Artikull
Ejup Maqedonci dhe ambasadori bullgar në Kosovë diskutuan bashkëpunimin dypalësh
Mërkurë 2 Shtator 2026 18:06
Mërkurë, 2 Shtator 2026, 18:06
FOTO: Facebook / Ejup Maqedonci
Madhësia e shkronjave
Ministri në detyrë i mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe ambasadori i Bullgarisë në Prishtinë, Hristo Kraevski, diskutuan sot në një takim situatën e sigurisë, zhvillimet e fundit dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon. Lajmi u bë i ditur nga Radio Televizioni i Kosovës, duke cituar një njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës. Maqedonci dhe ambasadori bullgar në Kosovë vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Bullgarisë, si dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh, njoftoi Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).
Gjatë takimit u theksua se Bullgaria, si anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, mbetet një partner i rëndësishëm për Kosovën. Kontributi i Bullgarisë ndër vite për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, përmes pjesëmarrjes në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, u vlerësua si dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Bullgarisë për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë dhe në rajon. Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar angazhimin e përbashkët dhe për të thelluar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Bullgarisë, në funksion të objektivave të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, thuhet më tej në njoftimin e ministrisë.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova