Liqeni „Srebërna“ ka shumë pak ujë

Kërcënohet një rezervat i rëndësishëm biosferik

Shtunë, 29 Gusht 2026, 07:00

Liqeni „Srebërna“ ka shumë pak ujë

FOTO: „Parku biosferik Srebërna“

Madhësia e shkronjave

Rezervati „Srebërna“, pranë Silistrës, po përballet me një sprovë serioze për shkak të nivelit jashtëzakonisht të ulët të lumit Danub. Liqeni, i cili është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një nga ligatinat më të vlefshme në Bullgari, ka nevojë për furnizim shtesë me ujë, në mënyrë që të ruhet ekosistemi i tij.

Liqeni „Srebërna“ ka shumë pak ujë

FOTO: „Parku biosferik Srebërna“

Liqeni ndodhet në rrugën kryesore të migrimit të shpendëve shtegtarë midis Evropës dhe Afrikës – „Via Pontica“ – dhe aty folezojnë mbi 220 lloje shpendësh. Këtu ndodhet i vetmi vend tradicional i folezimit në Bullgari i çafkës së madhe të bardhë. Edhe bota shtazore në rezervat është shumë e larmishme. Aty gjenden 47 lloje gjitarësh, 27 lloje zvarranikësh dhe amfibësh, si dhe mbi 21 lloje peshqish.

Liqeni „Srebërna“ ka shumë pak ujë

FOTO: „Parku biosferik Srebërna“

Për shkak të nivelit të ulët të Danubit, sasia e ujit në liqen dhe në zonat përreth tij ka rënë në mënyrë kritike. Pas një koordinimi urgjent midis institucioneve lokale dhe kombëtare, është aktivizuar pompimi emergjent i ujit nga Danubi dhe transferimi i tij përmes një dige shtatëmetërshe midis lumit dhe liqenit. Aktualisht, katër pompa hidraulike nxjerrin dhjetëra mijëra metra kub ujë në ditë, për të kompensuar humbjen e vazhdueshme të lagështisë nga kjo pasuri natyrore. Masa u aplikua për herë të parë verën e kaluar dhe atëherë shpëtoi ekosistemin e rezervatit nga tharja. Rezervati është krijuar në vitin 1948.

Liqeni „Srebërna“ ka shumë pak ujë

FOTO: „Parku biosferik Srebërna“

Problemi, megjithatë, ndërlikohet nga fakti se uji në kanalin e vogël drejt rezervatit po pakësohet, duke kufizuar mundësinë për pompim të pandërprerë. Një rrezik shtesë për sistemin e pompimit janë temperaturat e larta të ujit dhe lulëzimi i algave. Për këtë arsye, rreth pajisjeve janë vendosur barriera të reja të posaçme, të cilat kufizojnë hyrjen e algave në pompa, me qëllim që të parandalohet bllokimi i tyre.


Përpiloi: Joan Kolev

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski