Shtunë 29 Gusht 2026 08:00
Shtunë, 29 Gusht 2026, 08:00
FOTO: FB/Lumenjtë e qytetit / Rivers of the City
Madhësia e shkronjave
Më shumë se 150 aktivitete përfshin edicioni i sivjetshëm i festivalit „Lumenjtë e Sofjes“, i cili zhvillohet nga 28 deri më 30 gusht përgjatë brigjeve të lumit Perllovska në Parkun e Jugut. Edicioni i shtatë i tij sërish e vë në qendër të vëmendjes mundësinë që lumenjtë e kryeqytetit të shndërrohen në një pjesë të rëndësishme të një mjedisi urban më të gjelbër. Vitin e kaluar festivali tërhoqi një numër rekord prej mbi 80 000 vizitorësh gjatë tre ditëve.
Për fundjavën e fundit të gushtit, „Lumenjtë e Sofjes“ – 2026 ofron një kombinim të programit familjar, punëtorive artizanale dhe formave të ndryshme të artit. Në tri skenat muzikore do të performojnë artistë të njohur si Kottarashky & Sando, Tlen, Peyotoff, Ivan Shopov dhe Rosen Zahariev, Desy & The Visual Madmen, si dhe të ftuar ndërkombëtarë – Coals nga Polonia dhe French Fry nga Greqia.
FOTO: FB/Lumenjtë e qytetit / Rivers of the City
Një element i ri në program është zona sportive në Lëndinën e Madhe të parkut, ku të gjithë të interesuarit mund të luajnë volejboll, futboll të vogël, spikeball ose të marrin pjesë në sfida të ndryshme sportive.
FOTO: FB/Lumenjtë e qytetit / Rivers of the City
Në programin artistik mund të shihen varka ndriçuese të bëra nga plastikë e ricikluar, të cilat duken sikur lundrojnë në ajër, si dhe instalacione artistike me një bli të madh ndriçues shtatëmetërsh – „Ekosistemet që zhduken“, nga Aleksandër Llazarkov.
FOTO: FB/Lumenjtë e qytetit / Rivers of the City
Festivali zhvillohet që nga viti 2020 me iniciativën e Fondacionit „Kolektivët“, por me kalimin e kohës është shndërruar në një kauzë që bashkon shumë organizata, institucione dhe artistë rreth synimit për lumenj urbanë më të pastër dhe më të gjallë, të cilët ofrojnë më shumë mundësi për pushim, sport dhe kulturë. Një pjesë e nismave lidhej me pastrimin dhe shndërrimin e brigjeve të lumit Perllovska në Parkun e Jugut në hapësira të përdorshme nga qytetarët. Si rezultat, me pjesëmarrjen e qindra vullnetarëve, gjatë viteve u pastruan mbi 10 tonë mbeturina. Falë këtyre përpjekjeve u krijuan edhe „parqet e para të vogla“ lumore në Sofje – disa nga hapësirat lumore më të vizituara në qytet.
Aktivitetet të shtunën dhe të dielën janë nga ora 10:00 deri në 23:00.
Përpiloi: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski