MUZIKË

Seksion

Virtuozi bullgar Petër Hristoskov dhe “12 Kapriçot brilante për violinë solo”

Petër Hristoskov (8 mars 1917 – 19 korrik 2006)

Petër Hristoskov (8 mars 1917 – 19 korrik 2006)

FOTO: archives.bnr.bg

Madhësia e shkronjave

Petër Hristoskov (8 mars 1917 – 19 korrik 2006) është ndër personalitetet më të shquara të kulturës muzikore të Bullgarisë – një interpretues i jashtëzakonshëm, kompozitor origjinal dhe pedagog me një kontribut të jashtëzakonshëm. Ai lindi në Knjazhevo – një nga lagjet periferike të kryeqytetit bullgar, ku që në fëmijëri u njoh me folklorin e pazakontë shop dhe me këngët shope. Më vonë, muzika e krahinës Shoplluka u bë themeli i krijimtarisë së tij dhe në një masë të madhe përcaktoi mjetet e tij shprehëse, stilin interpretues dhe pikëpamjet estetike.

Mësuesi i parë i violinës i Petër Hristoskovit ishte Dimitër Popov – babai i violinistit dhe dirigjentit të njohur bullgar Sasha Popov. Petër ishte një fëmijë i jashtëzakonshëm – ndodhte që të luante deri në 12 orë në ditë dhe nganjëherë improvizonte pjesë të shkurtra muzikore. Kjo ishte pikënisja e karakterit improvizues të të menduarit të tij muzikor. Në vitin 1936, Hristoskov përfundoi Akademinë e Muzikës në klasën e Sasha Popovit. Pas specializimit në Berlin nën drejtimin e violinistit të shquar Gustav Havemann, ai zhvilloi një veprimtari të gjerë koncertale në Bullgari dhe Evropë. Repertori i tij ishte mbresëlënës – nga veprat e periudhës paraklasike deri te krijimet e shekullit XX. E jashtëzakonshme ishte aftësia e tij për të ndërthurur karrierën si solist me muzikën e dhomës dhe veprimtarinë pedagogjike.

Virtuozi bullgar Petër Hristoskov dhe “12 Kapriçot brilante për violinë solo”

FOTO: visitplovdiv.com

Hristoskov filloi të jepte mësim në Akademinë e Muzikës në vitin 1945, ndërsa në vitin 1950 u emërua profesor. Ai edukoi breza të tërë violinistësh bullgarë; ndikimi i tij shkoi shumë përtej kufijve të karrierës së tij akademike dhe u bë një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të shkollës bullgare të violinës.

Si kompozitor, krijoi më shumë se 40 vepra – kryesisht vepra të muzikës së dhomës dhe orkestrale, ndër të cilat mbizotërojnë veprat për violinë. “12 Kapriçot për violinë solo”, opusi nr. 1, zbulojnë për herë të parë individualitetin e veçantë të stilit të tij kompozicional.

Zhanri i kapriços, në parim, nënkupton liri, virtuozitet dhe eksperimentim. Te Hristoskov, këto karakteristika i nënshtrohen një ideje të thellë artistike, në të cilën intonacionet e folklorit bullgar nuk janë thjesht një element dekorativ, por një pikënisje për ndërtimin e një gjuhe muzikore individuale. Në “12 Kapriçot” e tij, veçoritë karakteristike modale, ritmike dhe melodike të traditës muzikore bullgare shndërrohen në bazën për krijimin e figurave violinistike virtuoze dhe shprehëse. Ndër kapriçot më të dashura për interpretuesit dhe publikun është Rëçenica e hareshme:

Veçanërisht e rëndësishme është përvoja e drejtpërdrejtë e autorit si interpretues, i cili e njeh dhe e zotëron në mënyrë të përsosur instrumentin dhe i shfrytëzon mundësitë e tij teknike jo thjesht për të demonstruar virtuozitetin, por si një mjet artistik shprehës.

Të 12 Kapriçot përdorin zhanrin, strukturën dhe traditën stilistike të modeleve muzikore perëndimore (si “24 Kapriçot për violinë solo” të Paganinit), por vendosin standarde të reja për mjeshtërinë instrumentale dhe arritjen artistike.

Siç është edhe “Vallja” virtuoze, e interpretuar në mënyrë të paarritshme nga vetë autori i saj:

Një nga pjesët më të njohura të ciklit – “Tokata e vogël” – është një nga pjesët e preferuara të violinistëve bullgarë, me një numër të madh versionesh dhe aranzhimesh për instrumente dhe formacione të ndryshme. Zhanri brilant i tokatës ishte shumë i njohur në muzikën botërore gjatë shekullit XX. Ndryshe nga shumë prej modeleve të saj të bujshme, të krijuara nga Debussy, Ravel, Prokofiev, Khachaturian apo Panço Vlladigerov, “Tokata e vogël” e Hristoskovit, përveçse është e ndritshme dhe mbresëlënëse, është edhe e freskët, plot gjallëri, e thjeshtë dhe elegante.

Shije e rafinuar, potencial teknik, origjinalitet dhe universalitet – të gjitha këto e shndërrojnë “12 Kapriçot për violinë solo” të Hristoskovit në diçka shumë më tepër se një model stilistik rajonal.

Sot, pjesët e këtij cikli janë një pjesë e rëndësishme e repertorit bashkëkohor bullgar për violinë.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello