Artikull
Versioni i ri i “Arratisjes” nga “Molec” i jep start fushatës bamirëse
Enjte 3 Shtator 2026 13:44
Enjte, 3 Shtator 2026, 13:44
FOTO: YouTube /MOLEC
Madhësia e shkronjave
Një ndryshim i vogël mund të sjellë ndryshime shumë më të mëdha. Kjo është ideja që qëndron në themel të fushatës së re kombëtare “Hite me 1 për qind ndryshim”, të organizatës “Një për qind ndryshim”. Fushata bamirëse bashkon disa prej artistëve më të dashur bashkëkohorë bullgarë, të cilët sjellin një këndvështrim të ri mbi disa prej këngëve më ikonike të viteve 90-të dhe fillimit të shekullit të ri.
Në thelbin e projektit qëndron një transformim muzikor me një simbolikë të veçantë: këngët e njohura, të krijuara fillimisht në tonalitet minor, do të interpretohen në tonalitet maxhor. Kështu, vetëm një ndryshim i vogël u jep atyre një tingull krejt të ri emocional, që përcjell shpresë, dritë dhe besim se edhe historitë e vështira mund të kenë një fund tjetër. Ky ndryshim muzikor shërben edhe si metaforë për misionin e “Një për qind ndryshim”: që dhurimi i rregullt të bëhet një zakon i natyrshëm dhe pjesë e përditshmërisë së sa më shumë bullgarëve.
FOTO: YouTube /MOLEC
Fushatës i jep start një prej këngëve më të dashura të muzikës pop bullgare, “Arratisje”, e dyshes “Avenju”, e sjellë në një version të ri nga “Molec”.
“Kur dëgjuam idenë që qëndron pas këtij projekti, na pëlqeu fakti që ndryshimi nuk është vetëm muzikor. Ai përcjell një mesazh. Nëse një këngë mund ta bëjë dikë të reflektojë dhe më pas ta nxisë të bëjë një të mirë, atëherë muzika ka kryer misionin e saj më të rëndësishëm” – shprehen djemtë e grupit “Molec”.
FOTO: Facebook /MOLEC
Pranë këngës u realizua edhe një video e veçantë, e cila i çon dy këngëtarët, Kris dhe Julli, pranë disa prej protagonistëve më të dashur të kësaj fushate – qenve që ende presin të gjejnë njeriun e tyre. Të dy shëtisin qentë e braktisur të një strehe që mbështetet nga “Një Përqind Ndryshim” dhe e kthejnë historinë e njohur të arratisjes në një rrëfim për kërkimin e dashurisë, afërsisë dhe një shtëpie.
Fushata “Hite me 1 për qind ndryshim” do të vijojë me edhe dy surpriza të tjera muzikore, të cilat do të prezantohen gjatë javëve në vijim.
Sepse ndonjëherë mjafton vetëm 1 për qind ndryshim që të nisë diçka shumë më e madhe.
Redaktoi: Diljana Traçeva
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova