Autor
Desisllava Semkovska
Seksion
QSL nr. 9: Vitet 1948–1960 – Fromacionet muzikore të BNR-së
Martë 1 Shtator 2026 08:10
Martë, 1 Shtator 2026, 08:10
FOTO: Desisllava Semkovska
Madhësia e shkronjave
Në vitin 2026, Radio Bullgaria konfirmon raportet e radioamatorëve me një seri të re prej 12 kartolinash QSL. Imazhi i secilës prej tyre vë në qendër një ngjarje të caktuar historike, të lidhur me historinë e Radios Kombëtare Bullgare (BNR) dhe programit "Radio Bullgaria", i cili feston 90-vjetorin e tij. Në fillim të çdo muaji, në një publikim të veçantë, mund të mësoni fakte interesante që lidhen me këto imazhe.
Kartolina e nëntë QSL për vitin 2026 i kushtohet formacioneve muzikore të Radios Kombëtare Bullgare (BNR).
Që në fillimet e saj, radioja tërhoqi elitën muzikore të vendit, duke i dhënë start një veprimtarie aktive regjistrimi dhe koncertesh. Sot, formacionet muzikore të BNR-së janë gjashtë.
Në historinë e Orkestrës Simfonike të BNR-së (fotoja e parë në rreshtin e sipërm), e cila ekziston që nga viti 1948, janë regjistruar emrat e profesionistëve të shquar. Orkestra Simfonike e BNR-së ka realizuar turne të shumta në mbarë botën, ka dhënë koncerte në një sërë vendesh dhe ka bërë regjistrime për kompani të njohura të huaja. Që nga viti 2023, dirigjenti kryesor është Konstantin Ilievski.
Orkestra Simfonike e BNR-së
FOTO: Ani Petrova
Veprimtaria kryesore e Big Band-it të BNR-së (fotoja e dytë në rreshtin e sipërm), i formuar në vitin 1960, është realizimi i regjistrimeve për fondin muzikor të radios. Për shumë vite, formacioni drejtohej nga Vili Kazasjan. Së bashku me të, orkestra zhvilloi një veprimtari të pasur koncertore, si dhe mori pjesë në një sërë forumesh bullgare dhe ndërkombëtare. Sot, Big Band-in e drejton Antoni Donçev.
Big Band-i i BNR-së
FOTO: Ani Petrova
Në Orkestrën e Muzikës Popullore të BNR-së (fotoja e tretë në rreshtin e sipërm), e krijuar në vitin 1952 si pjesë e Ansamblit të atëhershëm të Këngëve Popullore të Radios Bullgare, luajnë muzikantët më të njohur të këtij zhanri. Aktualisht, orkestra vazhdon traditën shumëvjeçare të ruajtjes dhe promovimit të folklorit bullgar nën drejtimin e Dimitër Hristovit.
Orkestra e Muzikës Popullore të BNR-së
FOTO: Ani Petrova
Kori i Përzier i BNR-së (fotoja e tretë në rreshtin e dytë) ekziston që nga viti 1952. Ky formacion profesional është ndër korët kryesorë në vend dhe ka një histori të gjatë në interpretimin e veprave operistike dhe të veprave kantato-oratorike. Dirigjente aktuale është Ljubomira Aleksandrova.
Kori i Përzier i BNR-së
FOTO: Ani Petrova
Kori i Fëmijëve i Radios BNR (fotoja në qendër të rreshtit të poshtëm) u krijua në vitin 1960 nga akademiku Hristo Nedjallkov. Pas vdekjes së tij, formacionin vokal e mori nën drejtim Venecia Karamanova. Kori i Fëmijëve i Radios ka fituar shumë çmime në Bullgari dhe jashtë saj, ka dhënë qindra koncerte në vend dhe në mbarë botën dhe është veçanërisht i dashur në Japoni.
Kori i Fëmijëve i BNR-së
FOTO: Anton Çallëkov
Grupi vokal “Radiodeca” (fotoja e parë në rreshtin e poshtëm) është formacioni më i ri dhe më gazmor në familjen e ansambleve muzikore të BNR-së. Ai “lindi” në vitin 1990, me idenë e dirigjentes së tij për shumë vite, Ilina Todorova, për të regjistruar këngë argëtuese për fëmijë për programet dhe fondin e BNR-së. Aktualisht, vajzat dhe djemtë e talentuar, të moshës 6 deri në 13 vjeç, krijojnë dhe interpretojnë nën drejtimin e Ollga Mencel.
Grupi vokal “Radiodeca”
FOTO: Ani Petrova
Talenti i ansambleve muzikore të BNR-së shfaqet më së miri në projektet e tyre të përbashkëta. Një shembull i tillë është kënga popullore “U përmbys mali”, e interpretuar nga Kori i Fëmijëve, Orkestra Simfonike dhe Orkestra e Muzikës Popullore e BNR-së.
Për të marrë kartolinën QSL, duhet të na dërgoni një raport, në të cilin të shënoni datën dhe gjuhën (për "Radio Bullgarinë") ose datën, orën dhe frekuencën e transmetimit të dëgjuar (për programet e tjera të BNR-së), si edhe hollësi mbi përmbajtjen e tij.
Raportet mund t’i dërgoni në mënyrën që ju përshtatet më shumë:
– me postë elektronike: reception.report@bnr.bg
– me postë në adresën: Bullgari, Sofje 1040, bulevardi "Dragan Cankov" nr. 4, BNR, Desisllava Semkovska
Është e detyrueshme të shënoni edhe adresën tuaj postare për kthimin e përgjigjes.
Ju kujtojmë se BNR konfirmon raportet për transmetimet e dëgjuara edhe me seri më të vjetra kartolinash QSL. Nëse dëshironi të merrni ndonjërën prej tyre, ju lutemi ta shënoni këtë në raportin tuaj.
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello