Seksion
Fermerët bullgarë presin që shteti t’i ndihmojë me tregjet
Nikollaj Genov: Edhe prodhimi bullgar është i vogël, edhe tregu mungon
Mërkurë 2 Shtator 2026 07:20
Mërkurë, 2 Shtator 2026, 07:20
FOTO: Hrankoop
Madhësia e shkronjave
Fermerët në Bullgari kërkojnë çmime më të larta të blerjes dhe një strategji tërësore shtetërore për zhvillimin e bujqësisë në vend. Sipas tyre, mungesa e një politike shtetërore dhe çështjet e pazgjidhura lidhur me bursat dhe tregjet e produkteve bujqësore kërcënojnë mbijetesën e sektorit. Mungesa e tregjeve dhe eksporti i bllokuar i nxorën prodhuesit e frutave dhe perimeve në protestë. Prodhuesit e pjeshkëve nga rajoni i Slivenit kërkuan ndryshime dhe theksuan se sektori prej vitesh punon me humbje. Sipas tyre, çmimet e blerjes, rreth 37 eurocent për kilogram, nuk kanë ndryshuar prej një dekade dhe, në praktikë, për ta është më leverdi të hedhin një pjesë të prodhimit sesa ta nxjerrin në treg.
“Është paradoksale – nga njëra anë kemi prodhim të ulët në Bullgari dhe importe gjithnjë e më të mëdha të frutave dhe perimeve (tashmë vlerësohet se arrijnë deri në 80%), ndërsa nga ana tjetër, kur ka fruta bullgare, nuk ka treg për to. Por në fakt, të dyja gjërat janë të lidhura – realisht tregu është zënë nga importet”, – kështu e komentoi situatën për BNR Nikollaj Genov nga “Hrankoop”, një kooperativë që bashkon prodhues dhe konsumatorë të ushqimit të pastër. “Dhe edhe nëse prodhojmë më pak produkte, kur viti është i mbarë për produkte të caktuara, siç është tani për pjeshkët (edhe domate ka aktualisht në sasi më të mëdha), thjesht nuk ka treg për to”, – shpjegon ai në një bisedë me Dobrinka Dobreva nga programi “Horizont”.
Nikollaj Genov
FOTO: agrozona.bg
“Shteti mund të ndihmojë prodhuesit përmes krijimit të më shumë tregjeve – tregje reale, siç janë tregjet e fermerëve, të cilat gjithsesi po fitojnë gjithnjë e më shumë terren, pavarësisht të gjitha vështirësive, mungesës së rregullimit dhe mungesës së angazhimit të shtetit ndaj tyre. Në tregjet e fermerëve, prodhuesit që marrin pjesë tashmë e shesin prodhimin e tyre me një çmim të drejtë për ta. Ndërsa ata që nuk kanë akses në tregje të tilla, aktualisht vuajnë pikërisht për shkak të çmimeve të blerjes. Sipas meje, nuk nevojitet aq shumë kontroll, por krijimi i më shumë mundësive.”
Deri në çfarë mase kooperativat janë një zgjidhje për këtë problem? A bëhen vërtet prodhuesit më konkurrues në këtë mënyrë?
FOTO: Hrankoop
“Po. Ne prej 15 vitesh tashmë punojmë me ndoshta mbi 100 prodhues. Ata që janë pjesë e kooperativës sonë janë rreth 40–50 prodhues. Ata janë të qëndrueshëm dhe kanë klientë besnikë, të cilët janë të bashkuar rreth tyre, pikërisht anëtarët tanë të kooperativës.
Nga fjalët e Nikollaj Genov bëhet e qartë se, në vend të mbështetjes, tregjet e vogla të fermerëve dhe kooperativat shpesh përballen me presion administrativ. Institucionet shtetërore ndonjëherë i shohin me dyshim – si burim rreziku ose spekulimi. Nga ana tjetër, kooperativat janë ndoshta alternativa më e mirë për prodhuesit e vegjël bullgarë për të ofruar prodhimet e tyre në zinxhirët e mëdhenj tregtarë në vend, pa u detyruar t’ua shesin me çmime qesharake ndërmjetësve.
FOTO: Hrankoop
“Faktikisht, ajo që vërejmë është se kur prodhuesi punon për tregun, ai e rregullon prodhimin e tij – domethënë, kur ka një treg real, ti mbjell në varësi të tij dhe planifikon sipas tij se çfarë sasie prodhimi pret të marrësh. Edhe prodhuesit tanë (në kooperativë) tashmë arrijnë të marrin tre-katër korrje nga i njëjti vend, nga një metër katror, dhe e shesin të gjithë prodhimin. Ata nuk kanë teprica të tilla për të cilat të shqetësohen se nuk do të shiten. Dhe ky është pikërisht modeli. Ndoshta ka rreth 12–13 organizata në vend që organizojnë tregje fermerësh, si dhe ka kooperativa. Pra, kjo është diçka që duhet të shqyrtohet nga drejtuesit e shtetit – të thellohen pak më shumë në këto modele tona, të cilat aktualisht duken të vogla dhe ndoshta drejtuesit mendojnë se nuk do të funksiononin për të gjithë vendin. Por, në fakt, unë mendoj se ne jemi embrioni i diçkaje që mund të përsëritet shumëfish në të gjithë vendin dhe, në këtë mënyrë, më shumë prodhues të vuajnë më pak kur kanë prodhim.”
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello