LAJME

Lajm

Shteti do t’i testojë nëpunësit për integritet

Për opozitën testi mbetet një enigmë

Martë, 25 Gusht 2026, 18:29

Shteti do t’i testojë nëpunësit për integritet

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Parlamenti miratoi ndryshime në Ligjin për Nëpunësin Shtetëror, të cilat vendosin të ashtuquajturat teste të integritetit për punonjësit në pozicione me rrezik të lartë korrupsioni.

Në listë do të përfshihen pozicionet që lidhen me prokurimet publike dhe koncesionet, menaxhimin e fondeve publike dhe pronës shtetërore, si dhe procedurat për fitimin e shtetësisë bullgare dhe të drejtës së qëndrimit për të huajt, raportoi gazetari Daniell Inkov.

Vlefshmëria e rezultatit të një testi të kaluar me sukses do të jetë tre vjet. Nëpunësit që tashmë mbajnë këto pozicione në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nuk do të jenë të detyruar t’i nënshtrohen testit. Deri në krijimin e kushteve të nevojshme teknike, testet nuk do të zhvillohen, por kjo duhet të realizohet jo më vonë se 1 dhjetori 2026.

Po ashtu u vendos që nëpunësit shtetërorë të mund të punojnë nga shtëpia dy ditë në javë.

Mekanizmi i testimit shkaktoi debatet më të mëdha. Sipas Velisllav Veliçkov nga partia “Po e Vazhdojmë Ndryshimin”, testi i integritetit mbetet “një enigmë e madhe” dhe askush në sallën parlamentare nuk e di se si do të duket ai në praktikë, raportoi BTA.

Toma Bikov (GERB-SDS) komentoi se ky ligj po miratohet për të mundësuar marrjen e 300 milionë eurove nga Plani i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë.

“Le të mos themi se bëhet fjalë për luftë kundër korrupsionit. Në këtë mënyrë nuk po zhvillohet asnjë luftë kundër korrupsionit”, deklaroi ai, cituar nga BTA.

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva