do të udhëtojë drejt vendeve ku janë kryer studimet në kuadër të projektit. Studiuesit dëshirojnë t’u tregojnë fotografitë njerëzve që kanë kontribuar në kërkimet shkencore. „Kjo është një mënyrë e mirë për të vazhduar dialogun me ta dhe për të dëgjuar vlerësimin e tyre për këndvështrimin dhe punën tonë“, deklaron Desisllava Pileva, e cila beson se fotografitë do të flasin shumë më tepër pikërisht për ta.

Teksti: Diana Cankova (bazuar në intervistën e Mariana Gançevës nga programi „Hristo Botev“ i Radios Kombëtare Bullgare)


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski