LAJME

Artikull

Rinovuar:

Një dron elektrik zbulues është gjetur në ujërat e Detit të Zi pranë Carevos

Një dron elektrik zbulues është gjetur në ujërat e Detit të Zi pranë Carevos

FOTO: mod.bg

Madhësia e shkronjave

Një dron elektrik zbulues është gjetur në ujërat e Detit të Zi midis qytetit Carevo dhe fshatit Varvara, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Mjeti ajror pa pilot është nxjerrë në breg nga dallgët në një gji pranë shkëmbinjve. Fillimisht objekti u lokalizua nga policia, ndërsa zona u sigurua deri në mbërritjen e specialistëve ushtarakë.

“Fillimisht kryen një inspektim me dron për të kontrolluar gjendjen e mjetit ajror. Vlerësuan se nuk kishte rrezik shpërthimi, pas së cilës hynë në ujë dhe e nxorën sipas procedurave të përcaktuara”, deklaroi Veselin Anestiev, zëvendësguvernator rajonal i Burgasit. Sipas tij, mjeti i zbuluar ndodhet në një gjendje jashtëzakonisht të mirë. “Për herë të parë shoh një dron kaq të ruajtur mirë, me trupin e plotë; nuk ishte i copëtuar, siç zakonisht gjenden këto mjete”, tha ai.

Droni do t’i nënshtrohet ekspertizës për të përcaktuar modelin, origjinën dhe rrethanat në të cilat ka përfunduar në det. Deri tani, personeli ushtarak ka konstatuar se bëhet fjalë për një dron elektrik zbulues që nuk paraqet rrezik.

Mjeti ajror pa pilot është transportuar në bazën detare ushtarake.

Ndërkohë, pjesë nga dy dronë u gjetën në plazhet “Kabakum” dhe “Pasha Dere” pranë Varnës, njoftuan nga Drejtoria Rajonale e Ministrisë së Punëve të Brendshme në qytet. Sipas informacionit të Ministrisë së Mbrojtjes, aparati fluturues i gjetur në “Kabakum” nuk përmbante lëndë shpërthyese.

 

Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva