SPORT

Lajm

Muzeu i Sportit në Sofje ruan kujtesën për kampionët e mëdhenj të Bullgarisë

Katja Ivanova: “Çdo kohë ka heronjtë e saj të sportit”

Dielë, 30 Gusht 2026, 08:52

Muzeu i Sportit në Sofje ruan kujtesën për kampionët e mëdhenj të Bullgarisë

FOTO: Ira Dimitrova

Madhësia e shkronjave

Nëse vizitoni Sofjen dhe kërkoni një vend që përcjell energjinë e fitoreve të mëdha, Muzeu i Sportit është një destinacion që nuk duhet ta humbisni. I vendosur në një nga sallat e Stadiumit Kombëtar “Vasill Levski”, muzeu nuk është thjesht një vend ku ruhen objekte, por një dëshmi e gjallë e shpirtit të një kombi të vogël që ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë botërore. Këtu sporti dhe kultura bashkohen për të rrëfyer histori triumfi, të arritur me punë të palodhur dhe garë të ndershme.

Muzeu i Sportit në Sofje ruan kujtesën për kampionët e mëdhenj të Bullgarisë

FOTO: Ira Dimitrova

Për vizitorët, muzeu ofron një udhëtim mbresëlënës nëpër historinë e sportit bullgar – nga klubet dhe garat e para sportive deri te arritjet e kampionëve, emrat e të cilëve njihen në mbarë botën. Këtu do të mësoni se si dhe kur Bullgaria u bë fuqia e katërt e futbollit në botë, si dhe do të njiheni nga afër me gjurmët e sportistëve, rekordet e të cilëve mbetën të pathyeshme për dekada.

“Të gjitha eksponatet në muzeun tonë janë të çmuara, veçanërisht në sport, sepse çdo çmim apo medalje, çdo arritje e sportistëve bullgarë lidhet me shumë punë. Prandaj, nuk mund të them se medalja e argjendtë olimpike e Jordanka Bllagoevës nga Lojërat Olimpike të Munihut në vitin 1972 është më pak e rëndësishme se medalja e artë olimpike e Georgi Kostadinovit nga të njëjtat Lojëra Olimpike, edhe pse njëra është e artë dhe tjetra e argjendtë”, na tregon Katja Ivanova, e cila prej më shumë se katër dekadash kujdeset për ruajtjen e kësaj pasurie kombëtare.

Muzeu i Sportit në Sofje ruan kujtesën për kampionët e mëdhenj të Bullgarisë

FOTO: Ira Dimitrova

“Muzeu i Sportit është një vend shumë i veçantë, që ndërthur sportin dhe kulturën në jetën sportive bullgare. Përveç eksponateve interesante, të ekspozuara në vitrinat e tij dhe të lidhura me disa nga momentet më të paharrueshme të historisë së sportit bullgar, këtu organizojmë edhe shumë veprimtari për nder të sportistëve të mëdhenj bullgarë. Kujtojmë të kaluarën dhe urojmë që edhe e ardhmja të jetë po aq e suksesshme sa e kaluara e sportit bullgar. Kampionët e mëdhenj të Bullgarisë dhe njerëzit që punojnë në sportin bullgar e ndiejnë Muzeun e Sportit si një vend të tyrin.”

Muzeu i Sportit në Sofje ruan kujtesën për kampionët e mëdhenj të Bullgarisë

FOTO: Ira Dimitrova

Katja Ivanova tregon se mes vizitorëve ka shumë nxënës, familje, adhurues të sportit dhe turistë nga vende të ndryshme. Muzeu është tërheqës edhe për të apasionuarit pas teknologjive moderne, pasi, falë një projekti me UNESCO-n, më shumë se 1500 nga eksponatet më të njohura janë digjitalizuar dhe mund të shihen edhe në një faqe të posaçme interneti. Muzeu është pjesë e listës së 100 Objekteve Turistike Kombëtare, me numrin 66, çka e bën të lehtë për t’u gjetur nga çdo udhëtar. Këtu do të takoni vizitorë nga e gjithë bota – që nga Italia deri në Peru, të tërhequr nga historitë e kampionëve olimpikë në mundje dhe peshëngritje, si dhe të heronjve të sotëm të skive dhe snowboardit, si Allbert Popov dhe Radosllav Jankov.

Muzeu i Sportit në Sofje ruan kujtesën për kampionët e mëdhenj të Bullgarisë

FOTO: Ira Dimitrova

Adhuruesit e futbollit dhe atletikës së lehtë zbulojnë këtu thesare të vërteta. Koleksioni përfshin sende që u përkisnin legjendës Hristo Stoiçkov, si dhe rekordmenes botërore në kërcimin së larti, Stefka Kostadinova, rekordi i së cilës nuk u thye për 37 vjet. Ndër sendet më të çmuara që ruhen në muze është edhe uniforma e fundit sportive me të cilën ka luajtur “Futbollisti nr. 1 i shekullit të XX-të në Bullgari”, Georgi Asparuhov-Gundi – një legjendë jo vetëm për tifozët e Klubit Futbollistik “Levski”, por edhe për të gjithë adhuruesit e futbollit në vend. Në muze ruhen edhe eksponate që lidhen me motrat Maleevi, të cilat lënë gjurmë të arta në tenisin bullgar...

Muzeu i Sportit në Sofje ruan kujtesën për kampionët e mëdhenj të Bullgarisë

FOTO: Ira Dimitrova

“Hristo Stoiçkovi i dhuroi muzeut fanellën e tij me numrin 8 nga Barcelona, e cila është pjesë e ekspozitës. Këtu është edhe fanella e tij nga kombëtarja – nga ndeshja e famshme mes Bullgarisë dhe Gjermanisë, kur, pasi ishim në disavantazh 0:2, arritëm të fitonim 3:2 (ndeshja u luajt më 7 qershor 1995 në Stadiumin Kombëtar “Vasill Levski” në Sofje – takim i eliminatoreve për Kampionatin Evropian të Futbollit 1996 në Angli, që ka mbetur në histori për shpirtin e jashtëzakonshëm luftarak të “luanëve” – shën. i red.). Fanella e Hristo Stoiçkovit, si dhe topi me të cilin ai luajti në ndeshjen jubile me rastin e 50-vjetorit të tij – këto janë tre eksponate interesante që lidhen me të. Stefka Kostadinova dhuroi këpucët e saj me thumba, me të cilat u bë kampione e botës në kampionatin e zhvilluar në Goteborg në vitin 1995, vetëm gjashtë muaj pasi kishte lindur djalin e saj, Nikollaj. Është një eksponat shumë i çmuar. Ajo më ka thënë se për të këto këpucë kanë më shumë vlerë se disa nga medaljet që zotëron.”

Vizita në Muzeun e Sportit nuk është vetëm edukative, por edhe një përvojë emocionale që kapërcen barrierat gjuhësore, sepse sportistët e përfaqësojnë denjësisht kombin bullgar në mbarë botën, na thotë Katja Ivanova. Ajo kujton gjithashtu se si fitorja e Kupës Perandorake të sumos në Japoni nga bullgari Kallojan Mahljanov-Kotooshu u bë shkak që turma turistësh japonezë të vizitonin muzeun. “Çdo kohë ka heronjtë e saj të sportit”, thotë Katja Ivanova, duke u mbështetur në përvojën e saj shumëvjeçare në ruajtjen e trashëgimisë së sportit bullgar.

Muzeu i Sportit në Sofje ruan kujtesën për kampionët e mëdhenj të Bullgarisë

FOTO: Ira Dimitrova

“Gjatë një dite të zakonshme pune, këtu erdhi një bullgar që prej shumë vitesh punon si mjek në Suedi. Ai dëshironte ta vizitonte muzeun i vetëm, ndërsa unë herë pas here e shikoja. Kur arriti në fund të sallës, papritur thirri: “Rroftë Bullgaria!”. Këtë nuk do ta harroj kurrë. Nga gjithçka që kishte parë, ky njeri zgjodhi të thoshte vetëm këtë.  Sporti bullgar ngjall pikërisht një reagim të tillë. Ndërsa për ata që duan të mësojnë më shumë, ky është vendi ku mund ta bëjnë këtë.”

Muzeu i Sportit në Sofje ruan kujtesën për kampionët e mëdhenj të Bullgarisë

FOTO: Ira Dimitrova

Pavarësisht nëse jeni një adhurues i apasionuar i sportit apo thjesht një turist kureshtar, Muzeu i Sportit do t’ju ofrojë një rrëfim frymëzues se si vullneti dhe talenti mund të arrijnë majat që duken të paarritshme. Vizitojeni për të mësuar më shumë për kontributin e Bullgarisë në trashëgiminë sportive botërore.


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova