Artikull
Përmbytjet dhe zjarret shkaktojnë gjendje të jashtëzakonshme në disa zona
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Pas dy vërshimeve të lumenjve malorë Shashka dhe Zlinska, në territorin e bashkisë Strumjani, në qarkun e Bllagoevgradit, u shpall gjendje e jashtëzakonshme. Shtatë persona u evakuuan, ndërsa deri tani nuk raportohet për viktima apo persona në rrezik. Në zonë mungon furnizimi me ujë dhe energji elektrike, u ndërpre edhe qarkullimi i trenave.
“Dje vonë në mbrëmje pati reshje shumë të dendura. Ekipet tona u nisën drejt Strumjanit dhe Ilindencit, por qasja është e vështirë për shkak të pemëve të mëdha të rrëzuara dhe materialeve të sjella nga uji. Ka edhe dëmtime të urave”, tha drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë nga Zjarri dhe Mbrojtjen e Popullsisë, komisioneri i përgjithshëm Aleksandër Xhartov. Ai shtoi se do të duhet shumë punë deri në rikthimin e jetës normale.
Gjendje e pjesshme e jashtëzakonshme u shpall edhe në fshatrat Dinevo, Koren, Krivo Pole dhe Malevo, në qarkun e Haskovos, ku prej tre ditësh vijon zjarri. Flakët, që përfshin rreth 14 mijë dynym tokë, janë vënë nën kontroll mëngjesin e sotëm. Zjarri dyshohet se u shkaktua nga një 13-vjeçar, i cili u pa pranë Dinevos duke pirë cigare së bashku me një shok. Më pas, ai i vuri zjarrin bimësisë së thatë për të pastruar vendin.
Vijojnë kërkimet për 58-vjeçarin që rezulton i zhdukur pasi u mor nga ujërat gjatë përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura në Peshtera, në bashkinë e Pazarxhikut. Situata në Peshtera dhe Batak po normalizohet, por rruga që lidh këto dy qendra të banuara mbeti e mbyllur gjatë natës. “Ka segmente të dëmtuara të rrugës dhe ekziston rreziku për përkeqësimin e situatës”, tha zëvendëskryetarja e bashkisë së Peshterës, Gëllëbina Karamitreva.
Gjendja e pjesshme e jashtëzakonshme mbetet në fuqi edhe në fshatin Koçan, në bashkinë Satovça, si dhe në një pjesë të rrugës mes Koçanit dhe Zhizhevos, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga reshjet e dendura dhe të rrëmbyeshme.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova