Kujtimi i ansamblit folklorik bullgar “Guslarçe”

Rikthen edhe valltarë nga jashtë vendit

Hënë, 31 Gusht 2026, 07:00

Kujtimi i ansamblit folklorik bullgar “Guslarçe”

FOTO: Bashkia Gorna Orjahovica

Madhësia e shkronjave

Gorna Orjahovica dhe skena e rinovuar e Teatrit Veror të qytetit po përgatiten të jenë mikpritëse të një spektakli të madh folklorik, i cili do të mbledhë në një skenë trashëgiminë e madhe të ansamblit folklorik për fëmijë dhe të rinj “Guslarçe”. Bëhet fjalë për dhjetëra valltarë, këngëtarë e këngëtare dhe interpretues të instrumenteve popullore, të cilët ndër vite kanë qenë të lidhur me trupën e Gorna Orjahovicës. Edhe pse ansambli nuk ekziston prej dekadash, 60-vjetori i themelimit të tij është bërë shkas për përgatitjen e koncertit të madh të ardhshëm më 12 shtator.

Themelues i ansamblit folklorik për fëmijë dhe të rinj “Guslarçe” është Petër Zhisov. Në vitin 1966, ai organizoi një kor dhe një orkestër, ndërsa disa vite më vonë edhe një trupë vallëzimi, duke krijuar kështu një ansambël me këngëtare, orkestër dhe trupë vallëzimi, i cili ndër vite fitoi shumë vende nderi, u bë ansambël përfaqësues folklorik për fëmijë dhe të rinj në Bullgari dhe u shndërrua në një nga ansamblet më të fuqishme të asaj kohe, na tregon njëra prej “guslarçeve” – Diana Stoeva, e cila aktualisht jeton në Vjenë dhe atje drejton grupe folklorike për fëmijë.

Kujtimi i ansamblit folklorik bullgar “Guslarçe”

FOTO: Arkivi personal i Diana Stoeva

I krijuar si një nga ansamblet e para folklorike për fëmijë dhe të rinj, qëllimi i “Guslarçe”-s ishte gjithashtu të përgatiste kuadro për ansamblin e madh folklorik “Sidër Vojvoda”, i krijuar edhe më herët, në vitin 1956, në Gorna Orjahovica, sipas modelit të Ansamblit Kombëtar Folklorik “Filip Kutev”, i themeluar pesë vjet më parë. Për fat të keq, në fillim të shekullit XXI, tradita e këtyre ansambleve në Gorna Orjahovica u ndërpre – në vitin 2010 u shpërbë edhe “Guslarçe”, pasi themeluesi i tij doli në pension, ndërsa drejtuesi i ardhshëm artistik nuk arriti të vazhdonte themelet e vendosura të trupës për fëmijë dhe të rinj.

Megjithatë, ansambli “Guslarçe” la një gjurmë të qëndrueshme në jetën e fëmijëve që në atë kohë sapo po hidhnin hapat e parë në folklorin e vallëzimit. Sot një duzinë prej tyre kanë krijuar formacionet e tyre amatore dhe ajo që mësuan nga koreografët profesionistë, të cilët dikur drejtonin “Guslarçe”-n, ka vazhduesit e saj të denjë. Edhe pse shumë prej pasardhësve të “Guslarçe”-s 60-vjeçar sot jetojnë jashtë vendit, kujtimi tek ata është ende i gjallë dhe edhe sot ndihen fort të lidhur me këtë ansambël, i tha Radio Bullgarisë Diana Stoeva.

Kujtimi i ansamblit folklorik bullgar “Guslarçe”

FOTO: Arkivi personal i Diana Stoeva

“Unë, kur isha e vogël, fillova të kërceja në moshën 6-vjeçare me koreografin Nikollaj Sabev. Pas disa vitesh kalova në kor dhe pata fatin të këndoja nën drejtimin e themeluesit të ansamblit ‘Guslarçe’, Petër Zhisov. Interesat e mia në fushën e matematikës më çuan në Veliko Tërnovo, e më pas edhe në Sofje, dhe për këtë arsye duhej të largohesha nga ansambli. Pa dyshim, ai ka mbetur shumë thellë në zemrën time, ashtu siç është për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e ‘Guslarçe’-s. Pavarësisht shpërbërjes së tij, ‘guslarçet’ e ansamblit vazhdojnë të mblidhen dhe kanë grupin e tyre. Edhe pse ansambli nuk ekziston më, dhjetë vjet më parë festuam 50-vjetorin e tij – u mblodhën shumë ‘guslarçe’ së bashku dhe ideja për t’u bashkuar për një koncert të përbashkët në Gorna Orjahovica lindi spontanisht. Disa prej nesh drejtojnë grupe vallëzimi për fëmijë në vend dhe jashtë tij – kemi një koleg me një trupë vallëzimi në Gorna Orjahovica, një kolege në qytetin e afërt Ljaskovec, por gjithashtu edhe kolegë nga ‘Guslarçe’ në Nju Jork, në Gjermani, ndërsa unë – në Austri. Dhe kështu më lindi ideja që të mblidhnim sërish në një skenë të gjitha grupet folklorike për fëmijë, me rastin e përvjetorit të ‘Guslarçe’-s.”

Kujtimi i ansamblit folklorik bullgar “Guslarçe”

FOTO: Bashkia Gorna Orjahovica

Në themel të çdo koncerti është nostalgjia, e cila do të mbledhë sërish të gjithë interpretuesit që kanë kërcyer, luajtur ose kënduar dekada më parë. Tani ata do të dalin sërish si një formacion i përbashkët i valltarëve nga vendi dhe nga jashtë dhe do të ndajnë kujtimet për ansamblin “Guslarçe”, i cili dikur i afronte të rinjtë me folklorin bullgar. Koncerti i parë i tillë u zhvillua në qershor të vitit 2025. “U mblodhën shumë valltarë dhe muzikantë dhe treguam një lidhje të fortë me trupën, por përmes saj edhe një dashuri të fortë për Bullgarinë” – kujton Diana Stoeva:

Grup i përbashkët rinor vallëzimi nga Shoqata “Ritmet Bullgare” në Vjenë, Shkolla Bullgare “Prof. Ivan Shishmanov” në Vjenë dhe Gorna Orjahovica

Grup i përbashkët rinor vallëzimi nga Shoqata “Ritmet Bullgare” në Vjenë, Shkolla Bullgare “Prof. Ivan Shishmanov” në Vjenë dhe Gorna Orjahovica

FOTO: Arkivi personal i Diana Stoeva

“Fëmijët që erdhën nga Vjena patën interpretime të fuqishme, kushtuar Bullgarisë. Të njëjtën gjë e shoh edhe te kolegët nga shtetet e tjera, e njëjta dëshirë duket edhe në interpretimet e tyre. Pjesa më e madhe e njerëzve nga trupa tashmë e kanë ndërprerë këtë lidhje dhe kanë vazhduar në profesione të tjera, por vitin e kaluar u mblodhën, bënë prova në mënyrë aktive, dolën në skenë, ngritën në këmbë publikun në Teatrin Veror të Gorna Orjahovicës dhe që atëherë vazhdojnë të mblidhen me shumë entuziazëm, me shumë dëshirë. Prandaj edhe këtë vit fokusi i koncertit do të jetë te historia dhe fati i ansamblit ‘Guslarçe’. Mund të ftojmë të gjithë ata që e duan folklorin bullgar, që e duan ansamblin folklorik dhe kanë kujtime për ‘Guslarçe’-n. Por ftojmë edhe të gjithë nga mbarë Bullgaria, të cilët edhe nëse nuk kanë dëgjuar për të, tani e kanë momentin të mësojnë historinë e ansamblit. Koncerti do të jetë më 12 shtator, në orën 19:30, në Teatrin Veror” – na fton Diana Stoeva, duke shprehur mirënjohje ndaj Bashkisë së Gorna Orjahovicës për mbështetjen dhe mundësinë për t’i zhvilluar koncertet e tyre në skenën e mrekullueshme të Teatrit Veror të rinovuar të qytetit.

Kujtimi i ansamblit folklorik bullgar “Guslarçe”

FOTO: Arkivi personal i Diana Stoeva

Vetë Diana Stoeva do të sjellë me vete nga Vjena grupin koncertal të trupës së vallëzimit që ajo drejton në kryeqytetin austriak. Ata do të prezantojnë valle nga rajoni folklorik verior i Bullgarisë. Shumë prej valltarëve janë nxënës të shkollës bullgare të së dielës “Prof. Ivan Shishmanov” në Vjenë dhe ky nuk do të jetë udhëtimi i tyre i parë në Bullgari.

Kujtimi i ansamblit folklorik bullgar “Guslarçe”

FOTO: Arkivi personal i Diana Stoeva

Flaka që Diana Stoeva sheh në sytë e fëmijëve bullgarë në Vjenë e shtyn atë të organizojë koncertin në vendlindjen e saj, Gorna Orjahovica, dhe të inkurajojë bullgarët jashtë vendit që ta ruajnë dhe ta njohin folklorin e tyre. Dhe edhe pse jashtë vendit është shumë e vështirë të shkëputësh kohë nga pushimi, përpjekjet ia vlejnë – thotë Diana. Përmes udhëtimeve dhe përmes aktiviteteve me ritmet folklorike përcillen dashuria dhe lidhja me Bullgarinë. Dhe kjo i jep kuptim jetës së shumë bullgarëve të talentuar, të cilët, edhe pse larg, nuk i harrojnë kurrë hapat, ritmet dhe mesazhet me të cilat është i pasur folklori ynë.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski