Autor
Zllatko Zhelev
Lajm
EBU: BNR Trafik+ është shembull i një transformimi të suksesshëm digjital!
Hënë 31 Gusht 2026 15:23
Hënë, 31 Gusht 2026, 15:23
FOTO: BNR
Madhësia e shkronjave
“BNR Trafik+ është një shembull i shkëlqyer i një qasjeje ku audienca vendoset në plan të parë – një qasje që mund të ndihmojë në garantimin e së ardhmes së mediave publike.”
Këtë e shkroi në LinkedIn Jonathan Patterson, konsulent pranë njësisë për transformimin strategjik të Bashkimit Evropian të Radios dhe Televizionit (EBU), i cili pak ditë më parë vizitoi median publike me nivelin më të lartë të besimit në Bullgari.
Sipas tij, BNR Trafik+ është një shembull i suksesshëm i transformimit të medias publike dhe i krijimit të një shërbimi digjital që u përgjigjet një nevoje reale të audiencës.
Jonathan Patterson
FOTO: BNR
Në postimin e tij, Patterson, i cili për shumë vite ishte drejtues i përmbajtjes video në BBC News, e cilëson sigurinë rrugore si një problem serioz për Bullgarinë dhe thekson se vendi renditet ndër shtetet e BE-së me numrin më të lartë të viktimave nga aksidentet rrugore për frymë.
Ai tregon se brenda vetëm tri javësh, një ekip i vogël, nën drejtimin e kryeredaktores së Drejtorisë së Programeve Digjitale, Diana Kostova, zhvilloi dhe vuri në funksion BNR Trafik+, një kanal digjital i specializuar që u ofron dëgjuesve çdo 15 minuta informacion mbi gjendjen e trafikut. Informacioni shoqërohet me muzikë që ndihmon drejtuesit e mjeteve të ruajnë vëmendjen gjatë udhëtimit, si dhe me histori njerëzore e mesazhe që u kujtojnë atyre se çfarë është më e rëndësishme në rrugë.
FOTO: BNR
Sipas vlerësimit të EBU-së, informacioni për trafikun, i cili bazohet në të dhëna nga institucionet shtetërore – Ministria e Brendshme, Agjencia e Infrastrukturës Rrugore (API) dhe hartat e Google Maps, si dhe në sinjalizimet në kohë reale nga vetë dëgjuesit, e shndërron BNR Trafik+ në një shërbim me vlerë të vërtetë publike për drejtuesit e mjeteve në Bullgari.
Jonathan Patterson arrin në përfundimin se të dhënat e audiencës tregojnë qartë se kjo ide tashmë po gjen publikun e saj.
Dhe shifrat janë më se domethënëse: numri i vizitorëve unikë të BNR Trafik+ u rrit nga 5 583 në maj, në 10 944 në qershor dhe në 14 765 në korrik. Kjo do të thotë se audienca u rrit 2,6 herë në vetëm dy muaj e gjysmë.
Rritja e përdorimit vihet re edhe te numri i rihapjeve të shërbimit: nga 7583 në maj, në 14 205 në qershor dhe në 17 965 në korrik.
FOTO: BNR
Suksesi i shërbimit digjital të BNR-së ka sjellë si rezultat edhe zgjerimin e informacionit për trafikun në rrjetin rajonal të medias publike. Që nga 10 gushti, Radio Sofja, Radio Plovdiv, Radio Stara Zagora, Radio Kërxhali, Radio Shumen dhe Radio Vidin ofrojnë, sipas modelit të BNR Trafik+, informacion të përditësuar për gjendjen e trafikut çdo ditë pune, nga ora 06:00 deri në 07:00.
Kështu, informacioni arrin te dëgjuesit si përmes kanalit të specializuar digjital në faqen e internetit dhe aplikacionin celular, ashtu edhe përmes programeve rajonale të radios publike.
FOTO: BNR
Për EBU-në, pikërisht ky është shembulli që tregon se si media publike mund të ndërtojë të ardhmen e saj – jo thjesht duke krijuar përmbajtje të reja, por duke zgjidhur problemet reale të njerëzve.
“Gjetja e një roli pozitiv në jetën e njerëzve është një nga gjërat më të rëndësishme që mediat publike mund të bëjnë për të garantuar të ardhmen e tyre. Për drejtuesit e mjeteve në Bullgari, BNR po bën pikërisht këtë”, përfundon Jonathan Patterson në postimin e tij.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova