EKONOMI

Seksion

Prodhuesit bullgarë janë të shqetësuar për rendimentin rekord të grurit

Në 5 vitet e fundit, 35% e fermave në sektorin e prodhimit të drithërave në Bullgari janë zhdukur

Prodhuesit bullgarë janë të shqetësuar për rendimentin rekord të grurit

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

7 milionë e 388 mijë tonë grurë është sasia e prodhuar nga korrja e këtij viti në Bullgari. Këto janë të dhënat nga analiza e fundit operative e Ministrisë së Bujqësisë. Pyetja është, megjithatë, nëse ky prodhim rekord i viteve të fundit i kënaq nevojat e tregut, konsumatorëve dhe prodhuesve.

Konsumi i brendshëm i grurit në Bullgari është rreth 2 milionë tonë në vit, ndaj nuk ekziston rreziku i mungesës dhe konsumatorët mund të jenë të qetë. Kjo nuk vlen për prodhuesit e drithërave – për shkak të kostove të larta të prodhimit dhe çmimeve të ulëta, shumë prej tyre kanë ende sasi të pashitura nga viti i kaluar. Për këtë arsye, korrja e bollshme e këtij viti nuk është një arsye e mjaftueshme për të festuar, pasi kostot përsëri janë të larta, ndërsa çmimet mbeten të ulëta.

Prodhuesit bullgarë janë të shqetësuar për rendimentin rekord të grurit

FOTO: BTA

Këtë vit, sipërfaqet e korrura janë rreth 8 për qind më të vogla, por rendimenti është rreth 10% më i lartë, ndaj sasia e grurit të korrur është më e madhe se vitin e kaluar. Sipas prodhuesve, megjithatë, nivelet e çmimeve me të cilat tregtohet gruri janë kthyer në nivelet e 15–20 viteve më parë, ndërsa çmimet e të gjitha materialeve dhe inputeve të prodhimit janë rritur disa herë.

Sipas Shoqatës Kombëtare të Prodhuesve të Drithërave, kjo mospërputhje ka bërë që gjatë 5 viteve të fundit 35% e fermave në sektorin e prodhimit të drithërave në Bullgari të zhduken. Ato kanë falimentuar, janë shitur ose janë bashkuar me ferma të tjera. Organizata vlerëson se në një fazë të mëvonshme kjo mund të sjellë rrezikun e zvogëlimit të sipërfaqeve të tokës bujqësore të punueshme.

Prodhuesit bullgarë janë të shqetësuar për rendimentin rekord të grurit

FOTO: magnific.com

Prodhuesit e grurit ngrenë edhe një tjetër çështje – nëse çmimet aktuale të grurit janë pranë niveleve të dy dekadave më parë, atëherë pse çmimi i bukës është rritur shumëfish dhe në cilën hallkë të zinxhirit të furnizimit ndodh rritja e çmimit?


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello