Artikull
Andrej Gjurov dhe Georgi Kandev shpallën kandidaturat e tyre për Presidencën
Martë 1 Shtator 2026 12:16
Martë, 1 Shtator 2026, 12:16
Andrej Gjurov dhe Georgi Kandev
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Ish-kryeministri i përkohshëm Andrej Gjurov dhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme gjatë qeverisjes së tij, Georgi Kandev, hyjnë në garën për presidencën e Bullgarisë. Të dy shpallën zyrtarisht kandidaturën e tyre si çift presidencial para Muzeut Historik në qytetin e tyre të lindjes, Goce Dellçev. „Të gjithë doni të dëgjoni nëse do të hyj në garën për president të Bullgarisë dhe përgjigjja është po. Do ta bëj dhe do ta bëjmë së bashku me Georgi Kandev“, tha Andrej Gjurov. Ai ngriti disa pyetje retorike: „A kemi një shtet që i shpjegon vendimet e veta dhe që e di se sa kushtojnë këto vendime? A kemi një shtet që nuk i detyron qytetarët të paguajnë për planifikim të dobët, paaftësi dhe varësi? A kemi një shtet që mbështetet te njerëzit e aftë dhe jo te ata besnikë ndaj pushtetit?“ Andrej Gjurov tha gjithashtu se komiteti nismëtar që mbështet kandidaturat e tyre përbëhet nga qytetarë dhe jo nga një strukturë partiake. „Askush nuk na ka dërguar këtu dhe askujt nuk i detyrohemi për asgjë. Ne jemi qytetarë bullgarë që punojmë dhe e kemi dëshmuar veten në pozitat më të larta“, theksoi ai. Sipas tij, të dy e njohin Bullgarinë nga këndvështrime të ndryshme: ai nga financat, ekonomia dhe shkenca, ndërsa Georgi Kandev nga drejtësia, siguria dhe mënyra se si vendimet zbatohen në praktikë.
Nga ana e tij, Georgi Kandev tha se qëndroi përkrah Andrej Gjurovit, sepse gjatë punës së përbashkët pa se ai është një njeri i drejtë dhe se e do Bullgarinë. „Unë e di dhe mund t’ju them se kur një politikë zbatohet. Tek unë nuk ka plane të fshehta, jam edukuar të respektoj ligjin dhe të kujdesem për zbatimin e tij“, shtoi ai.
Çifti kandidat për president dhe nënpresident e ka përqendruar fushatën në katër pika kryesore: rrugën evropiane të vendit, kompetencën në ekonomi, pavarësinë, si dhe sigurinë dhe rendin.
Ndër të parët që folën në këtë aktivitet ishte shkencëtari dhe filantropi me famë botërore, prof. Minko Ballkanski, i cili përmes një videomesazhi shprehu mbështetjen për kandidaturat e Andrej Gjurovit dhe Georgi Kandevit.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova