Lajm
BNR me dy nominime për çmimin prestigjioz mediatik PRIX EUROPA 2026
Martë 1 Shtator 2026 07:00
Martë, 1 Shtator 2026, 07:00
FOTO: Përpunuar me AI
Madhësia e shkronjave
Radioja Publike e Bullgarisë ka dy nominime në garën ndërkombëtare PRIX EUROPA 2026 – një prej vlerësimeve më prestigjioze evropiane për produksionet mediatike. Festivali prestigjioz i Bashkimit Evropian të Transmetuesve për radio dhe televizion do të hapet më 11 tetor në emblematikën Haus des Rundfunks në Berlin dhe, sipas traditës, do të mbledhë produksionet më të mira audio, video dhe digjitale të kontinentit. Në edicionin e këtij viti konkurrenca është jashtëzakonisht e madhe – janë paraqitur gjithsej 600 projekte nga mediat publike dhe private evropiane, ndërsa organizatorët theksojnë në mënyrë të veçantë cilësinë jashtëzakonisht të lartë të pjesëmarrësve të përzgjedhur. Në këtë kontekst, BNR siguron një prani të dyfishtë, duke dëshmuar se përmbajtja mediatike bullgare është në nivelin më të lartë evropian.
Projekti i parë i nominuar na çon në shtresat e thella të artit zanor, me radiodramën “Mesija. Poemë liturgjike”, e cila do të konkurrojë në kategorinë AUDIO FICTION. Në programin ndërkombëtar të konkursit ajo paraqitet si “Messiah. A Liturgical Poem”, submitted by BNR, Bulgaria.
Produksioni i Radioteatrit të programit “Hristo Botev”, i transmetuar për herë të parë në fund të nëntorit 2025, është ndërtuar mbi një vepër të poetit bashkëkohor bullgar Ani Ilkov. Kjo është e vetmja vepër e autorit, e menduar për skenë, e cila deri në realizimin e BNR-së nuk ishte vënë kurrë në skenë. Duke dalë përtej kufijve konvencionalë të zhanrit, ajo ndërthur misterin dhe komedinë, politikën dhe erotizmin, poezinë dhe përditshmërinë. Vetë formula gjinore “poemë liturgjike” i referohet epokës së Rilindjes Kombëtare Bullgare, ndërsa teksti zhvillon një dialog origjinal me trashëgiminë e autorëve si Samuel Beket, Daniill Harms dhe Konstantin Pavllov. Edhe pse nuk është shkruar fillimisht për radio, vepra gjen strehën e saj ideale në “skenën zanore”. Falë regjisurës së Hristo Simeonov-Rindos, mjedisit të përpiktë zanor të Gergana Dramlievës, punës së inxhinierit të zërit Mihail Mihajllov dhe interpretimit mjeshtëror të aktorëve si Valentin Ganev dhe Veselin Rankov, radiodrama shpalos shtresat e saj të ndërlikuara dramaturgjike në një mënyrë që të magjeps, pa pasur nevojë për një skenografi fizike.
FOTO: BNR
Njohja e dytë për radion tonë publike vjen në kategorinë Digital Media, ku është nominuar videopodkasti “Hije nga Ballkani”. Projekti, i realizuar në bashkëpunim me Bashkimin Evropian të Transmetuesve (EBU) dhe Drejtorinë e Përgjithshme “Policia Kombëtare”, përqendrohet te tema dhimbshëm aktuale e mashtrimeve telefonike – një formë kriminaliteti që prek njerëz të moshave të ndryshme në të gjithë botën dhe që zhvillohet vazhdimisht paralelisht me kanalet e reja të komunikimit. “Hije nga Ballkani” ofron një qasje moderne, dinamike dhe mbresëlënëse në pasqyrimin e këtij problemi të rëndësishëm. Videopodkasti përdor një stil unik vizual të animacionit, që i ngjan një libri komik. Në procesin e prodhimit, ekipi krijues ka integruar edhe mjete me inteligjencë artificiale (AI), por nën ndërhyrje të rreptë editoriale, kontroll dhe vendimmarrje tërësisht njerëzore mbi strukturën përfundimtare të përmbajtjes. Projekti është vlerësuar si një shembull i spikatur i një forme inovative digjitale, që i shërben gazetarisë me rëndësi publike.
Dy nominimet janë jashtëzakonisht të rëndësishme për imazhin ndërkombëtar të BNR-së, pasi demonstrojnë kapacitetin e radios publike për të ruajtur ekuilibrin midis dy universeve krejtësisht të ndryshme. Nga njëra anë, BNR ruan dhe zhvillon traditën shekullore dhe potencialin dramaturgjik të radioteatrit klasik, ndërsa nga ana tjetër – eksperimenton me guxim me formate digjitale, animacion modern vizual dhe inteligjencë artificiale.
Kulminacioni i edicionit të 40-të të festivalit mediatik në Berlin do të jetë më 16 tetor 2026, kur në ceremoninë zyrtare PRIX EUROPA Awards Ceremony do të shpallen fituesit.
Redaktoi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski